Historia e panjohur e shqiptarëve në Turqi/ Shqiptarët dhe kontradiktat e shtetndërtimit turk

Në librin e tij, “Brigje të pikëlluara: Historia e panjohur e shqiptarëve në Turqi dhe fundi i Perandorisë Osmane, 1912- 1923), Ryan Gingeras është besnik i fakteve dëshpëruese të shqiptarëve, mes vuajtjes e vështirësive të njëpasnjëshme të popullit të vogël në Ballkan.

Bijë plangprishës e të padëshiruar: Shqiptarët dhe kontradiktat e shtetndërtimit turk

Në fillim të gushtit 1923, Ministria e Brendshme turke mori njoftime sipas të cilave 1200 shqiptarë ishin mbledhur në kryeqytetin e Bullgarisë, Sofje, dhe kërkonin të hynin në Republikën turke. Ata vinin kryesisht nga Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve dhe jetonin në një gjendje “mjerimi dhe vuajtjesh”, ndërkohë që prisnin të kalonin në Thrakë. Eventualisht ata u kthyen mbrapsht, ndonëse Ministria turke u kërkoi zyrtarëve bullgarë që të kujdeseshin për mirëqenien e tyre.

Oficeri që raportonte rreth rastit të shqiptarëve që kalonin kufirin nga Bullgaria, shtonte një vërejtje interesante, kur bënte fjalë për refuzimin e shtetit turk të lejes për hyrjen e këtyre refugjatëve. Ai deklaronte troç se një numër i madh shqiptarësh po emigronin nga Shqipëria dhe Jugosllavia, dhe se atyre në fillim u qe ndaluar prerazi të vendoseshin në Stamboll, Bursë dhe Izmir. E, megjithatë, me kalimin e kohës, shteti kishte hasur në vështirësi për t’i sistemuar në mënyrë permanente këta refugjatë shqiptarë në destinacionet e caktuara ose t’ua ndalonte atyre të kërkonin vendbanim në zonat dikur të ndaluara për ta. Për këtë arsye, deklaronte ai, Asambleja Kombëtare kishte vendosur të ndalonte hyrjen e çdo shqiptari me pasaportë shqiptare ose serbe në Republikën e Turqisë. Ndërkohë që duhej të krijohej hapësirë për “katërqind mijë myslimanët dhe turqit” që mbërrinin nga “Rumelia”, një fjalë osmane kjo për krejt Ballkanin e Jugut.

Punët do të shkonin keq e më keq pas nënshkrimit të Traktatit të Lozanës, çka rezultoi me ardhjen e gjysmë milioni myslimanëve nga Greqia. Shpesh ajo çka nuk vihet re në këtë periudhë është emigracioni i vazhdueshëm i myslimanëve nga vise të tjera të Ballkanit Jugor, veçanërisht nga Jugosllavia dhe Bullgaria. Çështja kryesore me të cilën përballej administrata e re turke nuk ishte thjesht dhe vetëm se si të zgjidhej kriza e atypëratyshme e refugjatëve, por në çfarë termash do të priteshin valët e emigrantëve të së tashmes dhe të së ardhmes. Me krijimin e sistemit republikan të emigracionit dhe sistemimit, shqiptarët si grup do të veçoheshin edhe një herë si të padëshirueshëm.

Pozita e Ankarasë në raport me emigrantët dhe të shpërngulurit shqiptarë u mor në shqyrtim së pari në fund të dhjetorit 1922, pak më shumë se një muaj pas nxjerrjes jashtë ligjit të sulltanatit. Përgjatë muajve dhe viteve në vazhdim, politikëbërësit identifikuan pesë segmente potencialë të popullatës shqiptare në Anadoll me të cilët duhej marrë si tani ashtu edhe në të ardhmen:

  • – Shqiptarët që ishin vendosur në Anadoll përpara vitit 1918 dhe qenë shpërngulur nga luftimet e kryera midis ushtrisë greke dhe forcave të Mustafa Kemalit.
  • – Shqiptarët që ishin vendosur në Anadoll para vitit 1918, por që qenë zhvendosur ilegalisht në zona ku ata nuk konsideroheshin të pranueshëm.
  • – Shqiptarët që jetonin në Anadoll dhe që kishin mbetur të pakataloguar ose të pasistemuar përgjatë Luftës së Parë Botërore dhe Luftës për Pavarësi.
  • – Ata shqiptarë që kërkonin të emigronin në Turqi, në kuadër të shkëmbimit të popullsisë me Greqinë.
  • – Ata shqiptarë që vazhdonin të emigronin nga Jugosllavia, Shqipëria dhe vende të tjera në Anadoll.

