Shpëtohet Nënë Nazja! Pas apelit në Report Tv gjendet strehimi për 85-vjeçaren që jetonte e braktisur: Mirënjohje deri ditën e vdekjes
Report Tv çoi deri në fund misionin për të ndihmuar nënë Nazen, e vetme prej 20 vitesh në një shtëpi gërmadhë në fshatin e largët Muçan të Elbasanit. Nga sot 85-vjeçarja u strehua në rezidencën e moshuarve në Tiranë ‘Shtëpia në Kodër’.
Pas historisë së trishtë të nënë Nazes, e cila jetonte e braktisur nga 4 fëmijët jetimë të burrit të dytë, Report Tv arriti të mundësojë zgjidhjen për 85-vjeçaren.
Shqiptarët zemërmirë reaguan duke shprehur keqardhje, por dhe solidaritet për gjendjen në të cilën është lënë e moshuara si nga fëmijët që rriti ashtu dhe nga institucionet. Elda Betaj, drejtuese e rezidencës për të moshuarit “Shtëpia në Kodër” e ndodhur në Ibë, mori përsipër ta strehojë në qendrën e saj nënë Nazen.
Zonja Betaj kontaktoi me redaksinë tonë dhe mori përsipër jo vetëm strehimin e 85-vjeçares në “Shtëpinë në Kodër” por edhe trajtimin e saj shëndetësor, ushqyerjen e saj, dhe një dhomë të ngrohtë për nënën që ka kaluar 20 vite e vetmuar në mes të shiut, të ftohtit, pa energji elektrike, e lënë e braktisur në një gërmadhë nga e cila përmes mikrofonit të Report Tv kërkoi të largohet një herë e më parë.
“Ishte rastësi. Në mbrëmje pashë kronikën në Report Tv. Në atë orë të vona të natës telefonova për të dhënë ndihmën time të parë pa pasur parasysh dhe padëgjuar mirë historinë e saj. Pashë vetëm kushtet ku ajo jetonte dhe vendosa ti jepja ndihmë zonjës Naze. Unë jam administrator e një residence për të moshuar dhe pikërisht për këtë ndihmojmë njerëzit e moshuar që kanë fëmijët jashtë por dhe aa që jetojnë në Shqipëri e nuk mund të kenë mundësi të jenë 24 orë pranë të moshuarve. Por rasti I zonjës Naze ishte ndryshe. Ajo nuk ka asnjë njeri në këto momente kur ishte në vështirësi dhe menduam të bëjmë një ndihmë bamirësie” tregoi Elda Betaj ndërsa me stafin e qendrës dhe të televizionit Report TV udhëtuan drejt fshatit për ta marrë të moshuarën.
Nënë Nazja nuk kërkonte shumë. Ajo ka mall për njerëz. Dëshiron të jetë mes moshatarëve të saj për të shkëmbyer një bisedë, ndaj në mesin e shqiptarëve bujarë që u ofruan, Report Tv vlerësoi se ndihma më e mirë është ta afrojmë me njerëz të mirë, me moshatarë të saj, në një vend të ngrohtë, ku nuk do të kalojë më ditë të tëra pa ushqim, duke pritur lëmoshën e ndonjë fqinji që I çonte një çapë bukë.
85-vjeçarja u strehua në një rezidencë të moshuarish në Tiranë dhe mes njerëzve e ngrohtësisë, shprehu mirënjohje që dikush u kujtua për të
“Ju ndihmoftë Zoti. Do kisha vdekur pa parë televizor dhe pa ngrënë. Unë edhe shpirtin dua tju jap. Shpirti im ka ngelur nëpër kockat. Jam tretur në vetvete. Vetëm këto rroba kam. U tha barku për ujë, për bukë, për të folur” tha nënë Nazja e cila ndryshe nga dje, ku jetonte në një shtëpi të rrënuar sot është ulur në dhomën e pritjes së qendrën rezidenciale për të moshuar bashkë me moshataret e saj
E ndërsa frika e nënë Nazes se trarët e shtëpisë gërmadhë mund ta zënë poshtë, morri fund, e rrethuar nga ngrohtësia Nënë Nazja kishte dëshirë ti shkonin ta vizitonin nipat e mbesat.
“Unë dua që të më vijnë e të më shohin ku qesh e ku jam. A vijnë a s’vijnë, qysh t’u them unë? Driton Jaupin përpara se e kam rritur 4 vjeç, Ai e di që jam në shtëpi të shembur. Goca, Shpëtime, goca e vogël, goca e madhe Afërdita ..Ajo që është në Greqi. Ajo ka 13 vjet, Valentina.”
Report Tv kontaktoi edhe me Bashkinë e Elbasanit, e cila na tha se ka menduar një zgjidhje të përkohshme për ta strehuar të moshuarën në një qendër të moshuarit në “Balashe” në Elbasan. Por nënë Nazja ka nevojë të kalojë e qetë pleqërinë, ndaj zgjidhja e përhershme do t’i mundësohet në “Shtëpinë në Kodër”.
Bashkia premtoi se do ti vijë në ndihmë të moshuarës me gjithçka të nevojshme, për të mos pasur pengesa në strehimin e saj në rezidencën e zonjës Elda Betaj.
Shqiptarët dhe fondacionet që i janë adresuar redaksisë sonë për të ndihmuar nënë Nazen janë të pafundmë, dhe Report Tv do të komunikojë me të gjithë, për të çuar deri në fund ndihmat që ata kanë shprehur. Por kjo do të jetë në një hap të dytë, pasi e moshuara që na preku të gjithëve, të jetë strehuar në qendër.