‘Shkurt e shqip’ /Demaj: Skënderbeu nuk ka vrarë myslimanë, ai nuk luftoi për fe dhe kundër asnjë feje
Historiani Frashër Demaj ishte i ftuar në emisionin “Personale” në RTV Dukagjini.
Demaj ka thënë se heroi i shqiptarëve, Gjergj Kastrioti – Skenderbeu ka bërë luftë për të krijuar shtetin e vet të Arbrit.
“Secili shqiptar duhet të dijë se Skenderbeu është atakuar nga qarqet e ndryshme të jashtme. Serbet, malazezët, bullgarët madje edhe maqedonët kanë tentuar të përvetësojnë figurën e Skenderbeut”, tha Demaj.
Sipas historianit ka edhe qarqe ekstremiste që po tentojnë të njollosin figurën e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut.
“Vojsava rrjedh nga një familje feudale e Pollogut të sotëm në Maqedoni. Po të gjenin serbët një dokument që thotë se nëna e Skënderbeut ishte sllave, ata do ta mbanin përpjetë gjithë ditën për të dëshmuar se ajo është sllave, dhe që të pretendonin se kanë hise te Skënderbeu”, tha ai.
Demaj thotë se qarqet ekstremiste e sulmojnë Kastriotin se gjoja ai ka vrarë myslimanë, por sipas tij kjo nuk është e vërtet.
“Është e pavërtetë se Kastrioti ka vrarë myslimanë. Ai nuk luftoi për asnjë fe dhe kundër asnjë feje, sepse qëllimi i tij ishte të formonte shtetin e Arbërit. Madje në kohën kur jetoi Skënderbeu shqiptarët nuk ishin të islamizuar në masë”, tha ai , përcjell Telegrafi.
Profesori universitar thotë se përkundër që tani Turqia është vend mik, ajo nuk duhet të sillet si padrone ndaj Kosovës.
“Nuk mund të hiqet fjala pushtues nga librat e historisë, sepse realiteti është se Perandoria Osmane ka pushtuar territoret shqiptare, dhe pastaj ka sunduar për rreth 500 vjet”.
Historiani ka thënë se Erdogani ka zhvilluar Turqinë me premisa diktatoriale dhe se ai ka tendenca të shtrijë këtë shtet edhe në Ballkan me mentalitetin neo otoman.
“Por e ka të pamundur [Erdogani] të rrezikojë shqiptarët. Fundja shqiptarët e kanë të ardhmen e sigurt, për aq kohë do të jenë partnerë dhe miq me SHBA-në dhe BE-në”, tha më tej Frashër Demaj. /Telegrafi/