Ndryshon vendndodhja, aeroporti i ri nuk do ndërtohet në Sarandë, por në Gjirokastër! Kalimi në tunelin e Llogarasë dhe në Korridorin Blu do të jetë me pagesë
Gjirokastra do të jetë vendndodhja e aeroportit të katërt në vend dhe jo Saranda, ndërsa në pranverën e vitit 2025 pritet të startojnë fluturimet në Vlorë. Brenda këtij viti pritet të dorëzohen një sërë projektesh infrastrukturore dhe të hapen kantiere të tjera, por me rëndësi është tuneli i Llogarasë dhe Thumanë -Kashari që do të jenë me pagesë.
Aeroporti i katërt i vendit, nuk do të ndërtohet në Sarandë siç ishte planifikuar por në Gjirokastër. Tenderi për aeroportin e jugut është anuluar disa herë, ndërsa pritet të hapet një garë tjetër për në Gjirokastër. Ndërsa në Vlorë pritet që fluturimet e para të bëhen në pranverën e vitit 2025.
“Na është dashur të rishikojmë planet sa i takon efikasitetit. Duke qenë se kemi një fushë ajrore në Gjirokastër, infrastrukturë të ndërtuar dhe duke pasur që në Shqipëri s’po zhvillohet vetëm turizmi bregdetar, aeroporti i Jugut është menduar në zonën e Gjirokastrës dhe ti shërbejë gjithë zonës së Jugut dhe Sarandës dhe Ksamilit”, tha ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Sa i takon infrastrukturës Rrugore ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, njoftoi në konferencë se këtë vit dorëzohen Unaza e Madhe e Tiranës dhe Rruga e Arbrit. Ndërsa dy veprat e tjera tuneli i Llogarasë dhe Thumanë-Kashar, mbyllen në 2024 e do jenë me pagesë.
“Nga ana tjetër qendra e monitorimit të trafikut do të kryejë një rol tjetër që ka të bëjë me akset që do të vendosen në sistemin e pagesës siç është rasti i Tunelit i Llogorasë dhe Korridori Blu”, u shpreh ministrja.
Baypass-i i Tiranës dhe zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës janë dy projektet që pritet të startojnë gjatë këtij viti.
“Brenda vitit 2024 parashikojmë të hapim fazën e parë dhe ndoshta të dytë të zgjerimit që shkon nga Tirana në Vorë. E para është Tiranë-Kthesa e Rinasit dhe e dyta nga kthesa Rinas-Vorë” thekson kreu i ARRSH.
Viti 2024, mund të shoqërohet edhe me rritje të çmimit të ujit.
Në fushën portuale, në tetor 2024 do të hapet gara ndërkombëtare për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, ndërsa në Durrës po avancojnë punimet për portin Turistik
Sa i takon hekurudhave, po vijon puna për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës, si dhe është miratuar financimi për Durrës-Rrogozhinë. Kurse për hekurudhën Vorë-Hani i Hotit, po bëhet gatu dokumentacioni, për të nisur me fazat e tjera të projektit.
Kurse projektet për nëntokën shqiptare do të kenë një përgjigje në fund të muajit mars, kur do të mbyllen edhe fazat e testimit për naftën në Shpirag, nëse do të bëhet e mundur nxjerrja e saj nga 6 kilometra thellësi dhe situata e komplikuar që është konstatuar atje.