“Durrësi, një nga 7 qytetet më të mëdha të botës antike”
“Im atë më tha: Bëj atë që mundesh për këtë vend! Mos u lodh dhe mos u ep kundër erës shekullore të paditurisë!”
Për Gjergj Frashërin nuk ka qenë e lehtë të shkëputet prej emrit dhe peshës së rëndë të të atit, Kristo Frashërit. Këto fjalë kanë qenë moto e jetës, drejt rrugës së mundimshme të afirmimit nën një tjetër profil, atij të arkeologut, gjithmonë nën këshillat dhe mësimet e tij.
Me dy dekada si specialist i Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë, e dy të tjera në Gjermani në krye të institucionit të tij privat arkeologjik, Frashëri ka trashëguar nga babai dashurinë për historinë.
Një jetë kushtuar arkeologjisë dhe ekspeditave të shumta për të nxjerrë nga rrënojat lashtësinë shqiptare, sepse ishte dëshira e tij që të dilte nga mundimi i një shqiptari, një dëshmi e historisë së Durrësit ilir.
Janë rrëfimet dhe kujtimet e të atit në vegjëli për betejat në Portin e Dyrrahut mes Çezarit dhe Pompeut që e shtyjnë vazhdimisht t’i kthehet historisë antike e mesjetare të Durrësit, duke nxjerrë në dritë e pasqyruar krejt pasurinë arkeologjike të qytetit, me foto e hulumtime shkencore të patrajtuara e të panjohura gjer më sot, sepse njohja zgjon përherë detyrimin dhe përkujdesjen për ruajtje.
“Jam më tepër i trishtuar që këtë qytet, që është një nga shtatë qytetet më të mëdha të botës (në lashtësi), nga të gjitha pikëpamjet, ne shqiptarët nuk e dimë dhe nuk duam ta vlerësojmë e ta nxjerrim në dritë dhe nuk punojmë për këtë.
Por, përkundrazi dhe kjo më trishton më shumë, është një vijë e gjatë, e cila po punon për dëmtimin e saj dhe vetë pushteti dhe shteti janë bërë bashkë për këtë, sepse nuk është e mundur që në Durrës të shkatërrohen vlera, si në pjesën e Velierës, që është hyrja e qytetit të Durrësit, të shkatërrohet me një përkujdesje nga institucionet e vendit, si Instituti Arkeologjik dhe Ministria e Kulturës.
Bëhen ata njerëzit që marrin thikën për ta shkatërruar. Nuk është puna se po hiqet një dhemb, këtu po hiqet dora që e varrosin fizionominë e një qyteti, që duhet të ishte mburrja jonë”, thotë Gjergji Frashëri.
Arkeologu thotë se Dyrrahun, këtë monument të madh të Ilirisë dhe shqiptarëve nuk e kemi lënë të flasë për të treguar thesaret e historisë së tij të vërtetë, si ndërlidhes dymijëvjeçar mes Romës dhe Kostandinopojës.
“Dyrrahu Ilir”, të cilit i ka kushtuar edhe veprën e fundit shkencore, një botim voluminoz në gjermanisht për lagjen e famshme të zejtarëve, në vendin e quajtur “Lulishtja 1 maji”, e që sot është betonuar përfundimisht me një pallat, është pjesa e parë e një punimi jete për Epidamnin, një nga qytetet dhe portet më të mëdha të Adriatikut Lindor gjatë periudhës antike.
“Këtu janë përmbledhur të gjitha burimet dhe autorët që kanë punuar me Durrësin që mund të merren parasysh. Është bërë një punë kërkimore në rangun e punimeve për çështje të arkeologjisë europiane.
Kemi sjellë këtu edhe një gërmim të suksesshëm në “Lulishten 1 Maji”, si arkeologji e shpëtimit ku u zbulua lagjja e artizanëve, që ka pasur brenda punishte. Të tilla lagje nuk janë gjetur në qytete të tjera antike paralele me Dyrrahun, jo se nuk ka pasur, por është një shembull sesi kanë qenë lagjet elitare.
Kjo e tregon se në çfarë niveli ka qenë Durrësi, një nga 7 qytetet më të mëdha të botës antike, me veçori që nuk janë në vendet e tjera”, rrëfen ai.
Vëllimi i dytë i këtij botimi, që do të dalë pas dy muajsh, merret me infrastrukturën antike, qendrën, periferinë dhe portet e brendshme dhe do të pasohet nga një i tretë kushtuar Amfiteatrit të Durrësit dhe vendit që ai zë në tërë arealin e amfiteatrove të botës antike.
“Historia e çlirimit të Amfiteatrit nga ndërtesat ka qenë e tillë që në vitet ‘60 kur u zbulua e u bë një punë e madhe dekadë pas dekade për ta çliruar, jo vetëm nga dherat, por edhe nga ndërtimet që kishte pasur më përpara dhe ky ka qenë vrulli i parë.
Por, pas viteve ‘90 filluan të shtohen ndërtimet pa leje. Pra ato që u hoqën ndoshta në Arenë nuk u bënë më, por në shpatulla u ndërtuan pa leje dhe zmadhuan siç i shikoni dhe sot”, thotë Frashëri.
Kjo parajsë arkeologjike ende fle nën rrënojat e lashtësisë dhe gjurmëve që ka lënë koha, pa mundur dot të nxjerrë në sipërfaqe thesaret që mund të hedhin dritë mbi “Durrësin Ilir”.
“Fytyra e amfiteatrit është zbuluar pjesërisht dhe një nga elementët kryesorë është arena, pjesa ku zhvillohet funksioni, kurse shkallarja është zbuluar jo e tëra. Arena është thuajse e pazbuluar.
Në projektin konkret të zbatimit të restaurimit janë edhe kërkimet, hulumtimet në Arenë, të cilat janë të kufizuara. Këto projekte i kemi paraqitur, por në Shumë çështje ka jo vetëm mosmarrëveshje dhe moskuptim, por edhe dashakeqësi, sepse duhet ta bëjë ky dhe jo ai dhe ky subjektivitet ka rënë edhe në këtë monument kulture që është amfiteatri”, përfundon ai./ Top Channel