KosovaPress: Shkon në gjashtë numri i terroristëve të vrarë në Manastirin e Banjskës
Gjashtë terroristë serbë janë vrarë deri më tani në Manastirin e Banjskës, ndërsa shumë pajisje ushtarake janë gjetur nga Policia e Kosovës, sipas burimeve të KosovaPress.
Mësohet se Policia ka marrë një nga objektet brenda Manastirit.
Sot, në orët e para të mëngjesit, ka mbetur i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku ndërsa polici tjetër Alban Rashiti u plagos.
Policia e Kosovës njofton se ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:34 në veri të Mitrovicës, ku njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vënë re se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion, pa targa.
Efektivët janë nisur në drejtim të vendngjarjes dhe sapo kanë mbërritur në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, kanë hasur në rezistencë dhe janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore. Armët kapën tre policë.
Njësitë policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.
Zyrtarët policorë të plagosur janë tërhequr nga vendngjarja dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Jugu, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar, sipas mjekëve janë jashtë rrezikut.
Top Channel