Ilirët kundër spartanëve/ Fakte dhe statistika të frikshme të ILIRËVE

Ilirët janë ndeshur me fisin e famshëm luftarak të spartanëve të paktën dy herë në histori. Kjo ka ndodhur rreth viteve 400 para erës sonë. Këto luftime ndodhën në një distancë kohore prej rreth 40 vjet.

Përballja e parë ndodhi gjatë luftërave peloponeze në vitin 423 p.e.s. në atë që do të njihej si Beteja e Lynkestisë.

Kjo përballje do të zinte vend 57 vjet pas betejës së famshme të Termopileve, ku 300 spartanë së bashku me mbretin e tyre Leonidha, do të përballonin deri në vetëflijim ushtrinë persiane prej mbi 120 000 vetave, duke i shkaktuar armikut rreth 20 000 të vrarë.

Nuk ka autorë ilirë që kanë shkruar mbi ilirët dhe të dhënat historike na vijnë në ditët e sotme përmes autorëve të lashtë grekë e romakë që e kanë shkruar historinë nga këndvështrimi i tyre.

Kështu edhe të dhënat mbi betejën e Lynkestisë bazohen në atë që ka shkruar historiani dhe gjenerali athinas Thukididi (rreth 460 p.e.s. – 400 p.e.s.) [1].

Lynkestia ishte një vend në lindje të liqenit të Prespës dhe që zinte pjesë të të sotmes Greqi dhe Maqedoni e Veriut. Maqedonia e atëhershme kishte një shtrirje më në jug të shtetit të sotëm të Maqedonisë së Veriut si dhe kishte dalje në detin Egje.

Sparta ishte në konflikt me Athinën për hegjemoni mbi botën greke. Maqedonët kishin marrë anën e Spartës ndërsa lynkestët, atë të Athinës. Maqedonët ftuan ilirët që të sulmonin lynkestët përkrah tyre dhe spartanëve në Lynkesti. MMaqedonasit dhe spartanët sulmuan të parët dhe korrën disa fitore ndaj lynkestëve.

Ilirët përveç se erdhën me dy ditë vonesë, i tradhëtuan maqedonët dhe spartanët, duke marrë anën e lynkestëve. Me këtë, raporti i forcave u barazua, 4 000 vetë në secilën palë. Arsyeja e vërtetë e ndryshimit të anës nga ilirët nuk dihet por ndoshta ka të bëjë me afërsinë që ilirët kishin me lynkestët.

Lynkestët konsiderohen nga shumica e studiuesve si grekë. Por disa studiues si austriaku Eichnel arsyetojnë se lynkestët kishin qenë deri vonë ilirë, duke iu referuar pikërisht Thukididit si dhe Strabos [2]. Prijësit e lynkestëve kishin gjithashtu më shumë të përbashkëta me fqinjët e tyre ilirë dhe paionë[3] si dhe lynkestët ishin edhe më të lidhur me ilirët sesa me grekët.

Ilirët kanë sunduar mbi Lynkestinë për shekuj të tërë, sipas studiuesit britanik Ian Worthington.

Një arsye tjetër që ilirët morën anën e lynkestëve mund të ketë qenë ajo që mbreti i lynkestëve në atë kohë, Arrhabaeus i premtoi aleancë si dhe vajzën e vet mbretit ilir Syrras që sundonte mbi taulantët dhe enkelejtë. Sipas Buxhovit, martesa kishte ndodhur në të njëjtin vit me betejën [4].

Ilirët njiheshin për shpirtin e tyre luftarak. Prandaj maqedonët dhe spartanët i druheshin një përballjeje me ilirët. Kështu që vendosën me ardhjen e ilirëve të tërhiqeshin nga Lynkestia ndonëse kishin disa epërsi ndaj kundërshtarëve si psh pasja e një kalorësie si dhe pasja e gjeneralëve dhe ushtarëve profesionistë.

Maqedonët u tërhoqën të parët gjatë natës pa lajmëruar spartanët.

Në agim spartanët e gjeten veten përballë forcave iliro-lynkestiane që po bëheshin gati për t’i sulmuar dhe u ndjenë kështu të tradhtuar nga maqedonët. Me largimin e maqedonëve, spartanëve u kishte mbetur një forcë ushtarake prej rreth 3 000 vetësh. 1 000 vetë më pak se pala kundërshtare. Atëherë gjenerali i tyre, Brasida i renditi trupat ushtarake në mënyrë të tillë që të tërhiqeshin duke u mbrojtur.

Ushtarët më të rinj i vendosi në ato anë ku mund të sulmonte kundërshtari. Trupat e armatosura lehtë i vendosi në mes, ndërsa vetë me 300 ushtarë të përzgjedhur kapi një lartësi nga ku mund t’i rezistonte kundërshtarëve për t’i dhënë mundësi pjesës tjetër të ushtrisë të tërhiqej.

Ilirët ishin një armik i panjohur të cilin spartanët nuk e kishin ndeshur më parë. Afrimi i ilirëve me pamjen e tyre të frikshme nisi të shkaktojë lëkundje në moralin e spartanëve. Atëherë gjenerali i tyre Brasida u mbajti këtë fjalim.

