Shpëtim Idrizi rrëfen për herë të parë historinë e familjes: Dy grekë erdhën dhe na kërkuan, jetonin te shtëpia jonë…
Kreu i PDIU Shpëtim Idrizi ishte i ftuar në emisionin Top Story, ku foli për këtë zhvillim shumë të rëndësishëm për çamët, teksa falënderoi kolegët që e votuan.
Ai u shpreh se heqja e këtij ligji është shumë me rëndësi dhe peshë për çamët, por jo për nga ana materiale, por atë të emocioneve dhe përjetimeve njerëzore.
Për herë të parë Idrizi rrëfeu dhe një histori të familjes së tij, kur në vitin 1989, në Tiranë mbërritën dy shtetas grekë që kërkonin gjyshin e tij. Sipas Idrizit ata jetonin në shtëpinë e gjyshit të tij, të marrë pas dëbimit, dhe kërkonin ta takonin pasi i kishte dërguar i ati.
“Duam ose t’i marrim hallallin, ose t’i japim paratë”, kanë thënë ata sipas tij, duke treguar më tej se raporti njerëzor me qytetarët e sotëm grek apo qeverinë, nuk është konfliktual, por çamët kërkojnë që të ketë një ndjesë publike për masakrën.
“Çështja e shqiptarëve të Çamërisë, është e fundit çështja e pronës. Nuk po mbajmë kujtimin gjallë për një shtëpi aty. Ka qenë vend i begatë me pasuri, sigurisht që ka një kalkulim, deri para 1990 llogaritej e gjithë pasuria e lënë atje ishte rreth 2 mld euro, imagjinoni tani. Por është e fundit përballë jetëve njerëzore… ndaj ne duam që në radhë të parë të kemi një falje publike, sot nuk bëjmë përgjegjës popullin dhe qeverinë greke. Ne kërkojmë statusin që kishin para ‘45, të kthehemi në vendin tonë, aty ku kemi shtëpitë.
Shtëpia ime ka një histori që po e rrëfej për herë të parë. Në ‘87 vijnë dy njerëz nga Greqia në hotel Tirana, kërkonin shtëpinë e Mero Saliut, gjyshi im, dhe i dalin këta që i gjëmonin dhe u thonë ‘për çfarë keni ardhur? Ne jetojmë në shtëpinë e tij kemi qenë gjitonë, na ka çuar babai jonë dhe duam ta takojmë dhe t’i marrim ose hallallin ose t’i japim paratë’. Nëse do shkoja sot atje, si do sillesha me ata? Nuk do t’i nxirrja, ose do t’i thoja të ta ‘ndërtoj një shtëpi në fund të bahçes më të mirë se kjo, se këtë e kam për kujtim’. Jam shumë mirënjohës për kolegët e mi që e votuan”, tha Idrizi.