Pse ekziston vetëm një kopje e cunguar e “Mesharit”, ruhet në Bibliotekën e Vatikani! Gjuha e veprës është gegërishtja e shekullit XVI
“Meshari” është libri më i vjetër i botuar dhe përkthimi i parë liturgjik në gjuhën shqipe, botuar më 1555. Libri u përkthye nga prifti Gjon Buzuku në vitet 1554- 1555, nga italishtja dhe latinishtja ka qenë i destinuar për t’u përdorur nga priftërinjtë që vepronin në trojet shqiptare, gjatë shërbesave të tyre.
Më 5 janar 1555, prifti katolik shqiptar dom Gjon Buzuku e përfundoi së shkruari ‘Mesharin’ e tij, që deri më sot njihet si vepra e parë e llojit dhe njëkohësisht si i pari monument letrar i botuar në gjuhën shqipe. Vetë autori, dom Gjon Buzuku, shkruan në parathënien e ‘Mesharit’ se e mbaroi “së shkruami” veprën më 5 janar 1555. Njihet vetëm një kopje e cunguar që ruhet në Bibliotekën e Vatikanit, por supozohet se u botua në Venedik, i shkruar në shqipen e kohës me alfabet latin gjysmë-gotik. Shkrimi i shqipes është shpjeguar nga historianët e gjuhës dhe filologët se nisi në sajë të tolerancës dhe madje nxitjes nga Vatikani të përdorimit të gjuhëve vendëse në liturgjitë katolike në Ballkan. Kjo nxitje vinte duke qenë se bota katolike përballej me dy kërcënime: Reforma protestante dhe Islami.
Në hullinë kundër-reformës katolike, Buzuku nisi ta përkthente veprën më 20 mars 1554 dhe e mbaroi me 5 janar 1555, gjatë Koncilit tridentin. Ka qenë i destinuar për t’u përdorur nga priftërinjtë që vepronin në trojet shqiptare, gjatë shërbesave të tyre. Kjo vepër u zbulua aty rreth 1743 nga Imzot Gjon Kazazi në Kolegjin e Propagandës Fide, i cili e pagëzoi me emrin Meshari, emër që i ka mbetur sot e kësaj dite. Vendosi të njoftonte menjëherë përmes një letre Atë Gjergj Guxetën, rektorin e seminarit arbëresh të Palermos. Pas pothuaj një shekulli letra e Kazazit dërguar Guxetës u shpluhuros nga peshkopi Giuseppe Crispi. Pas një fushate kërkimore që nisi më 1909, u rizbulua nga peshkopi arbëresh Pal Skiroi.
Skiroi lajmëroi të përkohshmet e kohës se do t’i bënte një studim veprës që më pas ta rishtypte, lajm ky që bëri bujë dhe shtyu françeskanët në Shkodër që të porositnin tri kopje fotografike. Më 1930 gjuhëtari françeskan Justin Rrota solli kopjen e parë fotografike të librit në Shqipëri, dhe qe ndër studiuesit e parë të veprës. Që në kohën e Kazazit, libri ishte i cungët; në gjendjen e parë vepra kishte 110 fletë ose 220 faqe, prej të cilave kishin mbijetuar 94 fletë ose 188 faqe. Tetë fletët e para që i mungojnë do të kenë pasur frontespicin, titullin, vendin e botimin dhe mbase prejardhjen e vetë autorit.
PARATHËNIA
Në parathënien e librit të Buzukut mësojmë drejtpër- “Meshari” është libri më i vjetër i botuar dhe përkthimi i parë liturgjik në gjuhën shqipe, botuar më 1555. drejtë për autorin e tij, për kulturën e tij shpirtërore dhe për përgatitjen e librit, por në mënyrë indirekte edhe nga vetë gjuha e tekstit dhe dialekti i shkrimit, i cili është gegërishtja. Ky libër përmban Librin e Orëve dhe Librin e Meshës prandaj u quajt Meshar. Pjesën e tre të katërtave të veprës, Çabej e vëren që përmban “oficen e vogël të Zonjës, të shtatë psalmet pendestare, litanitë e shenjtvet, disa copë nga të ritualit e të katekizmit dhe meshët e së kremteve kryesore të vitit”.
