Serbët i ndihmuan osmanët që ta pushtojnë Ballkanin
Nga Sylë Ukshini
Në studimin më të ri “Ata luftuan me turqit, kundër vullnetit të tyre, por nuk ishte e mundur të bëhej ndryshe”, prof. dr. Oliver Jens Schmitt, njëri nga historianët më të njohur gjermanofonë në Universitetin e Vjenës, Austri, dekonstrukton mitet e historisë serbe për mitin e Kosovës dhe për raportet serbo-osmane gjatë periudhës së hershme të sundimit osman në Ballkan. Duke argumentuar se serbët u kanë dhënë ndihmë vendimtare osmanëve që këta ta pushtojnë Ballkanin dhe se serbët ishin ndër popujt më bashkëpunues me oborrin osman, rrëzohet pretendimi i deritanishëm se ata, pra serbët, ishin viktima e vetme e këtij invazioni, ndërkohë që popujt e tjerë ishin bashkëpunues dhe përkrahës të tyre
Oliver Jens Schmitt, autori i studimit që trajton marrëdhëniet serbo-osmane midis betejës së Fushë-Kosovës dhe rënies së despotatit serb (1389–1459) – me titull “Ata luftuan me turqit, kundër vullnetit të tyre, por nuk ishte e mundur të bëhej ndryshe”, botuar në “Zeitschrift für Balkanologie”, nr. 58 (2022) 1/2, f. 131-152 – është historiani zviceran, i cili prej dy dekadash është profesor në Universitetin e Vjenës. Është ligjërues i Historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Vjenës. U LIND në Basel të Zvicrës më 1973. Disertacioni i tij mbi “Arbërinë venedike”, të cilën e ka mbrojtur në Münich tek albanologu i njohur, Peter Bartl, është një nga veprat më të rëndësishme për historinë e shqiptare të periudhës së mesjetës. Për dallim nga vepra e lartpërmendur, dhe nga studimet e tjera, monografia “Skënderbeu”, ka ngjallur një debat të zjarrtë jo vetëm në qarqet intelektuale e akademike, por edhe në shtresat e tjera të shoqërisë shqiptare në Prishtinë dhe në Tiranë, meqë Skënderbeu për shqiptarët paraqet njërën nga figurat më madhore të historisë së tyre kombëtare dhe që në kohën e Rilindjes Kombëtare u bë simbol i unitetit dhe ndërgjegjësimit kombëtar të shqiptarëve. Shpesh krijohet përshtypja se shumica e kritikuesve të Schmittit nuk e kanë lexuar fare librin mbi Skënderbeun ose, edhe nëse e kanë lexuar, nuk e kanë kuptuar atë mirë, pasi temat kryesore të diskutimit nuk kanë të bëjnë aspak me librin dhe se diskutimi nuk ka një objekt. Por, pavarësisht nga kritikat, libri i Schmittit është një nga librat më të rëndësishëm për figurën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, pasi për herë të parë me një metodologji dhe interpretim dhe analizë brilante shkencore, na dalin të shpërbëra mite dhe ngrehina ideologjike rreth figurës më të madhe historike të shqiptarëve. Me gjithë pretendimet e kritikëve se Schmitti ka mohuar origjinën shqiptare të Skënderbeut, ai do t’i deklaronte autorit të këtij shkrimi (në intervistën e realizuar në qershor 2007) se kush e lexon me vëmendje librin, do ta kuptojë se aty thuhet qartë se Skënderbeu ishte arbër/shqiptar.
Një tjetër libër i profesor Schmittit, i cili është pritur me kritika, ka qenë edhe ai për historinë e Kosovës: “Kosovo – Kurze Geschichte einer zentralbalkansichen Landschaft” (“Kosova – histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike”), në të cilin, po ashtu, autori thekson se miti i Kosovës është prodhim i shekullit XIX, atëherë kur në Ballkan kishte filluar ndërgjegjësimi kombëtar i serbëve dhe përpjekja për krijimin e shtetit të tyre kombëtar. Në këtë vepër, Schmitti pasqyron politikën represive serbe ndaj shqiptarëve pas pushtimit të Kosovës gjatë luftërave ballkanike 1912-1913.
