SHQIPTARËT NË KROACI: FLET GENTIANA LLESHDEDAJ NGA SHKSH „SHKËNDIJA“

Në Kroaci, jeton një komunitet relativisht i madh shqiptarësh i përfaqësuar edhe në parlamentin e këtij vendi. Sipas të dhënave të Byrosë Shtetërore kroate të Statistikave, në regjistrimin e fundit të popullsisë (2021), janë të regjistruar rreth 14.000 shqiptarë, shumica prej tyre me origjinë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Pjesa dërrmuese është e përqëndruar në zonën e qytetit të Zagrebit si dhe në zhupaninë (qarkun) e Primorje-Gorski Kotarit, Istrisë, Split-Dalmacisë, Osijek-Baranjë dhe Bjelovar-Bilogorës. Nga Buxheti i Shtetit, përmes Këshillit për Pakicat Kombëtare, shoqatave të pakicës kombëtare shqiptare iu akordohen në vazhdimësi fonde të caktuara për realizimin e programeve në fushën e informimit, botimeve, amatorizmit kulturor dhe manifestimeve kulturore. Rrjedhimisht, në Kroaci janë të regjistruara shtatë shoqata shqiptare: • Unioni i Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë, Zagreb, Shoqata e dramës “Mërgimtari”,- Zagreb
• Shoqata Kulturore Shqiptare “Shkëndija”, – Zagreb • Shoqata e Artistëve Shqiptarë të Kroacisë – DEA, – Sisak • Shoqata e grave shqiptare të Kroacisë “Mbretëresha Teutë”, – Zagreb • Shoqata e Pakicës Kombëtare Shqiptare të Ishullit Kërk, -Kërk dhe • Shoqata e grave shqiptare të Zagrebit “Drita”, -Zagreb.

Për punën e organizuar të komunitetit shqiptar, kdp.mk, bisedoi me kreun e Shoqatës Kulturore Shqiptare “Shkëndija” me bazë në kryeqytetin kroat, Gentiana Lleshdedaj.

AUTOR: ENIS SHAQIRI

KDP: Kush është Gentiana Lleshdedaj?

Gentiana Lleshdedaj: Jam e lindur në Gjakovë në vitin 1991 dhe jam rritur në fshatin Smaq të komunës së Gjakovës. Në vitin 1998, bashkë me nënën dhe motrën, erdhëm në Zagreb për shkak të luftës në të cilën gjendej Kosova. Babai kishte jetuar në Zagreb që nga viti 1992. Fatmirësisht, kishim një vend ku të shkonim, fat që shumë bashkatdhetarë tanë nuk e kanë pasur. Në Zagreb kam përfunduar shkollimin, ku edhe kam diplomen bachelor të ekonomisë në drejtimin e ekonomisë së biznesit dhe financave, tani punoj si kontabiliste. Përveç kësaj, në 11 vitet e fundit jam aktive në komunitetin shqiptar në Zagreb, ku kam qenë dhe jam anëtare e disa shoqatave. Jam zëvendëskryetare e Këshillit të Pakicës Kombëtare Shqiptare në qytetin e Zagrebit dhe së fundmi u zgjodha edhe për postin e kryetares së shoqatës kulturore shqiptare në Kroaci, “Shkëndija”.

KDP: Së fundmi ju është besuar pozita e udhëheqëses në Shoqatën kulturore shqiptare “Shkëndija”, në Zagreb të Kroacisë. Mund të na thoni se si e shikoni veten si kryetare e një prej shoqatave më të vjetra kulturore jashtë hapësirave shqiptare?

Gentiana Lleshdedaj: Me qenë përgjegjëse për çdo gjë është e vështirë, dhe ashtu është edhe për shoqatën që ekziston kaq gjatë. Jam anëtare e saj prej 10 vitesh dhe kam vallëzuar në folklorin e saj, kështu që jam pjesë e rrahjeve të zemrës së kësaj shoqate. Pozita ime nuk është thjesht vetëm emër, mbart shumë punë. Këtë mund t’jua dëshmoj sepse nuk jemi ndalur që nga dita që e kam pranuar këtë detyrë.

Kemi manifestime, aktivitete të cilat duhet të organizohen në detaje, dhe për të pasur mundësinë e organizimit duhen dërguar edhe raportet e organizacioneve të shtetit nga të cilët financohemi, dhe kjo kërkon angazhim të vazhdueshëm.

Gjithashtu, kemi seksione të ndryshme në shoqatë të cilëve ju mungojnë anëtarët dhe jam duke punuar në zhvillimin e tyre. Për momentin, ja kemi nisur me seksionin e folklorit dhe valleve. Kemi vallëtarë amatorë, por janë të shkëlqyeshëm dhe jam krenare që mund të them se në këtë folklor kemi bashkuar anëtarë me prejardhje nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut – një bashkim i vogël në mënyrën artistike.

Qendra e Zagrebit nën jehonën e tingujve të muzikës popullore shqiptare, teksa të rinjtë të veshur me kostume popullore tradicionale kërcenin në hapjen e Qendrës Kulturore Shqiptare “Shkëndija”.

KDP: Cilat janë sfidat dhe arritjet e Shoqatës “Shkëndija”?

