Shteti i Serbisë ju vë gjoba nga 1000 deri 1500 euro për vendosjen e flamurin kombëtar shqiptar
Vendosja e flamurit kombëtar shqiptar në objektin e Komunës së Preshevës dhe në zyrën e Këshillit Kombëtar Shqiptar për festat kombëtare po vazhdon të dënohet.
Deri në këtë periudhë, shteti i Serbisë e ka dënuar shtatë herë Komunën e Preshevës dhe pesë herë KKSH-në. Dënimi shkon nga 1 mijë deri në 1 mijë e 500 euro.
Të vetmet simbole institucionale në objektin e Komunës së Preshevës, janë dy flamuj, ai shtetëror i Serbisë dhe flamuri komunal.
Por udhëheqësit shqiptar të Luginës, për çdo festë kombëtare ngrisin flamurin kombëtar shqiptar.
E ky veprim i vendosjes së flamurit, po sjellë gjoba për institucionet shqiptare nga shteti i Serbisë.
Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi thotë se deri në këtë periudhë u janë shqiptuar shtatë gjoba. Mirëpo, ai thotë se pagesa është bërë nga buxheti i tij personal dhe jo ai i komunës.
Edhe në Zyrën e Këshillit Kombëtar Shqiptar ka arritur padia e radhës nga Serbia në drejtim të këtij institucioni dhe ish-kryetarit, Ragmi Mustafi.
Për vendosje të flamurit këtij institucioni i janë shqiptuar pesë dënime nga Serbia.
Megjithëkëtë, kryetari aktual, Nevzad Lutfiu thotë se do të vazhdojnë të vendosin flamurin kombëtar shqiptar në secilën festë.
Përveç objektit të Komunës së Preshevës, këto simbole i kanë të vendosura edhe Komuna e Bujanocit dhe Gjykata në Luginën e Preshevës.