Po ashtu, Schmitti për disa vjet rresht është marrë edhe me kërkime dhe studime për historinë e Rumanisë dhe si rrjedhojë, ai ka botuar më 2016 studimin “Căpitan Codreanu – ngritja dhe rënia e liderit fashist rumun”, kurse dy vjet më vonë edhe librin “Rumania në 100 vjet”.
Ndërkaq, më 2020, Oliver Schmitti, së bashku me Ewa Frantz dhe në bashkëpunim dhe me Sven Mörfsdorf, kanë botuar një vepër kapitale: “Politik und Gesellschaft im Vilayet Kosovo und im serbisch beherrschten Kosovo 1870-1914. Berichte der Österreich-ungarischen Konsuln aus dem zentralen Balkan, (Politikë dhe shoqëri në Vilajetin e Kosovës dhe në Kosovën e sunduar nga serbët. Njoftime të konsujve austro-hungarezë nga Ballkani Qendror), vëll. I-V, botuar në pesë vëllime nga Akademia e Shkencave e Austrisë. Në këtë botim janë publikuar raportet e konsujve austro-hungarezë kryesisht nga Vilajeti i Kosovës, përkatësisht nga Prizreni, Shkupi, Mitrovica, po edhe nga Manastiri, Shkodra, Stambolli e qytetet e tjera ku Vjena kishte deleguar diplomatët e saj.
Së fundmi, Schmitti ka botuar edhe dy libra me shumë interes për historinë e shqiptarëve dhe të rajonit: “Ballkani në shekullin XX: Një histori post-imperiale“, në të cilën ai trajton historinë e Ballkanit në shekullin XX si një histori pas-imperiale, duke krahasuar zhvillimet kryesore në politikë, shoqëri, ekonomi dhe kulturë në mënyrë transnacionale, si dhe duke nënvizuar dallimet dhe ngjashmëritë midis vendeve të ndryshme të Ballkanit në kontekstin evropian.
Kurse në vitin 2022, së bashku me historianin tjetër, Bernd Fischer, kanë botuan librin “A Concise History of Albania (Cambridge Concise” (“Një Histori e Shkurtër e Shqipërisë)”, përmes të cilit autorët trajtojnë historinë e Shqipërisë dhe të popullit të saj, brenda kontekstit të Ballkanit dhe Evropës. Oliver Schmitti dhe Bernd Fischeri në këtë mënyrë sfidojnë disa nga narrativat tradicionale lidhur me origjinën e shqiptarëve dhe marrëdhëniet e tyre me fqinjë e tyre ballkanikë.
Punimi të cilin po e prezantojmë këtu “Ata luftuan me turqit, kundër vullnetit të tyre, por nuk kishte rrugë tjetër“, është publikuar në gjashtëdhjetëvjetorin e botimit të Revistës për Ballkanologji (“Zeitschrift für Balkanologie” 58 (2022) 1/2, f. 131-152.). Në këtë punim bëhet një shqyrtim shkencor i lidhjeve serbo-osmane midis betejës së Fushës së Kosovës dhe rënies së Despotatit Serb (1389-1459), ku analizohen momentet më vendimtare të historisë osmane dhe historisë së Ballkanit, si dhe analizohen shumë ngjarje përmes të cilave dokumentohet se fisnikët serbë, pos që pranuan vasalitetin e Sulltanit, luftuan përkrah tyre dhe me ta provuan dukshëm sukseset dhe fitoret në beteja të ndryshme kundër Bizantit dhe popujve ballkanikë. Në këtë punim, ndërvarësitë serbo-osmane përshkruhen edhe në nivelin e martesave dinastike, duke konkluduar se serbët ndihmuan osmanët ta pushtonin Ballkanin. Me këtë vetvetiu bëhet i paqëndrueshëm pretendimi i kulturës serbe të kujtesës se “serbët, sipas këtij rrëfimi të etabluar, më 1389 mbrojtën krishterimin në Betejën e Fushë-Kosovës kundër osmanëve myslimanë”.