Marmaraja e Jugut, që dikur konsiderohej një zonë e rezervuar, për shkak të afërsisë me kryeqytetin osman, tashmë e kishte humbur statusin e saj si një zonë jetike për sigurinë e shtetit, çka tashmë u mundësoi shqiptarëve të cilëve s’u zinin besë të përfitonin një liri të re lëvizjeje në rajon. Ky ndryshim i marrëdhënies midis shqiptarëve dhe Marmarasë së Jugut, si rajon flet se tashmë qasja e shtetit ndaj shqiptarëve kishte një vizionin më të gjerë me anë të të cilit shteti iu qasej teksa kërkonte t’i integronte ata në shoqërinë republikane.

Më 21 dhjetor 1922, Ministria e Shëndetësisë në Ankara u nisi një qarkore mjaft të çuditshme të gjitha provincave që tanimë ishin bërë pjesë e Republikës Turke. Në të u kërkohej guvernatorëve të rajoneve të përcaktonin numrin dhe vendndodhjen e burrave dhe grave shqiptare që ndodheshin në provincën e tyre, si dhe “numrin e emigrantëve të po atij viti”, duke iu referuar me gjasë refugjatëve myslimanë që pritej të vinin nga Greqia.

Autoritetet greke vijuan me deportimin e mijëra myslimanëve nga Çamëria, së bashku me dhjetëra mijëra të tjerë nga Larisa, Langada, Drama, Vodina, Serez, Edesa, Florina, Kilkis, Kavalla dhe Selaniku. Në harkun midis viteve 1923 dhe 1930, hyrja e këtyre refugjatëve në Turqi do të ndryshonte në mënyrë dramatike peizazhin e Anadollit. Nga viti 1927 zyrtarët turq kishin sistemuar 32,315 persona të ardhur nga Greqia vetëm në provincën e Bursës.

 

Në analizën finale të kryer prej tij rreth shkëmbimit të popullsisë me Greqinë, Riza Nuri nuk qe plotësisht i kënaqur me rezultatet e gjetura. Veprimtar politik, që i kishte formuar kredencialet në rrethet turke para Luftës së Parë Botërore, Riza Nuri ishte ndër përkrahësit më të zjarrtë të Mustafa Kemalit (por dhe nga kritikët e tij), si dhe kishte shërbyer në qeveritë nacionaliste gjatë Luftës për Pavarësi. Si ministër i Shëndetësisë gjatë pjesës më të madhe të vitit 1923, ai kishte ndihmuar në përpjekjet e Ankarasë për të numëruar dhe risistemuar shqiptarët. Në vitin 1929 ai nxori nga shtypi autobiografinë e tij shumëvëllimshe në të cilën shprehej me tërbim kundër shqiptarëve, çerkezëve dhe të “huajve të tjerë”, të cilët me nocionet e tyre rivale ndaj nacionalizmit rrezikonin shtetin. Sipas Nurit, shkëmbimi i popullsisë kishte pasur një efekt të kundërt prej asaj çka synohej në fillim, meqenëse mijëra shqiptarë kërkuan strehë në Anadoll nën pretendimin e të qenit “turq”.

Duke folur për pjesëmarrjen e tij në negociatat e Traktatit të Lozanës, Riza Nuri shprehet kësisoj rreth prospektit për mbërritjen e emigrantëve nga rrethet e Janinës: “Nga rajone si Janina unë nuk dua që shqiptarët të vijnë tek ne në këmbim. Këta tipa kanë qenë ndër banditët dhe tiranë në shtetin tonë, si dhe kanë vrarë dhe plaçkitur fshatrat tona. Madje, kjo ka ndodhur edhe në periudha më të vona… për këtë arsye vendosëm klauzolën ‘ata që do të këmbehen janë qytetarë turq, myslimanë dhe grekë’”.

I befasuar dhe me mllef, ai do të zbulonte se ndër refugjatët që qenë vendosur në Ankara dhe në “tokat më të mira në Turqi” pranë Kartalit, Pendikut dhe Erenköyt në perëndim të Izmitit, qenë dhe shqiptarë. Përveç dyfaqësisë të shqiptarëve të Janinës (të cilët pretendonin se qenë turq dhe besimtarë), Nuri e hodhi fajin mbi Mustafa Abdulhalikun (Renda), një ish-ministër nacionalist i cili tani qe bërë guvernator i Izmirit. Nuri e akuzoi këtë vendali të Janinës që jo vetëm ishte marrë vesh me shqiptarët, për të cilët qenë vendosur kufizime, por gjithashtu lidhur me përpjekjen e tij për t’i rivendosur dhe tërhequr shqiptarët në Turqi dhe në qytetin e Izmirit. Sipas kontakteve të tij në xhandarmëri dhe zyrat e tjera lokale ne Bursë, Eskisehir, Konya dhe gjetkë, ai deklaronte se shqiptarët nga të katër anët e Anadollit kishin marrë rrugët në mënyrë ilegale, duke braktisur vendet e përcaktuara për t’u sistemuar dhe për të gjetur rrugën që të shpinte në Izmir. Një telegram sekret nga Departamenti i Policisë së Izmirit jo më kot pohonte se “të gjithë shqiptarët që gjenden në Turqi po mblidhen këtu. Kështu do ta bëjnë këtë vend Shqipëri”. Sipas Riza Nurit, e gjithë kjo ishte punë e Abülhalikut, i cili enkas po kërkonte të tërhiqte të gjithë bashkatdhetarët e tij.

