Xhubleta shqiptare në UNESCO/ Studiuesja: Po përpiqemi të dëshmojmë dijebërjen. Në rrezik zhdukjeje, e realizon vetëm një artizane në Shkodër
Xhubleta shqiptare, aseti i rëndësishëm kulturor me vlera historike, është marrë nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Studiuesja, Silvana Nini ka thënë në emisionin “Pas Mesnate” se po përpiqemi të dëshmojmë dijebërjen dhe detyra është rivitalizimi i xhubletës. Ajo ka theksuar se kjo veshje është në rrezik zhdukje dhe në vitet ’70.
“Ne zyrtarisht jemi në UNESCO, por kemi dhe ca rrugë të tjera, sepse xhubleta si dijebërje hyri pikërisht te lista në rrezik dhe i duhet kjo rruga që duhet të bëjë për të kaluar te lista prezantuese. Pra, duke kaluar te kjo listaprezantuese, pastaj sigurisht ka dalë nga rreziku. Lista në rrezik është gjithmonë aty për elementë kulturor që mund të mos jenë në rrezik, por duke mos u mirëmbajtur ato kalojnë në listën në rrezik. Pra, lista në rrezik është një moment alarmi, që tregon që ky element kulturor rrezikon. Çfarë rrezikon xhubleta? Sepse xhubleta nuk është futur si elementë material, por si dijebërje. Pikërisht, se është ajo dijebërje që i jep këtë formë kaq të veçantë xhubletës. Jemi që patjetër që sëbashku me dosjen e plotësuar u bë dhe projekti për të rivitalizuar dijebërjen, që sigurisht ishte shumë më mirë futja në rrezik duke ditur nivelet e dijebërjes sot të xhubletës. Gjë që jep shtysa dhe duhet të ndihmojë për të rivitalizuar këtë elementë kaq të rëndësishëm shpirtëror që ne kemi”, tha Nini.
Studiuesja zbuloi se vetëm një artizane në Shkodër realizon xhubletën shekullore, pasi në vendin tonë ka disa gra në moshë që realizojnë një të tillë, por jo të gjitha proceset.
“Xhubleta ka ndaluar së bëri gati dhe me daljen nga përdorimi. Por dhe një lloj nxitjeje, ndoshta jo me detyrim, por dhe një mënyrë që veshja të spostohej dhe të zëvendësohej patjetër me veshjen e re, qytetare moderne, që i jepte liri grave për të jetuar sipas sistemit komunist të kohës.
Sigurisht që gra që dinë si bëhet ka akoma, janë në moshë shumë të madhe, kalojnë të 70-tat, 80. Ka nga ato që e kanë parë si bëhet, ka nga ato që dinë disa procese, por nuk e dinë të tërë. Sepse ndahen në grupe.
Një artizane në Shkodër, File Kola, e bëri si dikur. Unë mendoj që dinte si bëhej, iu fut punës dhe e riaktivizoj”, tha ajo./abc