Louis Benloew 1877: “Greqia para grekëve”/ A janë Pellazgët grekë të mirëfilltë?
A janë Pellazgët grekë të mirëfilltë? Kuptimi i emrit, që mbahet si më i lashti, është në veçanti më i debatueshmi dhe pranon shpjegime të shumta studiuesish. Por sot, një përgjigje na vjen nëpërmjet një trajtese të veçantë të Louis Benloew, bërë që në 1877, në veprën “Greqia para grekëve”. Ky libër i shkruar nga Benloew, është një studim i tezës pellazge, ku autori i sjell mendimet e një morie studiuesish, pro ose kundër kësaj teze, duke i analizuar ato.
Autori edhe fjalët shqip i ka shkruar me germa greke, krahas atyre që i ka gjetur të shkruara në greqisht, ku prej tyre ka disa që nuk arrihen të përkthehen nëpërmjet greqishtes. Gjithashtu, i ka lënë me germa hebraike shumë fjalë, që i ka gjetur të shkruara kështu, duke vijuar edhe për ato analizën e tij studimore.
Këtë analizë studimore, siç e shpreh ai këtë libër, e vendos krahas punës madhore të Hahnit, në mbështetje të kësaj vepre dhe për ta çuar edhe më tej studimin e tij.
Ndërkohë vetë autori shkruan në parathënie të kësaj vepre, e cila është përkthyer nga origjinali në shqip nga Iliarian Angoni, se ideja për të shkruar këtë vepër ka lindur gjatë shfletimit të fjalorit të paplotë, të cilin Xylanderi ia ka bashkangjitur gramatikës së tij shqiptare.
“Hamendësimet e mia, arritën në një farë shkalle gjase. Gjuha shqipe dukej se i jepte kuptimin disa emrave të përveçëm, të cilët nëpërmjet rrugësh të tjera ishin të pashpjegueshëm, të tillë si male, Pilos, Andani, Olimpi. Por për t’u sqaruar më shumë, për fat të keq kisha vetëm trajtesën në gjuhën shqipe të Bopit, mësuesit tim të shquar, të cilat ai m’i kishte paraqitur në 1850″, ka shkruar autori në parathënien e kësaj vepre.
Sot ka dalë sheshit se në një epokë, që nuk mbahet mend, Greqia nuk ka qenë e banuar nga grekët kur këta të fundit depërtuan në vendin, të cilin ata duhej ta paraqisnin me emrin e tyre, ky vend nuk ka qenë shkretinë. Atëherë cilës racë i përkisnin banorët e parë? Në tokën e Greqisë ka gjurmë të shumta të një qytetërimi të hershëm në kohë, sesa qytetërimi i grekëve.
“Fenikasit ngritën vendqëndrime të shumta nëpër ishujt e detit Egje dhe u përpoqën të kolonizojnë disa vende të kontinentit. Duke hequr midis tyre disa emra të përveçëm semitikë, të cilët na paraqesin gjeografinë e Heladës antike, gjendemi përballë një numri të madh emrash, zanafilla e të cilëve sigurisht që nuk është greke, dhe që duhet të ngjitet edhe disa shekuj më lart sesa gojëdhënat më të hershme helene. Shumë nga këto qytete na thuhet shprehimisht se i përkasin Pellazgëve, Legelëve, Kaukonëve e Dardanëve. Deri më sot një gjuhë e vetme duket se arrin të na i bëjë të kuptueshëm emrat e këtyre viseve, kjo është gjuha shqipe”, shkruhet në një hyrje të shkurtër të veprës.
Prandaj autori i veprës është i prirë të mbështesë tezën se shqiptarët e ditëve të sotme, janë pasardhësit e popullsive, të cilat përpara mbërritjes së grekëve, zinin viset që shtrihen nga deti Adriatik deri në Halis.
“Duke filluar punën time kam besuar se trajtoj thjesht një çështje gjuhësore dhe etnografike, më duket se kam prekur edhe një çështje të qenësishme madje drithëruese, një çështje kombësie. Dhe çfarë kombësie! Kombësia më e vjetër e kontinentit tonë, së bashku me atë të Baskëve”.
“Evropa me bazat e saj të mëdha diplomatike duket se sot kërkon të formohet si një gjykatë e përhershme e drejtësisë ndërkombëtare. Është momenti për të sakatosurit e historisë, për të harruarit e familjes së madhe evropiane, për të bërë të ditura ankesat e tyre, për të vlerësuar meritat e tyre në interes dhe madje për mirënjohje të popujve të qytetëruar”.
“Pavarësisht rezistencës historike të Skënderbeut, gjysmëhëna turke krijoi një hendek të thellë midis fiseve shqiptare. Sot një numër i madhe i tyre janë myslimanë. Gjithsesi, admirojeni forcën e gjakut të fisit, që triumfon edhe mbi urrejtjen fetare dhe jep mësime tolerance. Këta shqiptarë të ngratë derdhën gjakun e tyre, gjakun më të kulluar për çlirimin e Greqisë! Të paktën t’u jepet shpresë”, shkruan Louis Benloew, më 19 mars 1877-ës. /panorama/telegrafi/