Të lumtë goja Edmond Tupja: Një mesazh për ata që thonë, çfarë më duhet shqipja!
Publicisti Edmond Tupja i ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV bëri një analizë të mirëfilltë të përdorimit të gjuhës shqipe në shkolla dhe vrasjen e fjalëve shqip nga gjuha e huaj. Duke përmendur rastin e Koresë së Jugut, ku vetëvrasjet më të mëdha janë te maturantët, pasi prindërit duan që fëmijët e tyre të jenë të përsosur në shkolla, Tupja jep një mesazh të rëndësishëm edhe për prindërit në Shqipëri. Për shkrimtarin ata që thonë: “Nuk ka çfarë më duhet shqipja, nuk më jep bukë!”, janë mercenarë. I ftuar në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga
“Në fillore fëmija merr të mësojë anglishten. Prindërit nuk duhet t’i thonë bye-bye fëmijëve, po paçim. Ata po vrasin fjalët shqip. Shohin fëmijët e komshinjve, të fisit që i çojnë fëmijët në kurse, nisin edhe ata. E dini ju pse në Korenë e Jugut numri më i madh i vetëvrasjeve është në maturë? Sepse ata duan t’i bëjnë fëmijët të përsosur. Një gjuhë kanë ata, por kanë 20 orë mësim në javë në shkollë, edhe 20 orë edhe në shtëpi. Që t’i bëjnë gjeni. Numri më i madh i vetëvrasjeve në shkolla është te maturantët. Janë super të ngarkuar. Duan t’i bëjnë të gjithë si Ajnshtajn. Lëre more të lozë fëmija, të vrapojë, të dëgjojë muzikë. Jo muzikë tallava, vendosni pak muzikë jazz, pak popullore, pak nga të gjitha në mënyrë që ai të ndihet mirë.
Atyre që thonë çfarë më duhet shqipja, nuk më jep bukë, u them; Shkoni shituni! Shko mëso gjuhë të huaja dhe shitu. Këta që thonë kështu janë mercenarë. Kush u jep më tepër? Ky pra është një cenim kombëtar.”, u shpreh Tupja.