Si e themeloi Faik Konica shërbimin sekret informativ në Amerikë
Sot, mund të duket e pabesueshme që publicisti, shkrimtari, kritiku Faik Konica, një nga mendjet më të mëdha që ka nxjerrë Shqipëria, gjatë periudhës së shërbimit si Ministër Fuqiplotë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë viteve 1926¬1939, ka krijuar një rrjet informatorësh që të vëzhgonte veprimtarinë e diasporës shqiptare në Amerikë.
Madje, Konica mori guximin të dalë kundër edhe një udhëzimi të Presidentit të kohës, Ahmet Zogut, sipas të cilit, konsullata në SHBA nuk duhej të trazohej me politikë. Konica, jo vetëm që nuk e zbatoi këtë udhëzim, por bëri edhe një “interpretim” të tij dhe ia dërgoi Konsullatës në Boston, duke theksuar se “porosia nuk munt kurrë të vejë gjer në të hequr dorë nga të mbrojturit interesat e Shtetit tonë, nga të vëzhguarit për s’afërmi intrigat politike dhe propaganda kriminale që gatiten kundra Shtetit, dhe nga të këshilluarit Shqiptarët e padrallëzuar të ruhen prej njerëzve të paguar që përpiqen të helmojnë mendjen”.
Kështu që Konica, gjatë kohës në detyrë, e përdori gjerësisht rrjetin e tij të informatorëve kundër kundërshtarëve të Presidentit e më pas Mbretit Zog dhe atyre personalë. Kryesori ndër ta ishte pa dyshim Fan Noli, për të cilin ai bëri çmos që të mos hynte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi sipas tij do të niste një fushatë propagandistike komuniste, madje i paguar nga qeveria ruse.
Të gjitha këto fakte na vijnë në një botim të rrallë, në një libër voluminoz, me autor studiuesin Agron Alibali “Dritëhijet e një diplomati” (botimet “Argeta LMG”), i pasur me dokumente, të cilat botohen për herë të parë, sidomos nga Arkivi i Legatës Shqiptare në Amerikës, i konsideruar i humbur dhe gjetur pranë Arkivit Historik të Farnezinës në Itali.
NGA AGRON ALIBALI
KONSULLATA SI INSTRUMENT VËZHGIMI
Problemi kryesor që lidhet me Faik Konicën si diplomat është përdorimi që i bëri pozitës së tij në lidhje me raportet brenda diasporës shqiptare në Amerikë. Është paradoksale që Faik Konica, i cili ishte ndër ata udhëheqës që kishin hedhur themelet e bashkimit vullnetar të mbarë shqiptaroamerikanëve në “Vatër” gjatë ditëve më të zeza të Shqipërisë (kur pati pushtet në dorë, nuk mëtoi të përdorë atë për qëllime që vështirë se mund të cilësohen konstruktive).
Shumë problematike paraqiten raportet e tij me bashkëluftëtarin dhe mikun e vet të ngushtë, Fan Nolin. Ndërkohë që, pas dështimit të revolucionit të vitit 1924, polemikat midis tyre ¬shpesh të ashpra dhe personale¬njiheshin botërisht, Faik Konica nuk i qëndroi tundimit për ta dëmtuar Nolin duke shpërdoruar pozitën e vet si diplomat. Shembullin e parë kuptimplotë e gjejmë në arkivin e Legatës. Me të marrë në dorë detyrën, Konica u vu me zell në shërbim të politikës së Zogut për të vëzhguar kundërshtarët e tij politikë. “Lutemi vëzhgoni çka do të flitet kundër Presidentit tonë dhe guvernës në mbledhjen e nesërme dhe çoni një raport Legatës. Ministri F. Konitza”, niste porosi me telegram ai qysh më 24 korrik 1926. Kurse në prag të Ditës së Flamurit ai udhëzonte konsullin Prifti që “në Kishë Konsullata s’duhet të përfaqësohet”. Në kohën kur Noli kishte shprehur dëshirën për t’u vendosur sërish në SHBA (1931), dhe pasi mori jo pa vështirësi vizën e hyri në territorin amerikan, Konica njoftonte Departamentin e Shtetit se “Fan Noli mund të ketë hyrë kohët e fundit në SHBA me emër të rremë ose me pasaportë të falsifikuar”. Noli, në fakt, kishte hyrë sërish në Amerikë, më saktë në portin e Nju Jorkut, më 10 korrik 1931 “si vizitor i përkohshëm për një periudhë prej 6 muajsh, sipas Nenit 3 (2) të Aktit të vitit 1924”. Hetimet ndaj Nolit për kinse pikëpamje apo aktivitete bolshevike, të ndërmarra nga Zyra e Komisionerit të Imigracionit në Boston me ndihmën e dy biznesmenëve “neutralë” shqiptaro¬amerikanë, që i referoheshin vizitës së përparshme të Nolit nga 4 maji 1930 e deri në 22 janar 1931, konfirmonin se nuk kishte asnjë dëshmi, të botuar në gazetën “Republika”, që mund të konsiderohej “e kuqe”, “radikale” apo “bolshevike”, apo deklaratë në fjalimet apo lutjet e tij në Kishë, ku Noli “të mbështeste përmbysjen e çfarëdo qeverie qysh prej hyrjes së tij në SHBA”.
