Si u arrestua Hasan Prishtina në Shkup?
Blerim Latifi
Të bindur se Shkupi nuk do të binte në duart e ushtrisë serbe, një numër i madh i prijësve të Kosovës ishin strehuar aty. Por shpejt do ta kuptonin se e kishin gabim. Pas Betejës së Kumanovës, ushtria serbe e pushtoi Shkupin dhe këta prijës u arrestuan. Në mesin e tyre edhe Hasan Prishtina dhe Idriz Seferi.
Isa Boletini dhe Riza bej Kryeziu, përmes rrugëve të ndryshme, ia kishin dalë të tërhiqeshin në drejtim të Durrësit, ndërsa prijësi i Drenicës, Ahmet Delia, kishte qëndruar në vend me idenë për të organizuar një rezistencë të fundit kundër okupimit serb.
Përfundimisht vetëm tre burra nga Kosova do ta kishin fatin historik të vinin firmën e tyre në Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë, me 28 nëntor 1912. Ata ishin: Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani dhe Sali Gjuka. Emrat e tyre sot i shohim të gdhendur në oborrin e ndërtesës ku lindi shteti modern shqiptar. Këta emra na flasin se ky shtet u shpall duke e menduar Kosovën si pjesë integrale të tij. Falë këtij fakti çështja kombëtare e Kosovës do të mbetej gjallë përgjatë gjithë Shekullit 20.