Shqipëria po ndryshon! Përparim Xhaferi: Një armatë teknikësh shqiptarë në Australi, duan të kthehen në Shqipëri!

Një armatë e tërë teknikësh në Australi janë gati të kthehen në Shqipëri. Kështu u shpreh Përparim Xhaferi i ftuar në Shqip nga Dritan Hila në DritareTV. Zoti Xhaferi thotë se në Shqipëri nuk duhet të kujtohen për shqiptarët e Diasporës vetëm për votat, pasi nëse ndodh që do të kërkohet vota e emigrantëve, kjo do t’i përçajë ata. Kjo punë thotë Xhaferi, mund të zgjidhet, duke i integruar shqiptarët që janë jashtë në shumë mënyra, që të kontribuojnë për Shqipërinë.

“Është një armatë e tërë teknikësh, duarartësh që janë gati të kthehen në Shqipëri. Unë i përkas kësaj armate. Ka duarartë që kanë zanat, janë mjeshtër. Unë kam frikë se ne do të dalim se ai autobusi i Kuçit, që do kemi frikë nga njëri-tjetri, se kush do ta udhëheqë, kush do ta ngasë autobusin.

Një kolegu im iku vjet nga Australia me gjithë familjen. Sot jeton në Prishtinë, jep mësim në universitet, siç jepte këtu. Mua nuk më duket çudi të kthehen shqiptarët. Është e vështirë. Unë kam dy fëmijë, njëra është e martuar këtu dhe tjetra ka biznesin e saj.

Ka shumë gjëra për t’u bërë. Ka dhe shumë gjëra që bëhen direkt, siç po flasim ne tani. Falë Zotit jetojmë në shekullin e 21 dhe ka shumë mundësi. Në momentin që ne kujtohemi për shqiptarët e Diasporës vetëm për numrin e votave, atëherë do ndërlikohen gjërat, sepse do të hyjë ajo fryma, e së majtës dhe së djathtës. Kam frikë se do vijnë disa njerëz me ca lekë më shumë dhe mendje më shume. Nuk e di si do t’i dalë fundi atij muhabeti. Kjo punë mund të zgjidhet në mënyrë shumë të thjeshtë, duke i integruar shqiptarët që janë jashtë në një mënyrë shumë të thjeshtë për të kontribuuar.”, thotë zoti Xhaferi në DritareTV./K.C/dritare.net

Scroll to Top