“Atë darkë nuk arritëm me ngrënë”, emocionon Besarta Jashari gjatë fjalimit në akademinë kushtuar Epopesë së UÇK-së
Besarta Jashari, vajza e Hamzë Jasharit, në akademinë përkujtimore për 26-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka rrëfyer përvojën e saj nga sulmet e ushtrisë serbe.
Vajza e Hamzë Jasharit, tha se darkën e fundit si familje e patën më 6 mars të vitit 1998.
“6 mars 1998 si sot, nëna Feridja e nxori bukën nga furra dhe filloi të na ndante të gjithëve nga një copë, mbaj mend se shumica ishin gjallë dhe ishte hera e fundit që hëngrëm darkë në atë shtëpi. Në atë darkë nuk e di si kemi ngrënë, nuk e di çka kemi folur, apo kemi folur gjatë”.
Më tutje ajo ka treguar në detaje se si armiku i ka sulmuar.
“7 mars të vitit 1998, nga baba Shaban dhe babushi nuk kishim informacion, por këngën e babushit nuk e dëgjoja më, dikur edhe bali Adem u vra. Tankat e armikut u afruan shtëpisë, predhat shpërthyen muret e dhomës ku ishim, duke lënë të plagosur Hidajetin, Kushtrimin dhe Blerinën ndërsa unë nuk kisha asnjë plagë, të gjithë të tjetër mbetëm të vdekur. U ktheva nga hyrja e shtëpisë, kur mbërrita te Hidajeti dhe Blerina nuk e gjeta Kushtrimin, i cili ishte vrarë duke luftuar pas meje. Blerina më kërkoi ujë, në momentin që u ngrita t’i marrë ujë, armiqtë kishin filluar të gjuanin bomba dore, duke vrarë edhe Hidajetin dhe Blerinën”, u shpreh ajo.
Mes tjerash ajo ka treguar para publikut se çfarë pyetje i kanë bërë ushtarët serb.
“Pasi më morën nga shtëpia ata flisnin unë nuk i kuptoja, derisa erdhi një ushtar armik që dinte shqip, ata më pyetën: ‘Ku janë Ademi dhe Hamza?’. Sot e di si do të duhej përgjigjur Ademi e Hamza janë dhe do të mbeten në zemrat e gjithë shqiptarëve”, ka thënë Besarta.