VIDEO/ Izraeli “pret” krahët financiarë të Hezbollahut, zbulon “kasafortën” me para dhe ar nën një spital në Liban

Izraeli goditi disa objektiva të lidhura me Hezbollahun në 24 orët e fundit, duke synuar tani sistemin e tij ekonomik.

Izraeli e akuzon grupin e mbështetur nga Irani se ka fsheur miliona dollarë në para dhe ar në një kasafortë nëntokësore nën objektin e spitalit Sahel në periferinë jugore të Bejrutit, Dahiyeh, megjithëse shtoi se nuk do ta dëmtonte kompleksin spitalor pasi “nuk është në luftë me njerëzit e Libanit”.

Pak më vonë spitali në fjalë u evakuua dhe drejtori Fadi Alame i quajti të pavërteta pretendimet e izraelitëve.

Izraeli nuk dha prova për pretendimet për një kasafortë të Hezbollahut nën spital, por publikoi një hartë 3D që tregon një bunker nën spital, ku lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah ishte fshehur në të kaluarën.

“Qindra miliona dollarë janë pikërisht nën Spitalin Sahel në zemër të Bejrutit. Dy ndërtesat majtas dhe djathtas të spitalit Sahel veprojnë si hyrje dhe dalje në kasafortë. Kasaforta e nëndheshme përmban dhoma, shtretër dhe infrastrukturë për akomodim, madje edhe për betejë. Hezbollahu ndërtoi kasafortën nën Spitalin Sahel dhe qindra miliona dollarë në para dhe ar janë aktualisht atje. Ne i bëjmë thirrje qeverisë dhe autoriteteve libaneze që të mos lejojnë Hezbollahun t’i përdorë këto para për akte terroriste”, tha zëdhënësi ushtarak izraelit, Daniel Haggari.

Zëdhënësi shpjegon gjithashtu se si Irani financon Hezbollahun përmes tre kanaleve kryesore.

Së pari, nafta dhe paratë transportohen nga Irani në Siri, ku nafta shitet, dhe të ardhurat i dërgohen Hezbollahut përmes Njësisë 4400, një njësi e transfertave financiare të Hezbollahut. Kjo metodë jep dhjetëra miliona dollarë.

Së dyti, Irani po dërgon para në Liban nën mbulesë diplomatike, me të ardhurat nga shitjet e pavarura të naftës të Forcave Quds që shkojnë drejtpërdrejt në ambasadën iraniane në Bejrut dhe më pas në Hezbollah.

Metoda e tretë, sipas Haggari, përfshin promovimin e sipërmarrjeve ekonomike të mbështetura nga Irani, duke përfshirë eksportin e gazit natyror në Siri dhe ngritjen e fabrikave në Siri, Liban, Jemen dhe Turqi.

“Ky rrjet drejtohej nga Mohammed Jafar Kasir, i njohur gjithashtu si Sheikh Salah, komandanti i Njësisë 4400 të Hezbollahut, të cilin e eliminuam në Bejrut në fillim të këtij muaji. Pak orë më parë, eliminuam edhe pasardhësin e tij në Siri,” konfirmoi Hagari, duke iu referuar një sulmi me dron në një automjet pranë një hoteli në Damask./abcnews.al

Scroll to Top