Shkruhet historia: Islam Alijaj zgjidhet deputet i Parlamentit Zviceran
Në zgjedhjet që u mbajtën sot për Parlamentin Federal të Zvicrës, ka ndodhur pika e kthesës: një kandidat me rrënjë shqiptare është zgjedhur deputet dhe fjala është për Islam Alijajn, kandidat i Partisë Socialdemokrate (SP).
Alijaj, duke qenë person me nevoja të veçanta, është i njohur për angazhimin e tij të palodhshëm për të drejtat e kategorisë së njerëzve të cilës i takon.
Ai ka qenë deri më tani asamblist shumë aktiv në Asamblenë e Qytetit të Cyrihut. Por, më shumë se kaq, Alijaj është një lobist i flakët, në nivel vendi, për çështjen e personave me nevoja të veçanta.
Për një vend në Parlamentin Federal të Zvicrës kanë vënë kandidaturën e tyre rreth 30 politikanë me rrënjë shqiptare.
Bazuar në informatat që albinfo.ch ka deri më tani, Islam Alijaj është i vetmi që ka fituar.
Me fitoren e tij, komuniteti shqiptar i Zvicrës bëhet për herë të parë me një deputet të nivelit federal. Një moment për histori!