Skandal me flamurin shqiptar në Maqedoni të Veriut, ambasadori Meidani: Diplomacia nuk është një reality show
Ambasadori shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani ka reaguar pas incidentit të rëndë, ku një polic hoqi flamurin shqiptar të vendosur për festat e nëntorit dhe e hodhi atë në tokë.
Në një postim në ‘Faecbook’, ambasadori shqiptar thotë se janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet dhe se po veprohet në përputhje me praktikën diplomatike.
Meidani shton se “diplomacia nuk është një reality show”.
“Po ndjekim me vëmendje situatën, jemi në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse, gjithë faktorin politik shqiptar dhe partnerët tanë. Ju siguroj që po veprojmë në përputhje me praktikën diplomatike.
Diplomacia nuk është një reality show, marrëdhëniet mes shteteve nuk ndërtohen mbi emocionet e individëve, çështjet shkojnë përtej asaj që duket. Qetësia dhe maturiteti mbeten udhërrëfyesit tanë”, shkruan ambasadori shqiptar në Maqedoninë e Veriut.