Zbulime arkeologjike të reja në Antigone/ Misioni shqiptaro-italian identifikon katër faza banimi përreth zonës së Agorasë
Misioni shqiptaro- italian synon të sqarojë dy momente themelore nga pikëpamja kronologjike, banesat dhe stili i jetës gjatë periudhës helenistike dhe lidhja e kësaj periudhe me ndërtimet dhe jetën pararendëse në Antigone.
“Është një projekt që planifikohet të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. Rezultatet janë të kënaqshme. Jemi fokusuar kryesisht në topografinë e qytetit, urbanistikën dhe kemi kryer gërmime të cilat kanë nxjerrë në dritë dy banesa të reja të panjohura më parë. Kemi identifikuar tre e ndoshta katër faza banimi. Kjo ekspeditë shërben edhe si një trajnim për studentët shqiptarë dhe italianë, pra është një bazë për përgatitjen e brezave të ardhshëm. Puna jonë në terren ka ndikuar në shtimin e monumenteve dhe kjo ngjall interesin e banorëve lokalë dhe turistëve që vijnë në Antigone”, thotë Sabrina Veseli, bashkëdrejtuese e misionit.
Profesor Perna nga universiteti i Macheratës flet për qëllimet komplekse të kësaj ekspedite që nga topografia e qytetit antik, raporti i ndërtimeve me territorin dhe fazat e ndryshme të jetës që ishin pak të njohura deri tani.
80-90 struktura të reja i shtoi hartës topografike ky mision si edhe disa periudha të panjohura të jetës duke nisur nga shek V-IV pk.
“Po përfundojmë fazën e katërt të gërmimeve në Antigone së bashku me kolegët shqiptarë. Është një ekspeditë shumë e rëndësishme që po ju jep përgjigje disa pyetjeve të projektuara më parë. Gërmimi nuk synon thjesht strukturën e banesave por tani po zbulojmë Antigonenë para se të ndërtohej Antigonea, pra çfarë kishte këtu para se Pirro të vendoste të ndërtonte këtë qytet të bukur dhe ortogonal dhe të organizuar siç e shohim sot. Dhe në fakt kemi evidentuar faza të jetës para kësaj periudhe që tani do të duhet të eksplorohen më tej. Gjithashtu po punojmë në agora për të kuptuar si ishte e organizuar agoraja, cilat ishin godinat që e rrethonin si dhe kronologjinë historike të tyre. Po konkludojmë kështu mbi një panoramë të re topografike të qytetit duke evidentuar gati 80-90 struktura arkeologjike të panjohura më parë”, thotë Roberto Perna.
Gërmimet deri tani kanë siguruar gjetje me vlerë të periudhës para helenistike ndërsa misioni do të kryejë sondazhe vitet në vijim në funksion të kërkimit të tempujve, sheshit qendror dhe teatrit.