Për të hedhur një argument në anën e Konicës, duhet thënë se në atë kohë në Amerikë kishte shqetësim dhe ndjeshmëri të lartë ndaj veprimeve të akteve të dhunës së elementëve radikalë nga grupe të ndryshme etnike, siç ishin, p.sh., ajo italiane. Në atë kohë ishin gjykuar dhe dënuar me vdekje në Boston dy emigrantë italianë, Nicola Sacco dhe Bartolomeo Vanzetti. Këtyre shqetësimeve, natyrisht, u shtohej edhe përhapja e ideve bolshevike pas Revolucionit të Tetorit në Rusi. Së fundi, dihet se armiqësia ndaj Zogut kishte rezultuar në disa atentate kundër tij. Mirëpo, mërgata shqiptare në Amerikë ishte përgjithësisht e orientuar drejt punës e familjes, dhe zbatonte me rigorozitet ligjet. Kështu që Zogut vështirë se do t’i vinte ndonjë e keqe nga Amerika e largët. Faiku këtë gjë e dinte mjaft mirë. Po ashtu, sot mund të duket e pabesueshme se si dikujt mund t’i mohohet viza hyrëse në atdhe, apo edhe shërbime të tjera diplomatike, për shkak të pikëpamjeve të ndryshme politike apo veprimtarive krejt të zakonshme. Mirëpo, pikërisht këtë bënte Konsullata shqiptare në Boston, me lejen dhe autorizimin e Faik Konicës, sidomos gjatë viteve 1926¬1936. Këtyre shqetësimeve, natyrisht, u shtohej edhe ajo që Prifti dhe Blloshmi u bënin mbështetësve dhe simpatizantëve të Fan Nolit gjatë kohës që ishin në detyrë si përfaqësues të shtetit shqiptar në SHBA, përbën ndër faqet e mjegullta ¬dhe deri më sot pak të njohura¬ të veprimtarisë së Konicës në SHBA. Dokumentet e gjendura në Arkivin Diplomatik të Legatës shqiptare në Uashington hedhin dritë gjerësisht për këtë veprimtari aspak të lëvdueshme. Dokumentacioni, nga ana tjetër, ka vlerë të jashtëzakonshme historike ¬por dhe juridike¬ mbasi hedh dritë mbi aspekte të panjohura të jetës së mjaft individëve¬ shumë syresh të njohur¬ që, për arsye të ndryshme, kishin nevojë për shërbime konsullore të shërbimit diplomatik shqiptar në SHBA. Ka rëndësi të theksohet se vëzhgimi i komunitetit shqiptaro¬amerikan duket se nuk vinte si pasojë e porosive apo direktivave nga Tirana. Përkundrazi, qysh kur mori pushtetin në dhjetor 1924, Ahmet Zogu dërgoi direktivë të posaçme në Konsullatën e Bostonit, që kjo e fundit të mos përzihej në politikë. Mirëpo, duket se Faiku kishte rrjetin e vet të informatorëve, të pavarur nga Konsullata. Këto dalin nga raporti i Konicës drejtuar Tiranës, datë 15 shtator 1926. Duke trajtuar raportimin që u bënte lëvizjeve në Amerikë të Tefik Mborjes, Konica ankohej se “Konsullata nuk tregoi shumë në Arshiva. Pas këtij urdhri, Konsullata s’duhet të trazohet në punë politike”.
