Im atë, Roland Trebicka – Rrëfimi i vajzës së aktorit të njohur: Ai tallej me vdekjen, e përbuzte dhe qeshte mbi të
Nga Alda Bardhyli
Evis nuk do ta pranojë asnjëherë ikjen e tij. Ajo vazhdon të besojë se ai do të jetë gjithnjë diku, në një formë a në një tjetër,duke i folur me gjuhën e shenjave sa herë ajo ka nevojë. Më 17 janar Roland Trebicka, një prej personazheve që i ka dhënë aq shumë teatrit shqiptar kishte ditëlindjen. Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” e kujtoi përmes postimit të një fotoje të aktorit në Facebook. Kjo ishte shenja e vetme e përkujtimit të një përvjetori të një prej aktorëve më të mirë të komedisë. Asnjë shfaqje në nderim të kujtimit të tij apo një homazh ndryshe organizuar nga Teatri Kombëtar, në skenën e së cilit, ai nuk donte të largohej edhe pse i sëmurë.
Ky përvjetor i lindjes së Roland Trebickës tregoi se sa keq sillemi me kujtesën dhe sesi reshtim së duatrokituri kur artistët nuk janë më. Në historinë e teatrit shqiptar emri i Roland Trebickës do të kujtohet gjithnjë jo vetëm për kontributin që solli dhe karakteret e spikatura që krijoi me intepretimet e tij, por dhe si aktori që e çoi në një tjetër stad teatrin e komedisë. Eshtë vajza e tij Evis, e cila vjen në këtë përvjetor, në një rrëfim mbi jetën me të…
Kujtimet e para për babain tuaj ku të çojnë? –
Kujtimet me tim atë më çojnë në vitet e fëmijërisë së hershme dhe më “ulin” në prehrin e tij, kur dëgoja përrallëzën me Hënën që quhej Evis, e shumë kohë më pas kjo Hënë u quajt Pati, si ime bijë.
Fëmijëria në familjen tuaj, si e kujton kohën me të?.
Ishte shumë e bukur. Im atë ishte vëllai i munguar për time motër dhe mua, ai ishte nje mik lojrash dhe shakash pa fund, njeriu më i kujdesshëm dhe më i dhimbsur që kam hasur në jetë. Ai nuk diti kurrë të luajë në jetën tonë rolin e babait autoritar, kurrë nuk ia lejoi vetes të mos ishte i pranishëm në jetën tonë ,kurrë nuk ia lejoi vetes të kishim frikë prej tij. Ai ishte një njeri i besuar dhe dëgjues i mirë, një këshilltar i vlefshëm. Ishte heroi im.
E kujton momentin kur kuptove se babai yt nuk ishte si të tjerët, por ishte një artist?
Po! Kemi dy episode mjaft interesante ime motër dhe unë me këtë pjesë, kur respektivisht ishim ndoshta më pak se 5 vjeç. Dikur në provat gjenerale, pra premierës, familjarët ishin të pranishëm në sallë, e sigurisht ime më e merr Manjolën për të parë provën gjenerale të dramës “Familja e peshkatarit”. Çfarë të qarash u dëgjuan në sallë kur Petritin që e luante babi e arrestuan… Prova u ndërpre për të qetësuar time motër. Kurse unë e kisha reagimin tim të parë në të njëjtën mënyrë kur kam parë filmin “Koncert në vitin 36”, qaja kur Nesti arrestohej, dhe pse isha e ulur në prehrin e tim eti. Si duket ai këtu mori dhe vendimin e madh të jetës së tij, të mos na shkaktonte kurrë “drama”, por të luante vetëm komedi, sepse për të ne ishim gjithçka.
Shkoje shpesh ta shihje në teatër?
Po, mendoj se nuk kam humbur ndonjë premierë të tij.
Evis, sa ka ndikuar ai në atë çfarë ju jeni sot?
