Trollope: Grekët në Epir jetojnë vetëm në disa fshatra të Pindit
Salih Mehmeti
I parë në sytë e Anthony Trollope, një nga publicistët më në zë të epokës viktoriane, Epiri shquhej për elementin e tij shqiptar dhe gjallërinë e kryengritjeve antiosmane
Demografia e Epirit të shekullit të nëntëmbëdhjetë kërshëron studiues grekë e shqiptarë, që shpalosin secili versionin e tij. Po cila ishte shtrirja e vërtetë e elementit grek në Epir?
Portali Konica.al sjell një kronikë të panjohur që fshihet në librarinë e pafundme britanike. I parë në sytë e Anthony Trollope, një nga publicistët më në zë të epokës viktoriane, Epiri shquhej për elementin e tij shqiptar dhe gjallërinë e kryengritjeve antiosmane.
Pjesa që sjellim për lexuesit tanë është shkëputur nga volumi i pestë i revistës “Saint Pauls Magazine”, i botuar në vitin 1870.
Grekët jetojnë vetëm në fshatrat e Pindit
“Grekët në Epir dhe Thesali, ndonëse jo aq të kamur sa ata në Rumeli, politikisht janë në të njëjtën gjendje. Në Epir, pjesa më e madhe e tyre mund të gjendet në një bashkësi prej 50 fshatrash që shtrihen në rrëzë të malit Pind, në visin e quajtur Zagori. Secili nga këto fshatra zgjedh një magjistrat, dhe magjistratët më pas zgjedhin një të parë, përmes të cilit komunikojnë me pashën e Janinës, në kryeqytet. Në këto qytete, grekët që janë pjesa më e kamur dhe më e zgjuar e popullatës, kanë të njëjtin lloj të vetëqeverisjes si në fshatra”.
Shqiptarët, raca më e numërt në Epir
“Autoriteti kryesor është në duart e turqve, që qëndrojnë në kështjellë bashkë me çifutët – këta të fundit, gjithandej Turqisë, janë ithtarët më të mëdhenj të sundimit osman, por raca më e fuqishme dhe më e numërt në provincë janë shqiptarët, që mjaft shpesh merren gabimisht si grekë. Shqiptarët e furnizojnë ushtrinë turke me ushtarët më të mirë, dhe janë përdorur vazhdimisht në Kretë dhe rajonet e tjera greke për t’i qetësuar trazirat”.
Shqiptarët, këta jofetarë të mëdhenj
“Për dallim prej grekëve, ata kanë një ndjenjë shumë të zbehtë fetare, dhe mes tyre ka po aq myslimanë sa të krishterë. Një shqiptar bëhet shpesh mysliman me qëllim që të zhvatë ndonjë post fitimprurës në qeveri, por gruaja e tij mbetet e krishterë; shpesh ndodh që gjatë ndonjë feste një lloj torte bëhet, një pjesë e të cilës është me miell dhe ujë për gruan e krishterë, dhe gjysma tjetër me mish, gjalpë dhe perime është për burrin mysliman”.
Shqiptarët, të ndryshëm nga grekët
“Gjuha shqipe thuhet se rrjedh nga ilirishtja, që është krejt e pakuptueshme për një grek. Nuk ka dyshim se nëse shqiptarët do të bashkoheshin me grekët gjatë revolucionit, sulltani do t’i humbiste edhe Epirin edhe Thesalinë. Por kryengritja e Ali Pashës ishte thelbësisht shqiptare, dhe ishte krejt e ndryshme nga lëvizja helene në More. Sipas M.Poujade, një prijës shqiptar hyri në Akarnani me qëllim që t’i bashkohej kryengritësve; por kur dëgjoi që njerëzit thërrisnin ‘Rroftë raca jonë!’, ai u kthye prapa, duke e ditur se raca që ai i takonte nuk kishte asgjë të përbashkët me grekët”./ZgjohuShqiptar.info