INTERPRETIMI I PASHEMBULLT I KONICËS
Me gjithë të metat e tij të njohura, Zogu, si udhëheqës i matur e i mençur, e kuptonte fuqinë e bashkësisë shqiptaro¬amerikane dhe rolin e saj historik në lindjen dhe shpëtimin e Shqipërisë. Prandaj ai nuk mund të lejonte që kjo bashkësi të përçahej e të ngatërrohej me grindjet e përplasjet politike të mëmëdheut. Përkundrazi, duket se ishte Faik Konica ai që nxiti dhe organizoi vëzhgimin e elementëve të veçantë të bashkësisë shqiptaro¬amerikane, duke u bërë strumbullari i ngjarjeve të pakëndshme. Duke iu referuar qarkores që ndalonte trazimin e konsullatës në politikë, Konica i shkruante Qendrës se “një porosi e tillë ka nevojë për interpretim, dhe në një letrë që i dërgova Konsullatës, i bëj të njohur interpretimin që duhet dhënë”. Pra, Faik Konica autorizoi veten që të kapërcente qarkoret e qendrës. Ja edhe porosia e çuditshme e Konicës e shtatorit 1926:
Zoti Konsull, Afro dy vjet e gjysmë më parë, Konsullata kish marrë nga Ministria një porosi që të mos trazohet në politikë. Kjo porosi ka edhe forcën e saj, por duhet kuptuar mirë. Kuptimi që i duhet dhënë porosisë është ky: që zyrtarët e Konsullatës nuk duhet të hyjnë në polemika me Shqiptarët e këtushmë, të trazohen në intriga lokale, ose të venë në mbledhjet dhe atje të zihen me folës të tjerë. Por porosia nuk munt kurrë të vejë gjer në të hequr dorë nga të mbrojturit interesat e Shtetit tonë, nga të vëzhguarit për s’afërmi intrigat politike dhe propaganda kriminale që gatiten kundra Shtetit, dhe nga të këshilluarit Shqiptarët e padrallëzuar të ruhen prej njerëzve të paguar që përpiqen të helmojnë mendjen. Kjo është një detyrë që çdo konsullatë përveç detyrave tregtare dhe lehtësimeve për nënshtetasit që janë dhe mbeten detyrat kryesore të konsullatave. Në këtë frymë duhet kuptuar paskëtaj detyra juaj dhe ju lutem të më me thosh¬e¬thame pa rëndësi, por vetëm me lëvizjet që mund t’i lehtësojnë Guvernës të vëzhguarit e kundërshtarëve të shtetit.
Do t’i dërgoj Ministrisë një kopje të kësaj porosie. Mbetem me nderim,
Ministr’i i Republikës Shqiptare në Washington.
Përmbajtja e kësaj “porosie” të pashembullt flet vetë. Faik Konica, edhe pse në dukje hiqet si mbrojtës i rendit e i sigurisë kombëtare, si dhe i lirisë së fjalës e të mendimit, ai nxit vëzhgimin e diasporës në rrethana që ishin jashtë direktivave zyrtare të qeverisë shqiptare dhe, për më tepër, që mund të cenonin ligjet amerikane. Mirëpo titullari i Ministrisë së Jashtme në Tiranë e priti me pakënaqësi këtë “dhuratë” të papritur të Konicës. I ndërgjegjshëm se, po t’ia kërkonte vetë diçka të kësaj natyre, mund të përballej me zemërimin dhe sarkazmin e Faik Konicës, Tirana me siguri mbeti e habitur, por, gjithsesi, e pranoi ofertën. Ministri i Punëve të Jashtme, që në të atë kohë duhet të ketë qenë Hysen Vrioni, i shkruante kështu Faik Konicës:
“Zoti Ministrë. Kam nderin t’i njoftoj Zotnisë Suej se, me interes të madh e këndova raportin Tuaj N. 3 datë 16 shtator 1926 dhe Ju falënderoj nxehtësisht për përkujdesjen që keni për anulimin e propagandës së dëmshme kundra Shtetit tonë nga të hikurit shqiptarë si Tefik Mborja me shokë, kështu që i pëlqeva tepër porositë që Zotnija e Juej i keni dhanë Konsullatës sonë në Boston me shkresën Tuaj n.7 datë 14 shtator 1926. Ju lutem, Zoti Ministrë, të pëlqeni të falat e mija me nderime të posaçme. Ministri i Punëve t’jashtëme”.
