Berati, Pulkeria dhe Tomori hyjnor! Osmanët e quajtën “Arnaut Beligrad”, Beligradi shqiptar
ILIR CENOLLARI/ Krahina e Beratit përfaqëson një nga vatrat më të spikatura të kulturës dhe qytetërimit tonë në shekuj.
Pozicioni i përshtatshëm gjeografik, klima e mrekullueshme, pasuritë e mëdha, kanë afruar kushte shumë të mira jetese, ekzistence, mbrojtjeje, zhvillimi dhe qytetërimi. Treva që në lashtësinë më të thellë është pagëzuar si vendi i njerëzve të mirë, bujarë, mikpritës dhe të drejtë. Simboli më domethënës i këtij tipari është Mali i Mirë ose Tomori hyjnor.
Qyteti i Beratit është themeluar në shekullin e IV p.e.s., në vitet 313-310 p.e.s., majë një kodre, rreth së cilës është ngritur kështjella ilire mbi bazën e një trashëgimie të lashtë vendase. Qendra protourbane e qytetit zë fill aty nga shekulli i VII p.e.s., ndoshta dhe më herët. Në historiografinë tonë mbizotëron opinioni se emri antik i qytetit të Beratit është Antipatrea, për nder të Antipatrit, gjeneral i Aleksandrit të Madh, vdekur në vitin 320 p.e.s. Ky opinion me të drejtë vihet në dyshim nga Hasan dhe Neritan Ceka me argumente bindëse.
Hëna Spahiu që ka drejtuar ekspeditën arkeologjike të qytetit antik të Beratit nuk ka gjetur asnjë monedhë, mbishkrim, vulë ose simbol tjetër që të dëshmojë emrin e qytetit. Tit Livi (L. XXIX c 12,) thotë: “Bargulum, Bargule, qytet i Ilirisë në afërsi të Dimalit, dhe Eugeni, sikurse Parthinies”. Dimali ndodhet në gji të malit të Shpiragut, pra, shumë afër Beratit. Emri antik i Beratit sipas gjasave është Barguli (Bardhylli) pasi dihet se ky territor ka qenë pjesë e Mbretërisë Ilire të Bardhylit, përkatësisht të taulantëve. Emri mesjetar i Beratit është Pulheriopolis (qyteti i Pulkerisë), i cili shfaqet te Hierokli, shekulli i VI dhe te Notitae Episcopatens, shekulli dhjetë, etj.
Në shekullin e IX pas themelimit të Temës Bizantine të Bullgarisë, viti 864, qyteti u quajt Beligrad nga administrata e Borisit/Mihal, vasal i perandorit Mihal. Me këtë emër përmendet edhe në shekullin e XIV, viti 1336 nga historiani bizantin Johan Kantakuzeni. Osmanët e quajtën “Arnaut Beligrad”, Beligradi shqiptar. Gjatë periudhës bizantine, falë dhe pozitës gjeografike, Berati u shndërrua në një qendër të rëndësishme qytetare, kulturore e kishtare. Disa thonë se qyteti i Beratit u pagëzua me emrin Pulheriopolis nga Marsiani për nder të kujtimit të bashkëshortes së vet, Pulkerisë. Daniele Farlati në veprën madhore “Iliria e Shenjtë”, ndërsa identifikon kalanë e Beratit me Pulheriopolin, shton se qyteti është themeluar nga Pulheria, motra e Theodhosit të Ri.
Teza e themelimit të qytetit në këtë kohë bie sepse gërmimet arkeologjike (Shih Hëna Spahiu, “Qyteti Iliro-Arbëror i Beratit, Tiranë 1990), tregojnë se qyteti është ndërtuar në shekullin IV–III p.e.s. dhe ka vazhduar të ekzistojë pa ndërprerje. Pukëvili shkruan se qyteti i Beratit është rindërtuar gjatë mbretërimit të Theodhosit II, i cili i dha emrin Pulheriopolis, për nder të motrës së vet.[1] Ai shton se qyteti i Beratit përmendet me emrin Pulheriopolis nga dy autorë të hershëm bizantinë, Sozomeni, Libri II, cap. 3, dhe Beritosi, por nuk dihet se sa i saktë është ky pohim. Sozomeni i ngre lëvdata Pulkerisë, por nuk thotë se ajo ka qëndruar në qytetin e Beratit, aq më tepër të jetë themeluesja e tij. E vetmja dëshmi e saktë që përmend qytetin me emrin Pulheriopolis është njoftimi i Hieroklit një shekull pas vdekjes së Pulkerisë. Mbas tij, e gjithë tradita bizantine e përmend qytetin me këtë emër, si një qendër kishtare që varet nga Durrësi dhe nga Ohri. Për jetën e Pulkerisë flasin shumë autorë, si Sharl Lë Bo, Eduart Giboni, Zonara, François-Timoleon de Choisy, Eusebi i Çezaresë, etj. Po cila është Pulkeria? Ajo është vajza e Arkadit, perandorit të Lindjes, mbesë e Theodhosit të Madh, perandorit të parë të Romës së Re, që më pas u identifikua me Perandinë Bizantine, motër e Theodhosit të Ri, perandor i Lindjes, motër e Flakdës, Arkadisë dhe Marinës. Arkadi vdiq në vitin 404 të erës sonë dhe la pas një djalë, Theodhosin tetë vjeçar dhe katër vajza, njëra nga të cilat, Flakida vdiq në moshë të njomë.
