Thjesht një gjeni / Dikur futbollist, sot luan me 160 instrumente, muzikanti shqiptar rrëfen si i mësoi

Agron Pllumaj është një instrumentist i njohur nga Mali i Zi që luan plot 160 instrumente muzikor.

Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, ai ka treguar se si u bë pjesë e botës së muzikës në fillim dhe si mësoi të luajë kaq shumë instrumente.

Ndër të tjera, Agroni veçoi profesorin e njohur shkodran, Zef Çobën, që i ka mësuar pianon.

“Në vitin 2006-2007, unë isha një futbollist i shkëlqyer, në kohën kur u mbyll klubi i futbollit Deçiç në atë kohë për një vit, kalova te muzika dhe realisht instrumenti i parë që mora ishte çiftelia. Pastaj nga çiftelia kam filluar të mësoj çarcinë, fyellin, pipëzën dhe kam vazhduar te lahuta. Edhe kam vazhduar te instrumente si gajda dhe deri më sot di afërsisht 160 instrumente. Momentalisht, në studion time kam 40 instrumente, ndërsa në bodrumin tim kam mbi 120 instrumente.

Në vitin 2006-2007 kur krijova ansamblin “Shqiponja”, kam bërë një kurs te profesor Zef Çoba në Shkodër, që e përshëndes shumë, për piano. Çiftelinë e kam mësuar nga dy miqtë e mi malësorë dhe mbas andej të tjerat i kam mësuar në dhomën time”, u shpreh ai./abcnews.al

Scroll to Top