Video/ Pas 9 orësh në errësirë, shpërthen festa! Reagimi i spanjollëve bëhet viral
Një video amatore po bën xhiron e rrjetit, duke treguar emocionin dhe lehtësimin e banorëve të Madridit në momentin kur, pas 9 orësh mungesë energjie elektrike, dritat më në fund rikthehen.
Në pamjet e shpërndara gjerësisht në rrjetet sociale, dëgjohen ovacione, brohoritje dhe duartrokitje që vijnë nga brenda apartamenteve dhe përhapen përtej mureve, duke reflektuar emocionet e forta të banorëve që përjetuan një blackout të pazakontë.
Spanja, Portugalia dhe një pjesë e Francës mbetën pa energji elektrike për thuajse gjithë ditën e djeshme. Autoritetet janë ende duke hetuar shkaqet e kësaj ndërprerjeje masive, që solli pasoja të shumta në jetën e përditshme të qytetarëve.
Qarkullimi urban dhe ndërqytetas u paralizua për orë të tëra. Pasagjerët u bllokuan në stacione trenash e aeroporte, ndërsa mungesa e energjisë solli dhe ndërprerje të komunikimit, me shumë persona që mbetën pa qasje në internet apo mundësi për të telefonuar.