Philadelphia/ Inaugurohet “Shtëpia e Shqiptarit”, gjuha shqipe tashmë me një tjetër strehë
Në Philadelphia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u inaugurua qendra social-kulturore e organizatës “Bijtë e Shqipes”. Kjo ndërtesë historike disa shekullore, ish-pronë e familjes së William Penn, tashmë i takon dhe është pronë e komunitetit shqiptar. Me donacione tërësisht nga vetë shqiptarët që jetojnë në Philadelphia u arrit blerja e kësaj ndërtese si dhe meremetimi i saj. Eventi u moderua nga gazetari Dëfrim Methasani.
Shtëpia e shqiptarit, siç edhe vendasit preferojnë ta quajnë, do të shërbejë për strehën e re të shkollës shqipe “Gjuha jonë”, një sipërmarrje e kësaj shoqate që prej vitit 2004.
Në inaugurimin e kësaj ndërtese morën pjesë si të ftuar nderi: Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në SHBA z.Ervin Bushati; Përfaqësuesi i Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zyrës së Senatorit Bob Casey, Ethan Selentsky; Senatori i Shtetit të Pensilvalnisë, Jimmy Dillon; Këshilltari i qytetit të Filadelfias Michael Driscoll.
Nga vetë përfaqësuesi i qytetit u komunikua dhe lajmi i riemërtimit të rrugës pranë kësaj godine nën emrin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbe.
Kjo ndërtesë do të ofrojë ambiente të veçanta për bibliotekë, muze si dhe mjedise të tjera sociale për vetë jetën e kësaj organizate.