Dëshmitari:Unë e çova arin shqiptar në Zvicër, avioni ynë rrezikoi të goditej (video)

Nikoll Marku është dëshmitari i asaj që ndodhi kur u vendos që ari i Rubikut të çohej në Zvicër, në vitin 1988. I ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv ish-drejtori në Uzinën e Bakrit në Rubik dhe kimist në laboratorin e arit tregon se si iu rrezikua jeta ndërsa po çonin arin me avion për në Zvicër.

“Në vitet e ndërrimit të sistemit, u dha urdhër që thesari i shtetit të shkojë për ruajtje në një nga filialet tona në Zvicër ose në Amerikë. Na thanë të bëhemi gati për të mbrojtur cilësinë tonë të floririt që do të shkonte atje. Ne duhet të mbronim cilësinë e raportuar. Unë kisha hedhur firmën për cilësinë e arit. Ndaj duhet të shkoja të verifikoja cilësinë. Unë nuk kisha frikë isha i sigurt për analizat që kisha bërë dhe raportin që kisha firmosur. Shkuam në Zvicër, me pak frikë sepse ishim në një avion plot me ar. Ishim me përfaqësuesit e thesarit të shtetit dhe unë. Në Rinas hipëm në një avion enkas për të transportuar arin e Shqipërisë. Gjithë sasia që ishte nxjerrë nga Rubiku, u bë gati nëpër ambalazhe apostafat për t’u transportuar në Zvicër. Kur shkuam në Zyrih udhëheqës të shtetit morën në telefon drejtorin e thesarit dhe i thanë që ne kemi festë sonte që keni arritur shëndoshë e mirë në Zvicër. Aty e kuptuam që kishim qenë në rrezik, por në asnjë rast nuk e kishim menduar një skenar që avioni të mund të goditej nga Serbia. I gjithë udhëtimi ynë ishte sekret, as familjes nuk ia kishim treguar.”, tregon zoti Marku./K.C/ dritare.net

 

Scroll to Top