Të parën cekje të tekstit të Mesharit e bëri Krispi më 1853, kur e citoi në veprën e vet “Memorie storiche su alcune costumanze delle colonie albanesi di Sicilia”, por botoi edhe tekstin e dy fragmenteve të Mesharit me alfabetin që vetë kishte krijuar. Botimi i parë i plotë u bë më 1958 nga Namik Resuli, duke përfshirë një fotokopje dhe transkriptimin. Botimi i punimit “Il Messale” të Resulit nga Biblioteka e Vatikanit mund të thuhet se ia riktheu në kujtesë Institutit të Gjuhësisë në Tiranë. Më 1963 Rrota i kërkoi Kostallarit një kopje të Mesharit që të mund të niste punën me transkriptimin, por drejtori i Institutit iu përgjigj se të vetmen kopje në disponim po e punonte Çabej. Punim, i cili u botua më dy vëllime më 1968 në Tiranë, ku vëllimi i parë ka një studim hyrës me tekstin etransliterimin e plotë të tekstit, ndërsa vëllimi i dytë përmban një faksimile të origjinalit si dhe transkriptimin fonetik. Shtatë psalmet pendestare e vërejtur nga Çabej, mendohet se mund të jenë hartuar ose përshtatje të lira nga Buzuku të Psalterit në Besëlidhjen e Vjetër. Rëndësia e këtij libri për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare është monumentale.
Aty gjendet shqipja e shekullit XVI dhe një pasuri e madhe e fjalorit. Gjuha e veprës është gegërishtja e shekullit XVI, e shkruar me alfabetin latin të tipit gjysmë gotik. “Kemi të bëjmë pikësëpari, pohon Çabej, me një gjuhë letrare, prodhim i një zhvillimi të mëparmë të shkrimit dhe të përpunimit nga ana e këtij shkrimtari”. Gjon Buzuku dëshmon, se, për veprën e tij punoi mes 20 marsit 1554 dhe 5 janarit 1555. “Meshari” i Buzukut u vu, me sa duket, në indeks nga inkuizicioni. Kështu, libri thuajse u zhduk dhe sot, njihet në një kopje të vetme, kjo në bibliotekën e Vatikanit. Atë s’e përmend asnjë autor pasardhës, përpara Pjetër Bogdanit (1665),
Zbulimi i Nikollë Kazazit (1740), nuk e nxori nga heshtja. U desh që ta rizbulonte Pal Sqiroi, në fillim të shekullit tonë (XX), që të niste e të bëhej mirë i njohur. Gati tri shekuj e gjysmë heshtjeje, kaluan mbi librin e parë që dimë të jetë botuar shqip. Me interes është që të njihet se nga ç’vend e ka prejardhjen kopja e vetme e librit të Buzukut. Mbi këtë libër, ka disa anëshkrime, ku gjejmë emrat e dy klerikëve që e kanë përdorur atë, një Gjon e një Gjergj, si edhe emrat e tre të tjerëve, të cilët, u janë drejtuar dy të parëve me anëshkrimet e tyre, për t’i përshëndetur e për ndonjë porosi: një Mark, një Pjetër e një Nikollë. Në një faqe ose në kapakun e fundit të librit, lexojmë edhe emrin e Kola Kuçi dhe, nën këtë emër, kemi fjalën Asanes.
