Provokimi i Vuçiç: Serbët u ngritën sot si Adem Jashari në Drenicë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç e orientoi të gjithë deklaratën e tij për shtyp se ngjarjet në veri të Kosovës ishin një rebelim i serbëve ndaj shtypjes së qeverisë së Albin Kurtit. Këtë të fundit ai e bëri përgjegjës për të gjitha. Gjatë gjithë kohës, Vuçiç pretendoi se kishte ndodhur një “sulm brutal ndaj serbëve” të cilët sipas tij kërkojnë të drejtat e tyre. Madje, Vuçiç bëri edhe një krahasim me masakrën e serbëve në familjen Jashari në Drenicë.

“Kur ka ndodhur një konflikt i tillë në Maqedoni janë bërë biseda dhe marrëveshje, ndërsa sot u kanë shqiptarëve thënë “vritni të gjithë”. Kur Serbia ka shkuar në Drenicë që të konfrontohet me ata që kanë dashur të shkëputën nga shteti i njohur ndërkombëtarisht, ata (ndërkombëtarët) thanë se kanë qenë luftëtarë për liri në krye me Adem Jasharin dhe jo terroristë. Vetëm Serbia si duket është terroriste” – ka deklaruar Vuçiç.

Vuçiç sulmoi edhe mediat e Kosovës për raportime të gënjeshtërta. Kjo sepse sipas Vuçiç, mediat shqiptare thanë se bëhet fjalë për “grupe të financuara e organizuara nga Serbia ose Rusia”, kurse sipas tij, në fakt bëhet fjalë për serbë lokalë të revoltuar. Madje Vuçiç pretendon se këta serbë ranë pre e provokimeve të Kurtit.

“Serbët dhe jo njerëzit nga Serbia qendrore, siç gënjyen në mediat e Prishtinës, por nga Kosova u rebeluan, duke mos dashur të vuajnë më terrorin e Kurtit. Unë, në asnjë mënyrë, nuk dua ta justifikoj vrasjen e një polici shqiptar dhe as nuk mund ta justifikoj. Është një akt i dënueshëm dhe është diçka që nuk i duhej askujt”, – tha presidenti serb.

Ai u shpreh se themelimi i Asociacionit dhe kthimi i serbëve në policinë e veriut të vendit, do të ishte mënyra e vetme për të mos pasur telashe. Ai tha se Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, dëshiron ta fusë Serbinë në luftë me NATO-n.

“Kurti nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin e Komunave Serbe. Gjatë tërë kohës provokon. Më vjen keq që disa nga serbët ranë në këtë provokim. I vetmi fajtor është Albin Kurti. Ai dëshiron të na fus në luftë me NATO-n. Këtë e bën gjatë gjithë kohës. Ne vendimet do t’i marrim me kujdes, në mënyrë të detajuar.

Do t’i punojmë me themel, dhe me to do të dalim para qytetarëve tanë në Kosovë, në ditët që do të vijnë. E thërras komunitetin ndërkombëtar, që Asociacioni të formohet, që në veri të Kosovës, policët të jenë nga komuniteti serb, kjo është mënyra e vetme për të mos pasur më telashe. E thërrasim popullin tonë, për qetësi dhe i lusim të besojnë në shtetin e tyre” – ka thënë Vuçiç. ©LAPSI.al

Scroll to Top