Nuk kemi dijeni nëse ministri në Tiranë kishte marrë miratimin e Zogut. Gjithsesi, veprimtaria e Konicës nuk kurseu as të njohurit dhe ish¬kolegët e bashkëpunëtorët e tij të Vatrës dhe të shërbimit diplomatik. Në tetor 1926, Konica shpalosi akuza kundër Tashkos dhe Kirkës jo vetëm tek eprorët e vet në Tiranë, por edhe në komunikimet zyrtare në Departamentin e Shtetit, duke i quajtur ata si “të pushuar prej kohësh nga shërbimi për shkak se ishin në kontakt me elementët komunistë dhe që të dy prisnin të gjykoheshin për këto çështje”
“Porositë” e Konicës vazhduan deri vonë. Një letër e tij e nëntorit 1933 drejtuar Priftit në lidhje me kthimin në Shqipëri të një Leko Dh. Petrenj udhëzonte Konsullin “të bënte të duhurën për të kthyerit në Shqipëri… në qoftë se njeriu nuku ka një të shkuar veprimesh kundrë¬ qeveritare”. Për lëshimin e pasaportës “darovisht”, Prifti u përgjigj se “Leko Dh. Petrenj nga Detroit, Michigan, s’është përzier në politikë dhe pasaportën, sipas porosisë së Zotërisë Suaj, ja dërguam të shoqëruar me një letër për Shoqërinë United States Lines që t’i japë biletë udhëtimi me gjysmë çmimi”…
Memorandumi i Konicës kundër Nolit
Duhet thënë fillimisht se kjo përplasje e pashembullt, ku përfshiheshin dy miq bashkëkombës, që kishin studiuar në të njëjtin universitet të famshëm, si dhe zyrtarë amerikanë, që edhe ata kishin mbaruar në të njëjtin universitet, nuk u quajt aq e rëndësishme sa zv. sekretari Castle ta mbulonte në ditarin e vet të hollësishëm, të ruajtur në Bibliotekën e Harvardit, ku regjistronte me rigorozitet dhe imtësi të gjitha ngjarjet e rëndësishme ditore të jetës së tij profesionale dhe shoqërore. Nga ana stilistike, memorandumi është tjetër kryevepër e Faik Konicës, kurse nga përmbajtja, ai lë për të dëshiruar. Dokumenti prej shtatë faqesh fillon me një përshkrim në përgjithësi të rolit të “agjitatorit” anonim. Referenca për Nolin ishte më se e qartë. Me anglishten e tij të përsosur Konica shkruan: “Agjitatori i huaj që vjen në Shtetet e Bashkuara me synimin për të bërë propagandë komuniste është në pozicionin e favorshëm për të mbrojtur veten eventualisht ndaj kallëzimeve. Ai mund të mohojë me guxim çdo lidhje me propagandën komuniste dhe mund të luajë rolin e liberalit që i bindet ligjit, që ka ardhur në këtë vend si refugjat në mirëbesim, që i largohet përndjekjes së qeverisë reaksionare në vendin e vet.
Pavarësisht se sa bindshëm mund të vërtetohet, mbështetur në prova rrethanore, se mbështet financiarisht nga ‘qeveria’ e tanishme ruse ose nga organizata radikale që janë të varura financiarisht prej sovjetëve, agjitatori i huaj e di fare mirë se asnjë provë e drejtpërdrejtë, fotostatike e fajësisë së vet nuk mund të paraqitet kundër tij. Së fundi, nëse, përveç gjithë sa më sipër, ai qëllon të bëjë agjitacion midis njerëzish që flasin një gjuhë me përhapje të kufizuar, është thuajse e pamundur për autoritetet për të gjetur një person të shërbimeve të fshehta që të jetë i aftë të përgjojë fjalimet propagandistike dhe agjitacione të tjera verbale. Ky është pikërisht rasti i Fan Nolit, i cili e quan veten, dhe besohet të jetë, shqiptar.
Memorandumi i mëposhtëm do të paraqesë disa fakte në lidhje me këtë njeri misterioz”. “Njeriu misterioz” ishte, pra, Fan. S. Noli dora vetë, shoku i tij i “armëve”, me të cilin Faiku kishte kaluar ditë e net të tëra gjatë themelimit të Vatrës në Boston e më tej, i cili e kishte ndihmuar kur Faiku ndodhej në ngushtësi në Vjenë, gjatë Luftës I Botërore e që do të kryente, madje, edhe shërbesën fetare e do të mbante fjalën kryesore në funeralin e Faik Konicës në Boston, në dhjetor 1942. Hyrja e pashembullt e përgatit lexuesin amerikan për argumentet që mund të paraqiste Noli në mbrojtje të tij. Konica, madje, përgatit terrenin edhe për akuzat ndaj Nolit si agjitator bolshevik i financuar nga Moska. Konica flet për “prova rrethanore” dhe për mungesën e “provave të drejtpërdrejta”. Shokun e tij të vjetër ai e quan, pra, “njeri misterioz”, shqiptarësia e të cilit, sipas Faikut, në rastin më të mirë, mbetet e dyshimtë…