Misteri i vrasjes së Qemal Stafës, rrëfimi i mbesës: Vetëm xhaxhai im u vra, të tjerët shpëtuan të gjithë!
Këtë 29 nëntor, në 80-vjetorin e çlirimit, Narcis Stafën e gjejmë në Varrezat e Dëshmorëve, duke nderuar xhaxhanë e saj, Qemal Stafën, një nga dëshmorët e parë të luftës Antifashiste. Madje si homazh për këtë datë, vëllai i heroit të popullit vendosi të kurorëzonte dashurinë me bashkëshorten në 29 nëntor dhe këtë e zbulon për herë të parë vajza e tij.
“Edhe lidhja martesore e tim ati me mamanë time shënon datën 29 nëntor si shenjë e çlirimit të vendit nga pushtimi fashist. Me këtë dua të tregoj sa e shenjtë ishte data e çlirimit për familjen Stafa, edhe pse xhaxhai ishte vrarë dhe nuk arriti ta festonte dot këtë datë“, tha ajo.
Mbesa e Qemal Stafës shprehet se është rritur me figurën e një idealisti, me aftësi të mëdha intelektuale, por dhe me një botë të madhe artistike.
“Ishte një revolucionar që e mori vdekjen si të vinte, nuk ndali së krijuari celula antifashiste nga veriu në jug, i takon merita e kësaj lufte, bashkë me të gjithë heronjtë e tjerë. Sepse pas Qemalit, u vranë edhe shokët e tij, Vojo Kushi, Vasil Shanto, Margarita Tutulani dhe sa e sa heronj të tjerë“, u shpreh ajo.
Për Top Channel, Narcis Stafa kujton dëshmitë për vrasjen e Qemal Stafës në 5 maj 1942, kur në rrethana misterioze u zbulua baza ku qëndronte ilegalisht.
“Mbaj mend nga im atë, nga shokët e xhaxhait dhe dëshmitarët okularë që të gjithë shokët që ishin në bazë shpëtuan. Një fshatar i asaj zone i kërkoi të ndërronin rrobat për të shpëtuar jetën, por ai nuk pranoi. Im atë nuk e hapi kurrë këtë temë që vëllai i tij ishte i vetmi që u vra, por me një brengë që shokët nuk duhet ta linin në baltë, por të luftonin krah tij.
Ditën që u vra Qemali, një grup karabinierësh e ndalojnë dhe e çojnë në morgun e Tiranës. I thonë ky është vëllai juaj? Ai pa një trup të masakruar, të bërë shosh nga plumbat. Nga ajo situatë, fashizmi e internoi nga frika se do të bashkohej me shokët e Qemalit“, tregon ajo.
Por, figura e Qemal Stafës është anatemuar vazhdimisht pas viteve ’90, madje jo pak herë është konsideruar fashist. Për zonjën Stafa, është tentuar të baltoset kontributi në një nga luftrat më të rëndësishme në historinë e vendit.
“Ky është një paradoks për familjen tonë. Edhe student filloi të lidhej me grupet e studentëve antifashistë italianë dhe si mund të jetë ai bashkëpunëtor me fashizmin. Nuk ishte faji i rinisë shqiptare antifashiste që u vendos në anën e duhur të historisë. Xhaxhai im nuk ishte vetëm eksponent i rezistencës antifashiste, por ai donte dhe bashkimin e trojeve shqiptare, donte bashkimin e Shqipërisë me Kosovës. Me gjithë këto ide përparimtare, si mund t’i vesh këto epitete që për familjen tonë është e dhimbshme”, u shpreh ajo në një intervistë për TCH.