SULIOTI KIÇO XHAVELLA, ndër burrat më të përmëndur e të shquar që ka nxjerrë ajo familje shqiptare ndër shekuj
Suliotët janë njohur që prej disa shekujsh dhe disa prej tyre kanë marrë pjesë edhe në Gardën e Heroit tone Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Që nga ajo kohë e deri në shekullin e XIX, ata qëndruan në Sul si zotër të asaj krahine.
Ndër burrat më të përmëndur e të shquar që ka nxjerrë ajo familje shqiptare ndër shekuj, kanë qenë Foto dhe Kiço Xhavella të cilët në vitet e para të shekullit të XIX dhanë një kontribut të çmuar në fitoren e kryengritjes greke të vitit 1821.
Krahina e Sulit shtrihet në një zonë tepër të thyer malore në zemër të maleve Murga, Zabruku, Kurila etj, atje ku buron lumi Akreon. Ajo ndodhet rreth 45 km në Jug të qytetit të Janinës e rreth 30 km nga deti Jon. E gjithë krahina ka një gjatësi prej 42 km dhe gjerësi prej 26 km. Në fillimin e shekullit të XVIII, popullsia e Sulit arriti deri në 7000 vetë dhe pushtetin aty e kishte në dorë Këshilli i Sulit i cili përbëhej prej 47 vetësh nga krerët e fiseve më të dëgjuara të vëndit, si Xhavellat, Boçarët, Ohrojkat, Nikajt, Dangëllinjtë, Fotomarajt etj. Këshilli kishte vulën e vet me mbishkrimin Këshilli i Atdheut. Bashkësia e Sulit e cila vetëqeverisej si e pavarur nga Stambolli, ishte e organizuar ushtarakisht dhe mbante të gatshëm rreth 2500 ushtarë, por kur ajo sulmohej nga turqit pothuaj të gjithë suljotët, burra dhe gra, futeshin në ushtri. Dora d’Istria e ka quajtur Sulin Republikë për arsye se që në shekullin e XVII aty ishte formuar një farë republike qytetare.
Kiço Xhavella lindi më 1801 në Sul dhe u rrit në ishullin e Korfuzit ku kishin emigruar të parët e fisit. Në vitin 1820 ai u rikthye në Sul pas marrëveshjes që kishin bërë Xhavellat me Ali Pashanë dhe në atë kohë në moshën 19-vjeçare, ai mori titullin Kapedan. Pas kësaj ai shkoi në Itali për të marrë një sasi armësh dhe kur u kthye që andej, Aliu ishte vrarë e suliotët ishin larguar për së dyti nga Suli. Në atë kohë Kiço Xhavella u bashkua me Marko Boçarin dhe luftoi së bashkë me të. Në vitin 1835, Mbreti Othon e caktoi atë si adjutant të vet duke e bërë nën gjeneral dhe mbikqyrës së përgjithshëm të ushtrisë.
Pas vdekjes së Ministrit të Mbrotjes së Greqisë, Karaskaqit (një tjetër Shqiptar i shquar) në vitin 1844, Kiço Xhavella shërbeu si prokuror dhe kryegjeneral, ndërsa në vitet 1847-1848 ai mori postin e kryeministrit të Greqisë. Kiço Xhavella vdiq në Mesolongj në vitin 1855 dhe po atë ditë gjeneralët e huaj sulmuan ushtrinë turke në Falirë, pranë Athinës, por u mundën keq. Ajo gjë e dëshpëroi pa masë komandant Kiçon, sepse u bë pa e pyetur atë dhe në fushën e luftës kishin mbetur të vrarë rreth 1500 luftëtarë, gati të gjithë suljotë. Kur Greqia fitoi pavarsinë në vitin 1829, aty nuk kishin mbetur më shumë se 200 luftëtarë suliotë dhe krahina e Sulit që kishte qenë për më shumë se 350 vjet e lirë dhe e pavarur pushoi së ekzistuari e mbeti nën vartësinë turke. Shpallja e pavarësisë së Greqisë, i gjeti suliotët të shpërndarë në ujdhesat e detit Jon, në Greqinë veri-perendimore dhe pjesërisht në Shqipëri e në ndonjë vënd tjetër.
Fisi Xhavella e më pas Tasho e ka pasur si traditë të hershme që për çdo datë 6 Gusht të mblidhej në Kishën e Shën-Sotirit që ndodhet në një shkëmb të Melesinit. Më 6 Gusht të këtij viti, u mblodhëm aty në kishën e Shën-Sotirit në Melesin afro 250 vetë nga ky fis. Kështu pas afro 200 vjetësh nga koha kur të parët tanë u vendosën në Sul, u mblodhëm përsëri pasardhësit e tyre që jetojmë në Shqipëri, Greqi, Australi, SHBA e disa shtete të tjera. Pasi u mblodhën dhe festuan aty në Kishën e Shën-Sotirit rrëzë Melesinit, të gjithë siç ishin kaluam në tokën shtetërore greke dhe festuan përsëri aty në ato trojet ku ishin vendosur dikur të parët e tyre.