Si ka mundësi ‘Dhëndri’ u pasurua më shumë se 64 pronarët e tjerë? Berisha: Me kredi i bleu tokat kushërinjve të tij!
Dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash në aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani pranë Laprakës në Tiranë.
Por sipas Berishës, çdo veprim i dhëndrit të tij është në përputhje me ligjin dhe e dokumentuar.
I pyetur nga analisti Andi Bushati, se si ka mundësi që mes 64 pronarëve të truallit, Malltezi arriti të krijonte një pasuri prej mbi 5 milionë euro, Berisha tha se dhëndri i tij mori edhe tokat e kushërinjve, të cilët nuk kishin dëshirë të investonin.
Pjesë nga debati mes Bushatit dhe Berishës në Syri:
Andi Bushati: Nga 64 pronarët dhëndri juaj është pasuruar më shumë, 5.4 milionë euro. Nuk besoj se ndonjë nga 64 pronarët e tjerë ka bërë kaq shumë para. Mos ndoshta ka përfituar nga ju, sepse papritmas 64 pronarët i thonë “ti do jesh përfaqësuesi”. Çdo njeri ka prona në këtë vend, është një gjë që duhej hetuar.
Sali Berisha: Jo ka bërë dhe më shumë, më shumë se aq. Përveç truallit të vetë që ka nga gjyshja e tij, ka edhe truall me dokumenta nga kushërinj të tjerë, të cilët nuk kanë dashur t’i investojnë. Ai është futur si investitor me tokë. Dhe për këtë “SKAP”-i ka çdo dokument. Ekziston çdo dokument që ky ka shitur çdo apartament në themel. E ka shitur me 200 euro më lirë se çfarë shiteshin 150, 200 metra më tutje të përfunduara. Ato para që kishte dhe kredi që mori, i përdori për të blerë toka nga kushërinjtë e vetë. Ky si pronar me truall shumë më tepër se të tjerët.
Andi Bushati: Vetëm ata që kanë lidhje me pushtetin bëjnë 5, 6 7 milionë euro nga një truall.
Sali Berisha: Unë çuditem me këtë, sepse aty janë 17 pallate. Bëhet fjalë për rreth 20 milionë euro.