S’është ngritur kurrë në këmbë, 38-vjeçari nga Lezha në klasën e 8-të kërkon një karrocë për në shkollë: Më ndihmoni të arsimohem

Aleksandër Lekaj ka lindur me probleme të rënda shëndetësore. 38-vjecari ka dëshirë të arsimohet edhe pse në moshë madhore. Përmes apelit në Report TV kërkon një karrocë elektrike për të ndjekur mësimet në shkollën 9-vjecare të Lezhës

Është nxënës i klasës së 8-të në shkollën “Nënë Tereza” të qytetit të Lezhës, por këtë vit nuk e ka nisur ende mësimin. Aleksandër Lekaj nga fshati Mërqi është invalid i kategorisë së parë dhe prishja e karrocës elektrike që përdorte, e ka penguar që të ndjeke shkollën të cilën e nisi me plot dëshire dhe pasion në moshe madhore.

Distanca prej 5 nga shtëpia tek shkolla ka vënë në vështirësi 38-vjecarin. Përmes apelit në Report Tv u drejtohet fondacioneve bamirëse për një karrocë elektrike, në mënyrë që ëndrra e tij për të përfunduar arsimin 9-vjeçar të bëhet realitet.

“Ka një vit e gjysmë që më është prishur karroca dhe s’kam me çfarë shkoj në shkollë. Dëshirën e kam shumë të madhe, por skam mundësi”, tha Aleksandër Lekaj për Report TV.

Duke shtuar se “unë kërkoj një karrocë elektrike të shkoj në shkollë. Atje ndjehem mirë si me shokët ashtu dhe mësuesit”.

Pagesa e invaliditetit prej 20 mijë lek në muaj, që merr Aleksandri është e vetmja e ardhur për familjen Lekaj, të cilët jetojnë në kushte të vështira ekonomike. Mes lotësh nëna e 38-vjeçarit kërkon ndihme për të birin.

“Djali ka dëshirë të mësojë. ne s’kemi mundësi. ndaj ju lutem kush mundet të na ndihmojë së paku për karrocën”, tha Dila Lekaj nëna e tij.

Aleksandri Lekaj ka lindur invalid dhe pavarësisht vështirësive të jetës ëndrra e tij është që të arsimohet, që të ndjehet i barabarte në shoqëri. /Shqiptarja.com

 

Scroll to Top