Të lumtë Luiza Gega kundër flamurit kuqezi që u shfaq në Paris 2024: Ishte kinez, s’do pranoja ta mbaja
Luiza Gega shprehu kritika për flamurin që u mbajt nga ekipi shqiptar në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Paris 2024, mbrëmjen e së premtes në kryeqytetin francez.
Në një bashkëbisedim me gazetarin Besard Jacaj, Gega tha se flamuri ishte imitim kinez dhe nëse ajo do të kishte qenë flamurmbajtëse, nuk do të kishte pranuar që të parakalonte me atë flamur.
Luiza Gega: Ajo që nuk më pëlqeu është se vura re që flamuri ynë nuk ishte siç duhej, shqiponja nuk ishte shqiponja e vërtetë, pra ishte ai imitimi kinez dhe kjo nuk më pëlqeu, sepse mendoj që unë të paktën nuk do ta kisha pranuar kurrsesi. Duhet pasur një kujdes shumë i madh kur bëhet fjalë aq më tepër për flamurin, sepse kjo është arsye përse ne shkojmë aty, të prezantojmë kombësinë nga vijmë, ngjyrat e flamurit, etj.
Besard Jacaj: Këtë e ka Komiteti Olimpik, apo organizatorët?
Luiza Gega: Nuk e kam idenë të them të drejtën, vetëm e vura re nga rrjetet sociale dhe pashë… sepse e di shumë mirë sesi është shqiponja, qoftë tek kthetrat, qoftë tek sqepi, qoftë tek bishti. Po të kisha qenë flamurmbajtëse nuk do të kisha pranuar kurrsesi që të parakaloja me një flamur që nuk është i duhuri.