Zbulimi që rrëzon historinë për alfabetin më të vjetër në botë
Një zbulim i fundit ka rrëzuar pretendimet e mëparshme për alfabetin më të vjetër të njohur në botë. Studime të kryera nga shkencëtarët e Universitetit Johns Hopkins në Maryland, SHBA, zbuluan disa cilindra prej argjile të vegjël që mbajnë shkrimin alfabetik më të vjetër të njohur deri tani.
Cilindrat, të gjetur në Tell Umm-el Marra, një qytet i lashtë në veriperëndim të Sirisë, janë datuar me metodat e karbonit-14 rreth vitit 2400 para Krishtit, rreth 500 vjet para shkrimeve të njohura të alfabetit.
Zbulimi ka nxjerrë në pah se alfabeti mund të ketë origjinën në një vend tjetër dhe më herët se sa besohej më parë. Cilindrat mund të kenë shërbyer si etiketa për enë që transportonin verë, dhe mund të përmbanin emra ose përshkrime të pronës. Shkrimi është një eksperiment i hershëm në komunikim dhe mund të ketë shënuar një hap të rëndësishëm në përhapjen e shkrimit të thjeshtuar, që i mundësoi më shumë njerëzve të mësojnë të shkruajnë dhe të lexojnë, shkruan A2.
Ky zbulim sfidon teorinë tradicionale që thoshte se alfabeti ishte shpikur në Egjipt rreth vitit 1900 p.K. Profesor Glenn Schwartz, i cili ka drejtuar kërkimet për 16 vjet në këtë vend, thotë se ky shkrim i hershëm ndihmon në rishikimin e historisë së alfabetit dhe rrugët e tij të zhvillimit.