Vetoja greke dhe antishqiptari Sali Berisha

Shqiptarët janë të njohur me qëndrimin që mbajti Greqia në samitin e fundit të BE dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel ku me veton e saj Greqia i dha një goditje procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo nuk të bën shumë përshtypje sepse me pretendimet greke jemi mësuar që nga Lufta e Dytë Botërore, po të bën përshtypje fakti se si ka mundësi që një ish-president e kryeministër të mbështesë qëndrimin e Greqisë kundër vendit të tij siç bëri Sali Berisha, i cili deklaroi se: “Po të isha unë Mitsotakis do të mbaja të njëjtin qëndrim që mbajti ai”.

Po a nuk e dinte Sali Berisha se qëndrimi i kryeministrit grek ishte një qëndrim i pastër antishqiptar? Ai e mbajti këtë qëndrim kundër Shqipërisë në një moment kritik ku shqiptarët prisnin të hapeshin negociatat sepse mjaft kemi pritur prej 30 vitesh po në vend të mbështetjes të fqinjit tonë jugor, vjen kërcënimi se: “Rruga e Shqipërisë për në Bashkimin Europian kalon nga Beleri”.

Këtë e bën një kryeministër i një vendi anëtar i BE siç është Greqia. Po pse u burgos Beleri dhe ku i dhemb kjo Greqisë? Beleri u burgos për korrupsion zgjedhor, i kapur në flagrancë duke blerë vota. Këtu ka ndikuar edhe Greqia duke u dhënë të rinjve dokumenta greke në këmbim të votave për Belerin. E futi në burg ligji dhe në vend që Greqia të gëzohesh se po vepronte drejtësia e re, ajo i del në mbrojtje një trafikanti votash, por nuk është halli i Belerit, është halli i Himarës që pretendon se është minoritet grek dhe nëpërmjet saj përpiqet të helenizojë tërë jugun e Shqipërisë, mundësisht deri në Shkumbin. Nuk ka ndodhur askund që një shtet tjetër të organizojë protesta në një vend tjetër sovran siç ndodhi në Himarë kur deputetë e ministra grekë protestonin në mbrojtje të Belerit, sikur këtu nuk kishte shtet dhe jo vetëm kaq, po të shkonin edhe në Tiranë për të takuar Belerin në dhomën e paraburgimit. Kjo është një ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Shqipërisë duke e nëpërkëmbur dinjitetin e shtetit shqiptar. Kjo vjen nga një vend anëtar i Bashkimit Europian dhe ne shqiptarëve na bën të mendojmë se BE-ja na qenka një ngrehinë e kalbur që nuk ia vlen të futesh brenda. Qëndrimi që mbajti kryeministri Edi Rama duke deklaruar se “Çështja Beleri është çështje e drejtësisë, jo e kryeministrisë, është i drejtë dhe parimor”. Beleri nuk është më shumë se një shqiptar tjetër dhe si i tillë duhet të jetë i barabartë para ligjit, biles, “gojët e liga” thonë se ai ka kryer edhe krime pasi thuhet se ka qenë anëtar i bandës greke që vranë ushtarët tanë në postën kufitare të Peshkepisë në vitin 1991.

Uroj të ketë ardhur momenti që ai të përgjigjet edhe për atë gjakderdhje të pafajshme në postin tonë kufitare. Kur flasim për çështjen Beleri, që grekët e bënë çështje të madhe në gjithë Europën, që për ne shqiptarët s’ka asnjë farë rëndësie. Na shkon mendja prapa në kohë se si ka mundësi që për 45 vite nuk guxuan që të vepronin kështu asnjë presidentë e kryeministër grek, siç po veprojnë pas 90-ës. Në atë kohë nuk kërkuan as pjesë nga sipërfaqja detare apo tokësore, nuk kërkuan as të ngrinin varreza greke sa një qytezë siç kanë bërë në Kosinë të Përmetit dhe as të futeshin në postat tona kufitare megjithëse kanë hedhur me qindra grupe diversioniste. Kjo ndodhi pas përmbysjes së socializmit. Në vitet 90 grekët gjetën shesh e bënë përshesh. Përgjigjja e kësaj dileme është e lehtë, “Nuk ndodhi se vendi kishte zot shtëpie, dhe Enver Hoxha lëshonte tërmet, kush prek Himarën djeg Athinën”. Ai nuk lejonte që një renegat si Vangjel Dule apo një prift me Veledan të Bardhë e me shpirt të zi, Janullatos, të ngrinin flamurin grek në mes të Himarës. Qëndrimi antikombëtar i Sali Berishës është shumë më i madh se deklarata e tij në mbështetje të kryeministrit grek se “Po të isha edhe unë në vend të tij, do të mbaja të njëjtin qëndrim si ai”. Ai ka prapa një dosje të zezë, më të zezë se ajo e Esat Pashë Toptanit. Ky, “Esati”, modern i shkolluar, nga socializmi erdhi në pushtet me mbështetjen e U.D.B jugosllave dhe të agjenturave të tjera euro-amerikane dhe dihet se çfarë i bëri Shqipërisë gjatë këtyre 33 viteve.

Berisha njihet edhe si sabotator i luftës në Kosovë. E quajti U.Q.K-në “një celulë komuniste” dhe një krijesë jugosllave. Një grup kosovarësh që erdhën për t’u përgatitur në akademinë ushtarake në Tiranë, u përndoqën nga qeveria e Berishës deri sa të burgosë edhe legjendën e Kosovës Adem Jasharin dhe pak më vonë edhe zëdhënësin politik të U.Q.K Hashim Thaqi. Pikërisht në këto kushte, Sali Berisha krijoi shoqërinë “Shqiponja” që e drejtonte nënkryetari i PD Tritan Shehu dhe duke thyer embargon e O.K.B, furnizonte me naftë kontrabandë makinën ushtarake të Millosheviçit, kur në Kosovë derdhej gjaku deri në bark të kalit. Dosja e zezë e Sali Berishës është shumë më e rëndë këtu në Shqipëri, aq sa nuk do ti dilnin as 3 jetë për ti paguar. Ato fillojnë me djegiet e shkatërrimet e ekonomisë në 1991, nga lufta civile të 97-ës duke mobilizuar mercenarë të armatosur nga veriu për të luftuar kundër jugut, veprim ky i cili nuk kishte ndodhur as në kohën e fashizmit italian e të nazizmit gjerman, luftë nga më të paimagjinueshmet ku u vranë mbi 3000 njerëz.

Vazhdojnë krimet e Saliut me grushtin e shtetit të 1998 ku oborri i PD u kthye në një garnizon ushtarak me të gjitha llojet e armëve, me tragjedinë shtetërore të Gërdecit ku u vranë 26 njerëz dhe u plagosën mbi 300 të tjerë. Në përgjakjen e opozitës në sheshin Skëndërbej në vitin 2006, zhdukjen e Remzi Hoxhës që nuk i dihet as varri, vjedhja gjigande në Rrugën e Kombit, vrasjet shtetërore të “21 Janarit” në bulevard e të tjera, e të tjera. Para këtyre krimeve, mbështetja që Sali Berisha i bëri kryeministrit grek Mitsotakis, pas vënies së vetos kundër negociatave të Shqipërisë me B.E nuk ka ndonjë peshë të madhe veçse tregon për fytyrën e tij antishqiptare.

SHKRUAR NGA NDUE PRENG GJETA

Scroll to Top