Dokumentar austriak për Shqipërinë, Johannes Gierlinger shfaq “Gjeneratën e imazheve” në Gjirokastër
Gjirokastra u bë qendër e reflektimit historik dhe dialogut kulturor përmes shfaqjes së filmit dokumentar “Gjenerata e imazheve” të regjisorit austriak Johannes Gierlinger.
Aktiviteti u zhvillua me mbështetjen e Ambasadës së Austrisë dhe mblodhi së bashku qytetarë, të rinj, artistë dhe profesionistë të fushave të ndryshme, të interesuar për të kaluarën dhe të ardhmen e shoqërisë shqiptare.
Dokumentari trajton proceset transformuese që ka kaluar Shqipëria, me fokus në kalimin nga diktatura komuniste drejt një shoqërie demokratike. Përmes një stili eseistik dhe një gjuhe filmike poetike, “Gjenerata e imazheve” ndërthur materiale arkivore, intervista dhe pamje bashkëkohore për të ndërtuar një narrativë të thellë mbi kujtesën kolektive dhe ndikimin e së shkuarës në të tashmen.
Pas shfaqjes, pjesëmarrësit patën mundësinë të bashkëbisedojnë me autorët e filmit në një diskutim të hapur, ku u ngritën pyetje të rëndësishme mbi mënyrën se si shoqëria shqiptare përballet me të kaluarën e saj, si dhe rolin që arti dhe dokumentari mund të luajnë në këtë proces.
“Quhem Johannes Gierlinger, jam autor filmi nga Austria. Kam realizuar filmin ‘Gjenerata e imazheve’, i cili është rreth Shqipërisë – një vështrim mbi të shkuarën dhe mënyrën sesi ajo ndikon të tashmen. Në film përfshihen tre gjenerata: gjenerata më e vjetër, ajo që ka qenë pjesë e transformimeve dhe gjenerata e re, që nuk e ka përjetuar komunizmin, por ndjen peshën e fantazmave të së kaluarës.”, tha Gierlinger.
Regjisori Johannes Gierlinger, i njohur për punën e tij që ndërthur historinë, politikën dhe estetikën filmike, ndau me publikun frymëzimin pas këtij projekti dhe qasjen e tij ndaj Shqipërisë si një shembull i transformimeve sociale në Evropën Lindore.
“Ky nuk është një dokumentar klasik, por një reflektim eseistik mbi historinë e Shqipërisë. Gjatë katër viteve që kam xhiruar këtu, rashë në dashuri me vendin dhe me njerëzit. Pavarësisht së kaluarës së dhunshme, mund të shohësh kaq shumë pozitivitet mes brezit të ri – një brez që ka potencialin të çojë vendin drejt realiteteve të reja. Por të flasim për të shkuarën mbetet jashtëzakonisht e rëndësishme.”, shtoi autori.
Ky aktivitet kulturor në zemër të Gjirokastrës solli jo vetëm një përvojë kinematografike të veçantë, por edhe një mundësi për reflektim të thellë mbi kujtesën, ndryshimin dhe rolin e brezave të rinj në ndërtimin e narrativave të reja./TCH