Gentiana Lleshdedaj: Sfidat që i kemi sot janë plotësisht të ndryshme se ato që kanë pasur anëtarët dhe kryetarët e mëparshëm. Sot kemi fatin që mund të tubohemi lirshëm, kemi të drejtën e plotë të promovimit të kulturës dhe traditës tonë. Poashtu, nga ky vit kemi zyrën dhe hapësirën për aktivitete, gjëra që anëtarët para meje janë munduar fort për t’i arritur. Prandaj, sot jam shumë mirënjohëse për punën e atyre para meje dhe mundohem edhe më fort ta dëshmoj që mundi nuk ka qenë kot.

KDP: Si ka ndikuar Shoqata “Shkëndija” në ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare në Kroaci?

Gentiana Lleshdedaj: Ka ndikuar shumë, pasi edhe i ka rezistuar kohës dhe ndryshimeve për 64 vite. Kam dëgjuar shumë anekdota dhe kujtime nga studentët që e kanë formuar Shkëndijën, ku janë munduar në çdo mënyrë të ruajnë dhe kultivojnë kulturën, muzikën, traditat dhe ja kanë dalë. Sepse sot kemi të rinjët që kanë dashurinë për atdheun, edhe pse shumica janë lindur në Kroaci dhe akoma nuk janë të vetëdijshëm që tani ata janë bartësit dhe përfaqësuesit e vlerave, kulturës, muzikës shqiptare në Kroaci, dhe për këtë duhet të jenë krenarë, sikurse jam unë krenare pa fund që i kemi.

KDP: A ka ndonjë projekt bashkëpunimi me shoqata simotra jashtë Kroacisë?

Gentiana Lleshdedaj: Jashtë Kroacisë, kemi për momentin ftesa për festival, por besoj sa më shumë të dëgjohet për aktivitetet tona do kemi dhe bashkëpunime.Jemi të hapur gjithësesi për bashkëpunime.

KDP: Çfarë është bashkëpunimi me përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe sa e ndjeni mbështetjen e tyre.

Gentiana Lleshdedaj: Me përfaqësitë diplomatike kemi marrëdhënie të mira dhe korrekte. Ata janë të mirëpritur dhe të ftuar në çdo manifestim, jo vetëm të Shkëndijes, por edhe të gjitha shoqatave, bashkësive dhe këshillave shqiptare në Kroaci. Vlerësoj se prezenca e tyre në organizimet tona poashtu tregonë edhe një mbështetje më të fuqishme.

KDP: Cilat janë planet e Shoqatës “Shkëndija” dhe si e shihni zhvillimin e saj në të ardhmen?

Gentiana Lleshdedaj: Shkëndija ka si plan kryesor formimin e ansamblit. E kemi deri diku, por prapë na mungojnë vallëtarët dhe sidomos djemtë, nuk di pse janë më pak të interesuar. Ansambli nënkupton edhe grupin muzikor ku do të kemi këngëtarë dhe muzikantë të cilët do të mësojnë dhe do të performojnë për publikun e Kroacisë, këngët e mirëfillta shqiptare. Pastaj, formimin e një kori dhe gjatë rrugës, normalisht, projektet dhe manifestimet e tjera vazhdojnë si kanë qenë deri tani, por me energji të re.

Shteti kroat mbron me ligj pakicat kombëtare

Rjedhimisht, shoqata „Shkëndija“ si dhe gjashtë të tjerat në Kroaci, realizojnë programe të amatorizmit kulturor dhe manifestime kulturore përmes aktiviteteve të koreve të përziera, folklorit, vallëzimit, dramës dhe grupeve muzikore, si dhe organizimit të ekspozitave, forumeve dhe shënimit të përvjetorëve të ndryshëm që lidhen me historinë e shqiptarëve dhe të Kroacisë.

Pjesëtarët e pakicës kombëtare shqiptare ushtrojnë të drejtën e tyre për arsimim duke marrë pjesë në modelin C të arsimit fillor dhe të mesëm që rregullon me ligj shkollimin e pjesëtarëve të pakicave në këtë vend.

Gjithashtu, me qëllim të ruajtjes së identitetit etnik, kulturor dhe gjuhësor të nxënësve që u përkasin pakicave kombëtare në Republikën e Kroacisë organizohen shkolla verore si dhe forma të veçanta të mësimdhënies për çka janë të angazhuara institucioneve të veçanta aktiviteti parësor i të cilave është i përqendruar në fushën e të arsimit.

Ruajtja e emrave dhe simboleve tradicionale dhe emërtimi i vendbanimeve, rrugëve dhe shesheve me emra personalitetesh dhe ngjarjesh me rëndësi për historinë dhe kulturën shqiptare është e rregulluar me statut në zonën e Shibenikut.

Pjesëtarët e pakicës kombëtare shqiptare kanë përfaqësuesin e tyre në Këshillin për Pakicat Kombëtare të Republikës së Kroacisë.

Aktualisht interesat e pakicës kombëtare shqiptare në Kuvendin e Kroacisë i mbron deputetja Ermina Lekaj Prljaskaj, e cila përfaqëson gjithsej pesë pakica kombëtare (shqiptare, boshnjake, malazeze, maqedonase dhe sllovene).

Scroll to Top