Nga më shumë se 115 mijë shtetas jugosllavë që kaluan kufirin turk nga viti 1923 deri më 1939, si burimet turke ashtu dhe ato jugosllave na thonë se shumica qenë shqiptarë.

Arsyeja e kësaj vale të re emigrantësh nga Jugosllavia në periudhën midis luftërave ishte rezultat i drejtpërdrejtë i politikave shtetërore jugosllave që synonin të godisnin dhe të shpronësonin popullsinë myslimane. Në qendër të luftës së Beogradit kundër myslimanëve të mbetur në Jugosllavi ishte rajoni i Serbisë së jugut, një hapësirë që përmblidhte segmente të ish-territoreve osmane të Yeni Pazarit (Pazari i Ri ose Sanxhak), Kosova, Uskup (Shkupi) dhe Manastiri.

Ky presion i ushtruar mbi myslimanët në Serbinë e jugut u përforcua nga një prani aktive e ushtrisë jugosllave dhe e trupave paraushtarake në rajon. Përleshje të armatosura midis grupeve lokale të rezistencës dhe ushtrisë e njësive të xhandarmërisë do të zhvilloheshin përgjatë gjithë Luftës së Parë Botërore dhe viteve të para të Mbretërisë Jugosllave. Kjo lëvizje, rezistence e zhvilluar kryesisht nga shqiptarë të zonave fshatare, u bë e njohur kolektivisht me emrin kaçak, ose në turqisht të arratisurit. Shumica e udhëheqësve të saj, si Bajram Curri, Azem Bejta dhe Hasan Prishtina ishin ish-oficerë osmanë dhe njerëz nga paria që i kishin bërë ballë sundimit osman kohë më parë. Të organizuar në banda të vogla lokale, kaçakët ndërmorën sulme mbi ushtrinë jugosllave dhe xhandarmërinë përgjatë gjithë viteve përpara 1920-ës, duke goditur objektiva në Gostivar, Gjilan, Tetovë, Kërçovë, Kumanovë, Pejë, Prilep, Prishtinë, Pazarit të Ri dhe Shkup. Sipas statistikave të mbledhura nga Komiteti për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës, një organizatë e udhëhequr nga nacionalistët shqiptarë që mbështesnin lëvizjen e kaçakëve, aty nga viti 1921, si rrjedhojë e dhunës së ushtruar, u vranë 12,371 njerëz, ndërsa 22,110 të tjerë u burgosën.

“Problemi shqiptar” në Kosovë dhe Maqedoni kishte qenë në zemër të dëshirave të nacionalistëve serbë qysh nga fundi i shekullit XIX, çka në sytë e tyre përfaqësonte kancerin që duhej të shkulej para se atdheu serb të bëhej i tyre plotësisht. Vasa Çubriloviq, një studiues serb dhe njëri prej arkitektëve të politikës jugosllave në Serbinë e jugut, do të shprehej kësisoj:

“Shqiptarët nuk mund të zmbrapsen vetëm me mjete të kolonizimit gradual. Ata janë i vetmi popull që përgjatë mileniumit të fundit ia dolën mbanë jo vetëm t’i bëjnë ballë bërthamës së shtetit tonë, Rashka dhe Zeta, por gjithashtu të na dëmtojnë duke i shtyrë kufijtë tanë etnikë në drejtim të veriut dhe të lindjes… E vetmja mënyrë dhe të vetmet mjete për tu marrë me ta është përdorimi i forcës brutale nga ana e një shteti të organizuar… Është faji ynë që qysh nga viti 1912 nuk kemi qenë të suksesshëm në larjen e hesapeve me ta – nuk kemi zbatuar me energji autoritetin tonë. Nuk kemi pasur sukses t’i asimilojmë. Në qoftë se nuk i lajmë hesapet me ta në kohën e duhur, brenda njëzet apo tridhjetë vjetësh do të na duhet të përballemi me një irredentizëm të tmerrshëm, shenjat e të cilit janë të dukshme që tani. Pa asnjë dyshim ata do të kërcënojnë krejt territoret tona të jugut”.

Scroll to Top