Jeta, fati dhe veprimtaria e Pulkerisë plekset me jetën, fatet, ngjarjet, zhvillimet më të rëndësishme të perandorisë së Lindjes dhe të Perëndimit, fesë së krishterë, popujve dhe njerëzve të thjeshtë, heretikëve, gjeneralëve, eunukëve, papës dhe patrikëve, klerikëve dhe familjarëve të vet. Për dyzet vjet më radhë, Pulkeria mbajti në dorë timonin e perandorisë, herë nën emrin e të vëllait, Theodhosit, herë në të vetin, e herë në të bashkëshortit, Marsianit. Pothuaj të gjithë studiuesit e jetës së saj janë në një mendje dhe vlerësojnë lart vlerat dhe meritat e kësaj gruaje të jashtëzakonshme. Që në moshë të re Pulkeria u dha pas studimeve, filozofisë, historisë, teologjisë dhe gjuhëve të huaja. Mbi të gjitha ajo ishte një kristiane e devotshme dhe u betua për përkushtim të plotë ndaj Perëndisë dhe fesë kristiane! Me këtë akt të lartë, theksojnë biografët e saj, ajo mposhti egoizmin, ambicien e sëmurë, mendjemadhësinë, lakminë dhe gjithë cenet e karakterit të njeriut. Pulkeria iu përkushtua kultivimit dhe përhapjes së frymës së shenjtë, krijimit të bashkësive të krishtera, ndërtimit të objekteve të kultit, kishave, basilikave, manastireve, spitaleve, shkollave, aktiviteteve bamirëse. Në këtë aktivitet Pulkeria tërhoqi dhe motrat e veta, krijoi bashkësi të krishtera me vajza të zgjedhura që vinin nga elitat e shoqërisë së atëhershme bizantine. Pulkeria e mëshirshme dhe shpirtmirë bënte një jetë të përkorë, merrej me studime, me qëndisje, me recitime, me lutje dhe përgjërime fetare, ndihmonte të varfrit, bënte blatime pa fund dhe nuk kursehej për asgjë. Shpesh ajo kishte dhe vizione hyjnore, zbulesa, vegime dhe profeci. Pulkeria mori përsipër edukimin, arsimimin dhe drejtimin e të vëllait, Theodhosit të Ri, në jetë dhe në politikë. Nën kujdesin e motrës perandori mori mësime në retorikë, gramatikë, etikë, filozofi, gjueti dhe në artin e qeverisjes. Perandori mori mësime dhe për mënyrën e qëndrimit në publik dhe në jetën private, për mënyrën e imponimit të të tjerëve, për mënyrën e ecjes, e veshjes, e qëndrimit, e buzëqeshjes, e ngrysjes, e përgjigjes, e dëgjimit, e ndryshimit të pamjes së fytyrës sipas kushteve dhe rrethanave, për sjelljen në mënyrë të përshtatshme dhe dinjitoze, se kur duhet të merrte pamje të rëndë e serioze dhe kur pamje të dashur e mallëngjyese. Perandorinë e Lindjes, Pulkeria e drejtoi perandorinë në emër të Theodhosit për aq kohë sa i vëllai ishte në gjendje minorene. Megjithatë, Theodhosi, i velur nga të mirat e pushtetit, begatisë, mirëqenies, mbeti peng i eunukëve, grave të oborrit, pasioneve fëminore, gjuetisë me langonj, shëtitjeve dhe argëtimeve të pafund. Perandori u izolua nga realiteti, nga jeta, nga bota e jashtme, u mbyll në pallat dhe e shkonte kohën me lexime, piktura dhe shkrime duke braktisur detyrat themelore të sovranit. Për këtë sjellje Theodhosi II meritoi epitetin “Kaligrafi”, domethënë shkrimtari.
