“SPAK i ka sekuestruar një telefon Monikës, Meta merr raporte mjekësore nga Gjermania t’i shpëtojë burgut”
Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e bërë nga deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi për heqjen e sekuestros mbi provat e gjetura gjatë veprimeve hetimore të SPAK ndaj saj.
Në emisionin ‘Studio Live’ në Report TV, avokati Romeo Kara tha se Kryemadhi po hetohet për pastrim parash. Sipas tij, SPAK i ka sekuestruar një telefon.
“Kryemadhi akuzohet për pastrim parash. Çudi që Meta e Kryemadhi s’po shpallen non grata në SHBA.
SPAK ka sekuestruar një telefon. Çështja për Metën dhe Kryemadhin do bëhet serioze, SPAK ka prova”, tha Kara.
Ndërsa avokati Idajet Beqiri u shpreh se Meta po bën udhëtime në Gjermani për raporte mjekësore, për t’i shpëtuar masës së arrestit me burg.
“I kërkoi gjykatës të kthehen provat materiale edhe aktet të tjera që i konsiderojnë ata që janë gjoja origjinale. Ka edhe gjëra të tjera se jam i bindur se do të kenë vendimin e gjykatës.
SPAK e ka gati kallëzimin për CEZ- DIA bashkë me Shkëlzen Berishën. E ka thuajse drejt përfundimit atë çështje. Ata nuk po rrinë të dy në Shqipëri, venë e vijnë në Gjermani, kanë gjetur një strehë të mirë në Austri. Austria i refuzoi.
Tani ka shkuar dhe po rregullon raportet mjekësore në Gjermani, edhe mund ta marrë SPAK. Ka kohë që po bredh nëpër spitale të ndryshme e po bën raporte mjekësore për t’i shpëtuar masës së arrestit me burg.
Kjo organizatë kriminale duhet të vejë në bankën e të organizuarve si organizatë kriminale. Tu sekuestrohen pasuritë. Në SPAK dhe GJKKO ka njerëz kokë e këmbë të Sali Berishës dhe Ilir Metës. Duhet të vetëpastrohen.
Ka ardhur koha që shteti shqiptar, Parlamenti, por edhe qeveria e këtij vendi, edhe presidenti i Republikës, duhet të gjejë mekanizma në kuadrin e asaj që do hyjmë në BE, të marrim disa nga andej, t’i punësojmë këtu në drejtësi, hetues, prokurorë, gjyqtarë, të jenë elementë, pjesë e trupit gjykues, dhe kështu bëhet drejtësi”, tha Beqiri.