Të dhënat shqetësuese: 1 në 3 shqiptarë është emigrant
Në emisionin “Money” në Euronews Albania u trajtua këtë të shtunë tematika e largimit të shqiptarëve. Në regjistrat e gjendjes civile në Shqipëri janë listuar 4.3 milionë emra. Nga këta, më shumë se 1.3 mln jetojnë për një kohë të gjatë ose për një kohë të pacaktuar jashtë Shqipërisë.
Numrat tregojnë dëshpërimisht se në 33 vite, 1 në 3 vetë ka ikur që këtu. Ai që u quajt eksodi drejt një bote të panjohur, por të lirë, nisi me 5000 qytetarët e parë, të cilët pasi kaluan gardhet e ambasadave në korrik 1990 tejmbushën anijet dhe u larguan.
Prej atij viti, të lije atdheun ishte një zgjedhje krejt e zakonshme për njerëz me profile të ulëta në punësim, të cilët iknin vetëm ose me familjen në Itali e Greqi. Emigrimi në dekadën e parë të tranzicionit u nxit nga varfëria dhe ishte i paligjshëm. Pra, ishte koha e ikjeve klandestine.
Ekspertja e statistikave Ines Muraj deklaroi për Money: “Pas kësaj, pritej një rënie e emigracionit, ose një emigracion më i përzgjedhur dhe patën tendenca për rikthim në Shqipëri, sidomos gjatë kohës së krizave dhe pati një rënie të emigracionit, por që rinisi përsëri rreth vitit 2015”.
Në dekadën e dytë, ritmi i largimeve ra dhe emigrimi u bë më i rregullt, kryesisht me bashkimet familjare. Në këtë kohë, Shqipëria kishte rastin të përfitonte nga kriza greke, kur mijëra emigrantë u rikthyen për të investuar paratë e fituara atje dhe për të rritur ekonominë vendase. Por, ky cikël u shua shpejt. Shumë prej të rikthyerve emigruan sërish, dhe bashkëshoqërues të tyre u bënë edhe profesionistë që punonin në administratë, banka, arsim e shëndetësi. Me këtë valë, u futëm në dekadën e tretë të emIgracionit, të atyre që garantojnë të ardhmen e shtetit dhe shoqërisë së shëndetshme.
“Ka patur një largim, që u kthye në fenomen, të paktën për profesionistët e sistemit shëndetësor. Në vitin 2015, pati një shpërthim, ose ishte numri më i madh i largimeve, kryesisht të infermierëve dhe të mjekëve nga Shqipëria drejt Gjermanisë apo vendeve të tjera.