Ai e urrente mosmirënjohjen, dhe ishte personi që na mësoi mua dhe time motër të mos ishim “pjella të mos-it”. Janë këto dy shtylla të forta ku ai na drejtoi të ngrinim personalitetin tonë. I detyrohem shumë.
Pjesa më e madhe e fëmijëve shpesh duan të ndjekin rrugën e prindërve… ka qënë në ëndrrat e tua të ishe aktore?
Mendoj se kurrë nuk ma imponoi dhe nuk bëri as përpjekjen më të vogël që të ndërhynte në konkurs tek miqtë e tij që unë të fitoja në Fakultetin e Artit Skenik.
Si ka qënë jeta në familjen tuaj? Si ishte lidhja e tij me nënën tuaj? Si e kujton?
Ai e adhuronte familjen e tij, e dashuroi shumë i ri time më, e mendoj se ndaj dhe zgjodhi të ikte në duart e saj, i qetë e në paqe. Ata nuk i pashë kurrë larg nga njëri- tjetri. Ata që i njohin, e dinë se pas suksesit të tij, qëndronte gjithmonë ajo. Ne e dinim gjithsecili rolin që kishim në periudhën e provave për premierë dhe mirëkuptonim çdo tension dhe presion që koha ushtronte mbi të.
Le të flasim pak për periudhën e sëmundjes… Si ka qënë për ju ajo periudhë? Si e përballoi Trebicka përballjen me këtë sëmundje? Kishte shpresë?
Mendoja se ai do ish i pavdekshëm, kur festohej ditëlindja e tij në 17 Janar, unë i thoja ti je Highlander, se ke lindur ditën që vdiq Skënderbeu. Diagnozën e sëmundjes ia përktheu ime motër. As nuk dua ta mendoj se si është ndjerë ajo në ato momente, kurse mua ma komunikoi ai vetë. Kujtoj vetëm fjalinë e fundit nga ajo bisedë: “Në një ditë njerëzore, biri, janë mbledhur të gjitha ditët…”.
Ai luftoi gjatë dhe fort me sëmundjen e tij, me gjithë peripecitë e pas operacionit në Francë. Shpesh mendoja se nuk do e shihja më, në atë periudhë tre mujore të qëndrimit të tij në spital, por kur u kthye, më tha: “Evushka, jam kthyer për të parë dhe njëherë syçkat e tua dhe të Patit”.
Ai e përballoi ashtu si vetëm ai kish ditur të përballonte sfidat e jetës së tij. Shpesh më kujtonte një varg: “…dashuria ime, dhe nëse duhet të vdesësh, vdis si burrat, në këmbë!”.
Folët ndonjëherë për vdekjen….
Im atë tallej me vdekjen, e përbuzte dhe qeshte mbi të.
Çfarë do të ishte ikja e tij për ju?
Humba pikat e mia të referencës, humba mikun, vëllanë, humba burrin që çdokush do donte ta kishte… Humba babain që çdo vajzë do dëshironte të kishte.
Sot ai do të ishte 75 vjeç. Cfarë do doje t’i thoje sot nëse ai do të ishte këtu?
O ba’, të dua po aq sa duhet babai, nuk qaj kurrë në varrin tënd, përkundrazi, rri veç dy minuta , as lule as lot. Por çdo ditë e më shumë po të ngjaj. Faleminderit ba’.
Çdo ikje merr me vete dhe pengje… Mendoni se ai mori me vete pengje…?
Pengu i tij më i madh mendoj se janë dy nipërit dhe mbesa që nuk arriti t’i shohë të rritur. Ai e jetoi jetën bukur, fort, i suksesshëm, i rrethuar me dashuri; fali dhe mori shumë dashuri.
Trebicka është një nga personazhet që i ka dhënë më shumë teatrit shqiptar. Si është tani raporti që ky teatër ka ndaj kujtimit të tij?
“Mbreti vdiq”! Por unë nuk po e dëgjoj kundërpërgjigjen. Rroftë mbreti, pasi mendoj se ende nuk ka një mbret të komedisë.