MUNGESA
Gjon Buzuku nga 20 marsi i 1554 deri më 5 janar 1555 u mor me përkthimin e mesharit katolik në gjuhën e atëhershme shqipe. Përkthimi doli nga shtypi në një vëllim me 188 faqe, Biblioteka Apostolike e Vatikanit mban të vetmen kopje të njohur të librit. Mesharit i mungojnë së paku 8 fletët e para. Së bashku me këto fletë, fatkeqësisht, mungojnë edhe: titulli i vërtetë i librit, viti i botimit, vendi i botimit, emri i saktë i autorit ose i përkthyesit, titulli i origjinalit, nga ku janë marrë pjesët që janë përkthyer, leja e botimit, pastaj parathënja, hyrja dhe ndonjë poezi, në formë lavdi, që ishte gjë e zakonshme e kohës në botime të tilla. Mungesa e këtyre të dhënave u ka hapur rrugë studiuesve të shumtë, që të sjellin ide dhe argumente të reja, që nga ato të natyrës tipografike, e deri te ato gjuhësore, me të cilat dëshirohet të zgjidhen çështje shumë të diskutuara, të shkaktuara nga mungesa e të dhënave, të cilat do të duhej të ishin në faqet e para të librit. Natyrisht zgjidhja e problemit të vendit të botimit, do të ndihmonte të zbërtheheshin edhe shumë çështje të tjera të panjohura.
“Meshari” i Gjon Buzukut hap një faqe të re një historinë e letërsisë shqiptare. Me të fillon historia e librit të botuar, [të njohur deri sot] në gjuhën shqipe. Andaj është e natyrshme që ky libër të tërheqë vazhdimisht vëmendjen e studiuesve dhe çdoherë t’i provokojë ata të masin forcat intelektuale që të kontribuojnë për zgjidhjen e shumë çështjeve të pazgjidhura, që dalin prej tij. Është e natyrshme, që si i tillë, ta nxisë çdo studiues të merret me të, por jo çdonjëri ka fatin të shënojë kthesë të rëndësishme në studimet buzukiane. Kur nga perspektiva e sotme i hedhim një vështrim studimeve buzukiane, nuk ka si të mos befasohemi me këmbënguljen e studiuesve për t’i ndriçuar çështjet e pazbërthyera që nxit ky libër. Kjo vepër cilësohet si vepra letrare më e vjetër shqipe e botuar dhe ruajtur deri sot. “Meshari” është vepra e parë në gjuhën shqipe, që njohim, sepse mendohet që të ketë pasur një traditë të mëparshme të shqipes së shkruar. Buzuku e nisi veprën më 20 mars 1554 dhe e mbaroi me 5 janar 1555, data, të cilat ndodhen të shkruara nga vetë autori në pasthënien e librit.
Në vitin 1740 Mesharin e zbuloi ne Bibliotekën e Propaganda Fides, afër Romës, ipeshkvi i Shkupit Imzot Gjon Nikollë Kazazi nga Gjakova. Ky zbulim mbeti në heshtje për më tepër se një shekull, deri më 1909, kur e rizbuloi arbëreshi Pal Skiroi, në Bibliotekën e Vatikanit në Romë, ku gjendet edhe sot me shënimin Katalogu: R.G. Liturgia III, 194.Kopje të tij ndodhen edhe në Bibliotekën Kombëtare. “Meshari” është një vepër monumentale e gjuhës shqipe dhe e kulturës shqiptare. Më 1955, me rastin e 400-vjetorit të “Mesharit”, Instituti i shkencave në Tiranë organizoi një sesion shkencor të posaçëm. I ngarkuar nga Instituti, gjuhëtari i njohur Eqrem Çabej përgatit botimin kritik të “Mesharit” në dy vëllime (vëll. i parë Hyrje studimore dhe transliterim; vëll. i dytë fotokopja e origjinalit dhe transkriptim).
Vepra qe bërë gati për shtyp më 1958, por për vështirësi teknike arriti të botohet më 1968 nga Akademia e shkencave e Rumanisë. Në studimin hyrës të vëllimit të parë, E. Çabej flet gjerë për gjuhën dhe meritat e autorit. “Meshari” i Buzukut ka rëndësi shumë të madhe për historinë gjuhës së shkruar shqipe. Duke krahasuar gjuhën e Buzukut me shqipen e sotme, shkencëtarët vërejnë zhvillime të ndryshme që ka pësyar gjuha shqipe që nga shekulli XVI e deri më sot, si dhe mënyrën sesi mund të ketë ndryshuar ajo që nga ilirishtja e largët dhe prirjet për ndryshime të mundshme në të ardhmen.