“Armiku që kemi përpara mund t’i shtijë tmerrin dikujt që nuk i njeh; ata janë të frikshëm në pamje; bërtitjet e tyre të forta janë të padurueshme; dhe tundja e armëve të tyre në ajër ka një pamje kërcënuese. Por kur bëhet fjalë për një luftë të vërtetë me një kundërshtar që qëndron në vend, ata nuk janë ashtu siç duken; ata nuk kanë urdhëra që të kenë turp kur braktisin pozicionet e tyre kur u bëhet presion; marrja e arratisë është po aq e lavdishme për ta sa mësymja, dhe ata nuk kalojnë dot asnjë provë guximi; ata luftojnë secili për vete, çfarë sjell si pasojë që çdokush që don të marrë arratinë, mund ta bëjë pa pasur ndonjë arsye të fortë.”

Pas këtij fjalimi Brasida udhëhoqi ushtrinë e tij për tërheqje. Kur e panë këtë, ilirët dhe linkestët iu afruan me britma e zhurmë të madhe, duke menduar se ai po ikte dhe se do ta arrinin dhe do t’i prisnin rrugën. Por sa herë që ata mësynin, do të gjenin luftëtarët e rinj spartanë gati për t’iu kundërvënë, ndërsa Brasida i mbështeste me shpurën e tij të përzgjedhur. Kështu, spartanët i rezistuan sulmit të parë, për habinë e kundërshtarit të tyre, dhe më pas e pritën dhe e zmbrapsën kundërshtarin po aq shpejt sa erdhi.

Trupi kryesor i ilirëve dhe linkestëve pushoi së ngacmuari spartanët pasi ishin në vend të hapur dhe lanë vetëm një pjesë të forcave të tyre pas për t’i ndjekur ata dhe për të vazhduar sulmet. Pjesa tjetër u nis me vrap pas maqedonëve të arratisur, duke vrarë të gjithë ata që kapnin, dhe vazhduan përpara për të marrë kontrollin e kalimit të ngushtë që shtrihej midis dy kodrave dhe që ishte dalja nga Lynkestia, duke e ditur se Brasida nuk kishte asnjë rrugë tjetër tërheqjeje. Prandaj, ndërsa Brasida iu afrua pjesës më të vështirë të rrugës, ata filluan ta rrethojnë për ta ndarë nga pjesa tjetër e ushtrisë.

Duke kuptuar se çfarë po ndodhte, Brasida u dha urdhër 300 burrave të thyenin radhët dhe secili të vraponte sa më shpejt që të mundej në kodrën më të afërt. Ai mendoi se ishte më e lehtë të kapte dhe të përpiqej të shpërndante ilirët dhe linkestianët që tashmë ishin atje përpara se grupi më i madh rrethues të mund të bashkohej me ta. Njerëzit e tij sulmuan dhe mposhtën kundërshtarin në kodër, duke i mundësuar pjesës kryesore të spartanëve të vazhdonte tërheqjen dhe u bashkuan me ta më vonë me relativisht pak vështirësi.

Spartanët kishin kryer një tërheqje të suksesshme por ilirët kishin arritur t’i përzenin ata nga Lynkestia. Kështu që morën meritën e fitores. Maqedonët patën një tërheqje katastrofale, pasi u masakruan gjatë tërheqjes si nga lynkestët dhe ilirët ashtu edhe për hakmarrje nga spartanët. Pas asaj kohe maqedonët u armiqësuan me spartanët. Më vonë Lynkestia u bë pjesë e Maqedonisë.

Përleshja e dytë e ilirëve me spartanët ndodhi në vitin 385 p.e.s. Alketa, mbreti i rrëzuar molos kërkoi ndihmën e ilirëve për të rimarrë pushtetin nga fraksioni i dinastisë Molosiane që e kishte rrëzuar.[5]

Ilirët, të udhëhequr nga mbreti i tyre Bardhyli, sulmuan molosët duke shkatërruar vendin dhe vrarë 15,000 molosë.[6]. Molosët kërkuan ndihmën e Spartës për të mposhtur ilirët. Spartanët të udhëhequr nga Agesilaus u përballën dhe mundën ilirët që kishin edhe ndihmën e 2,000 hoplitëve grekë si dhe 500 armatura greke.[6].

Më vonë Alketa arriti prapëseprapë të rimerrte pushtetin dhe e afroi shtetin molosian me Athinën (armikun tradicional të Spartës).

Burimet:

1. Thucydides: The Peloponnesian War, libri 4
2. Eichner, Heiner (2004). “Illyrisch – die unbekannte Sprache”. Die Illyrer. Archäologische Funde des 1. Vorchristlichen Jahrtausends aus Albanien (in German).
3.. Worthington, Ian (2014). By the Spear: Philip II, Alexander the Great, and the Rise and Fall of the Macedonian Empire. Oxford: Oxford University Press.
4. Jusuf Buxhovi ‘Kosova-Antika & Mesjeta’
5. Hammond, Nicholas Geoffrey Lemprière (1982). The Expansion of the Greek World, Eighth to Sixth Centuries B.C. Vol. III, Part 3 Cambridge University Press.
6.Hammond, Nicholas Geoffrey Lemprière (1994). The Cambridge Ancient History: The Fourth Century B.C. Vol. VI. Cambridge University Press.

Scroll to Top