Sondazhi i Report Tv/ Nëse zgjedhjet mbahen sot, PS fitore të thellë me 80 mandate derisa PD tkurret në 46! Detajet
Kur na ndajnë rreth 4 muaj nga zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit 2025, sondazhet e para nxjerrin fituese për një mandat të katërt qeverisës, me 6 mandate më shumë se në 2021, Partinë Socialiste. Sipas sondazhit të realizuar nga Eduard Zaloshnja të publikuar në emisionin Repolitix në Report Tv, në rang vendi, nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, PS do të siguronte 80 mandate, krahasuar me 74 që fitoi në zgjedhjet e fundit parlamentare.
PD duket se tkurret ndjeshëm në mbështetje, pasi sipas sondazhit ajo mund të marrë vetëm 46 mandate nga 59 të fituara bashkë me aleatët e saj në zgjedhjet e 2021. Edhe mbështetja për partitë e vjetra të tjera bie ndjeshëm. Vetëm 2 janë mandatet që ato mund të fitojnë në rang vendi, nga 7 deputetë që u futën në parlament përmes siglës së ish LSI dhe PSD në 2021, të vetmet që arritën të futeshin në parlament pa u strehuar në siglat e mëdha.
Partitë e reja duket se janë supriza e këtyre zgjedhjeve. Sondazhi i nxjerr ato fituese të 12 mandateve në rang vendi, sipas përgjigjeve të të anketuarve që shprehen se në këto zgjedhje do të votonin alternativat e reja.
Sa i takon qarqeve, sondazhi i kësaj të mërkure në Repolitix mori në shqyrtim Vlorën, Korçën, Beratin, Fierin dhe Elbasanin.
Në Vlorë, PS ngelet në rezultatin e 8 mandateve, por mbështetja për PD përgjysmohet. Nga 4 mandate në 2021, sipas sondazhit më 11 maj PD tkurret në 2. 2 të tjerat i marrin partitë e reja.
Ndonëse Korçës iu hoq 1 mandat pasi iu kalua Tiranës, sërish PS ruan të njëjtin rezultat të vitit 2021,me 6 mandate. Por bie PD, nga 5 deputetë katër vite më parë sot merr vetëm 4.
Në Elbasan PS rritet me 1 mandat. Nga 14 në total, sondazhi nxjerr fitues me 9 deputetë socialistët. PD merr vetëm 5, nga 6 mandate në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Edhe në Berat, diferenca e PS nga PD thellohet ndjeshëm. Nga 7 mandate që ka gjithsej ky qark, 6 sipas sondazhit fitohen nga PS dhe vetëm 1 nga PD.
Pa shumë dilema pritet të jetë rezultati edhe në Fier për dy partitë e mëdha. Në të vetmin qark që PD arrin të ruaj rezultatin e 2021 me 6 deputetë në Kuvend. Ndërsa PS 9 mandate. Surprizë sipas sondazhit është 1 mandat i LSI, ku këtë radhë e marrin partitë e reja.
Përsa i takon votës së diasporës, sipas sondazhit të Zaloshnjës, në të pesë qarqet e anketuara PS del fituese me më shumë se gjysmën e votave.
Shënim: Kampioni, 16,913 votues të vendosur për të votuar qysh sot: 11,328 në 10 qarqet më të mëdha të vendit, të kontaktuar me SMS krejt të rastësishme të shpërndara në përpjestim me madhësinë e qarkut. 5,585 votues nga emigracioni të kontaktuar përmes miqve/të afërmve të këtushëm.
Kampioni u ripeshua statistikisht në secilin qark, për ta përfaqësuar elektoratin e qarkut sa më mirë demografikisht, gjeografikisht dhe politikisht. Maksimumi i marzhit të gabimit statistikor: Për qarkun me më shumë banorë (Tiranën) plus/minus 2.9%, për atë me më pak banorë (Lezhën) plus/minus 4.4%.
*Në studion e Repolitix me gazetarin Denis Minga komentuan rezultatet e sondazhit: Eduard Zaloshnja, Plator Nesturi, Indrit Sefa dhe Endri Tafani.