SKANDAL! Kampionit të botës s’i japin shpërblimet, peshëngritësi Kofsha: Ministria s’ka fonde, po demoralizohem

6 muaj pasi u shpall kampion bote për të rinjtë në peshëngritje Ertjan Kofsha nuk ka marrë asnjë shpërblim. Për Report TV 19-vjeçari thotë se ministria e Arsimit dhe Sportit i ka ofruar ta shlyejë me këste sepse ka mungesë fondesh

“Në nëntor u zhvillua kampionati Botëror për moshat U-20 ku u rendita në vendin e parë në shkëputje, në vendin e gjashtë në shtytje dhe i katërti në dy garësh,”-thotë Ertjan Kofsha, peshëngritësi shqiptar.

Rezultati historik dhe mbreslënës i Ertjan Kofshës, edhe pse ka kaluar 6 muaj, ka mbetur pa u shpërblyer. Sipas ligjit, 3 muaj pas analizave anti-doping që janë zhvilluar po në nëntor, 19-vjeçari duhet të kishte në llogarinë e tij shumën e 3.8 milion lekëve të reja, por ende sot e kësaj dite nuk ka ndodhur. Në shkresën e ardhur nga ministria e Arsimit dhe Sporteve, siç Ertjani tregon për Report TV, thuhet se shpërblimi do bëhet me këste dhe se fillimisht do marrë vetëm 28% të asaj që i takon.

“Ministria më ka çuar vetëm 10% të kësaj vlere, që do kalojë pas disa ditësh. Më takonin të gjitha lekët që këtë vit. Këstin tjetër I bie ta marr vitin tjetër. Më kanë thënë se ka mungesë fondesh,”-deklaroi 19-vjeçari.

“Ne e bëjmë të madhe sepse na dhemb shpirti. Ky sportist del kampion bote po ka shpenzime. Janë shumë të mëdha. Ne presim tani 2025 të marrim këstin e parë, të dytin të tretin e me radhë. Po këto gara që kam unë radhazi? Kur do i marrim ne?! Çfarë është ministria e Sporteve Bena? Gjallica? (firma piramidale) që na i japin ne paratë kështu?!”-tha Leonard Toska, trajner i Ertjan Kofshës.

Ertjan Kofsha konsiderohet si e ardhmja e peshëngritjes shqiptare dhe deri më tani rezultatet kanë qenë mbi pritshmëritë. Por një i ri shumë i talentuar dhe që punon me dy seanca në ditë stërvitje, rrëfen se ndjehet i demoralizuar.

“Unë pres garat e radhës që është kampionati botëror në Spanjë, kampionati Europian në Poloni dhe Botërori i të rriturve në Arabinë Saudite. Unë në këto gara pres të marr akoma rezultate më të mira dhe më shumë shpërblime. Sipas ministrisë unë i bie që këto para ti marr në 2030 ose 2035. E ke menduar të përfaqësosh një shtet tjetër? Deri më tani nuk e kam menduar, por me këto padrejtësi që bëhen këtu lë shumë për të dëshiruar,”-deklaroi peshëngritësi Ertjan Kofsha

Si sportisti dhe trajneri ndër të tjera pohojnë se gjatë kësaj periudhe është federata e peshëngritjës ajo që u ka ardhur në ndihmë, pasi stërvitje kërkon shumë shpenzime. Për këtë situatë, Report TV u interesua pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, por nuk mori përgjigjje. /Shqiptarja.com

Scroll to Top