Theodhosi u rrethua me servilë dhe lajkatarë, që prapa maskës së dashamirësisë zhvatnin shtetin, popullin dhe shoqërinë. Përkundrazi, njerëzit e ndershëm, të zotë dhe të devotshëm, i largoi nga pushteti dhe qeverisja. Theodhosi firmoste qorrazi, pa i lexuar shkresat që i vendoseshin mbi tavolinë, hidhte firma kuturu dhe ligjëronte vendimet e eunukëve. Pulkeria vigjilonte mbi të vëllanë, vigjilonte mbi perandorinë, fati i së cilës s’duhet binte viktimë e paaftësisë së Theodhosit mendjelehtë. Për ta bërë esëll të vëllanë, thonë se Pulkeria i vendosi atij përpara një shkresë që shiste skllave Evdhoksinë, bashkëshorten e vet. Skandali tronditi Theodhosin e përkëdhelur, i cili u zemërua keq me të motrën duke e larguar nga oborri, por më vonë i pendua për këtë lajthitje. Një nga meritat më të mëdha qe mbrojtja e kishës, mbrojtja e unitetit fetar të perandorisë, mbrojtja e katolicizmit dhe lidhjeve tradicionale me Papatin dhe Selinë e Shenjtë të Romës. Fati i Perandorisë së Lindjes varej nga fati i kishës së krishterë. Këtë gjë e dinin mirë në Romë, e dinin mirë dhe në Shën Pjetër. Oborri perandorak i Kostandinopojës u nda në dy fraksione: njëri mbështeste lëvizjen nestoriane, tjetri mbronte fenë katolike tradicionale. Theodhosin e tërhiqnin për hunde eunukut e oborrit dhe sidomos Krisafi, kancelar i madh, i cili për shumë kohë anoi nga Nestori dhe Nestorianët. Papa Celesti, Cyrili i Aleksandrisë, Gjoni i Antiokisë, Juvenali i Jeruzalemit njoftuan Theodhosin dhe Pulkerinë për veprimtarinë heretike të Nestorit dhe nestorianëve të tjerë. Për më tepër, Peshkopi i Aleksandrisë po mbillte farën e përçarjes në gjirin e kishës së Perandorisë së Lindjes. Për të shuar zjarrin e luftës mes dy partive kundërshtare, me lutjen dhe të papa Celestit, Theodhosi i Ri thirri një kuvend të përgjithshëm kishtar në Efes. Akti mban datën 19 nëntor 430 dhe i drejtohet të gjithë peshkopëve të botës. Kuvendi kishtar i Efesit nisi punimet në korrik të vitit 431 me pjesëmarrjen e peshkopëve të Lindjes, Egjiptit, Maqedonisë dhe Ilirisë. Papa Celestini dërgoi tre legatë për të ndjekur nga afër punimet e këtij kuvendi të madh kishtar.
Punimet e kuvendit i drejtoi Cyrili, peshkop i Aleksandrisë, vikar i selisë së shenjtë. Ky kuvend e turbulloi më tej jetën kishtare të Perandorisë Bizantine. Partitë kundërshtare zhvilluan debate të ashpra pa arritur të gjejnë gjuhën e mirëkuptimit. Papa dhe Selia e Shenjtë mbeti shumë e zhgënjyer nga vendimet e Kuvendit të Efesit prandaj i shkroi Theodhosit se ky kuvend përbën një fyerje dhe një sakrilegj për kishën e krishterë, se ai dhunoi kanonet kishtare dhe i lutet perandorit të thërrasë një kuvend të ri të përgjithshëm, kësaj here në Itali. Papa Leoni i drejtoi thirrje dhe Pulkerisë për të përdorur të gjithë autoritetin e vet për të ndaluar dhe shmangur luftën kishtare, të njëjtën thirrje ia drejtoi dhe klerit dhe popullit të Kostandinopojës. Papa ushqente shpresa të mëdha tek Pulkeria, por dhe tek ndikimi i Valentinianit III, perandorit të Perëndimit. Theodhosi u justifikua para papës se vendimet e një kuvendi nuk gjykohen për së dyti, se s’ka kuptim t’i kthehemi një çështje të gjykuar njëherë, etj. Pulkeria u shpall auguste në vitin 414 dhe e ndau pushtetin më të vëllanë. Theodhosi vdes aksidentalish në vitin 450, u rrëzua nga kali dhe theu shtyllën kurrizore. Pushteti kaloi në duart e Pulkerisë. Më herët nuk ishte parë që një grua të drejtonte një perandori, për këtë arsye, Pulkeria vendos të martohet me një burrë me vlera të larta me kusht që të mos e kishte burrë si gjithë të tjerët, sepse ajo qe betuar në virgjëri të përjetshme. Kjo do të ishte një martesë politike dhe bëhej për arsye shtetërore. Pulkeria vdiq në vitin 453. Më vonë ajo u shpall shenjtore e kishës së krishterë, emri i Elia Pulkerisë festohet në 10 shtator të çdo viti. Marsiani jetoi dhe disa vjet, vdiq në 26 janar të vitit 457, në moshën 65 vjeçare. A e ka vizituar Pulheriopolin, Beratin, shenjtorja dhe perandoresha bizantine, qoftë dhe për pak kohë? A ka bërë ndërtime, vepra publike, kisha dhe katedrale? Biografët heshtin në këtë pikë. Besojmë se Berati u përzgjodh si një qendër e rëndësishme qytetare e kishtare për shkak të pozicionit gjeografik, historisë dhe traditave të lashta. Objektet e kultit kristian u ngritën mbi ato të vjetrat, mbi vendet e orakujve dhe tempujve të Di-së, Dhemetrës, Marsit, Apollonit, etj. Një shtatore për nder të saj, apo emri i një rruge, objekti, nëse aktualisht nuk ka një të tillë, do t’i shtonte vlerat kulturore të qytetit të Beratit, që mirëpret vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj./Panorama
[1] Charles Poucheville “Voyage dans la grece…”, volume III, faqe 206, 299.