Ky punim trajton çështjen se mund të interpretohet historia serbo-osmane e marrëdhënieve pas Betejës së Kosovës, kur një humbje të botës princërore serbe në Ballkan, filloi një fazë krejtësisht të re në këtë marrëdhënie, e cila përgjatë shtatë dekadave midis 1389 dhe 1459 u karakterizua nga përplasjet ushtarake, por edhe nga bashkëpunimi ushtarak dhe politik.
Në këtë punim, më të fundit të tij, Oliver Schmitti synon të gjejë përgjigje për pyetjen se si duhet interpretuar historia e marrëdhënieve serbo-osmane pas Betejës në Fushë Kosovë. Megjithëse ky sukses ushtarak do të thotë një humbje politike për botën e princërve serbë në Ballkan, ai shënon një faze të re në këtë marrëdhënie, e cila në periudhën 1389-1459 karakterizohet me përplasje ushtarake, por edhe me bashkëpunim ushtarak dhe politik.
Termat “serb” e “osman” përballë keqkuptimeve
Pas një serie të gjatë disfatash ushtarake, fisnikëria serbe nuk ishte më në gjendje që të rezistonte në mënyrë të pavarur pas vitit 1389. Ndihma e jashtme mund të vinte vetëm nga Hungaria pak e dashur. Brenda, grindjet midis Lazareviqëve dhe Brankoviqëve patën një ndikim, të cilin osmanët e shfrytëzuan, ashtu siç nxitën konflikte të brendshme për interesat e tyre gjetkë. Knenzen dhe despotët serbë padyshim se përmbushjen besnike të detyrave të tyre vasale, e shihnin si një garanci të sigurisë relative të sundimit të tyre.
Megjithatë, para se të bëhet kjo, dy termat “serb” dhe “osman” duhet të sqarohen, gjithashtu për të parandaluar keqkuptimet. Derisa historiografia serbe këto grupe i sheh qartësisht të ndara: “turqit” si “pushtues” dhe serbët si “të krishterët ballkanikë”, që janë edhe “mbrojtës të kulturës dhe civilizimit evropian”. Duhet nënvizuar se është me interes në këtë që Schmitt, ka një qasje të diferencuar nga historianët dhe historiografia serbe lidhur me termat “serb” dhe osman”. Sipas tij, për të evituar keqpërdorimin dhe kuptimin këta dy termat “serb” dhe “osman”, në prezantimin e tyre klasik nuk mund të interpretohen si terma që tregojnë grupe etnike të ndryshme, por si shprehje për të marrë parasysh elitat politike të asaj periudhe. Në këtë kontekst duhet përmendur edhe mendimin e historianit të njohur gjerman dhe një nga njohësit më të mirë të historisë së Evropës Juglindore, Holm Sundhaussen, i cili po ashtu ka aplikuar një qasje për përmbysjen e miteve serbe për Kosovën, pohon se në këtë periudhë të mesjetës nuk mund të flitet se “shteti serb mesjetar” “ishte shtet kombëtar në kuptimin modern”. Është e qartë se terme të tilla janë përdorur jashtë kritereve shkencore, por më shumë në funksion të ideologjisë nacionaliste dhe si justifikim për politikën e tashme. Nga ana tjetër, elita osmane gjithashtu formoi diçka tjetër përveç një komuniteti etnikisht homogjen, nuk u unifikua as në aspektin etnik, pasi shumë të krishterë ortodoksë ishin bashkuar me të dhe vetëm disa prej tyre ishin konvertuar në islam.
Shteti serb në vasalitet, mposhtja e të krishterëve
Me këtë diskurs shkencor, Schmitti arrin ta rrënojë mitin serb për Kosovën, sipas të cilit serbët në Betejën e Fushë-Kosovës më 1389 mbrojtën krishterimin përballë invazionit të shtetit osman dhe kjo betejë nuk ishte përcaktuese për shtetin mesjetar serb, pasi për afro një shekull më vonë ekzistoi shteti serb në vasalitet dhe në bashkëpunim të ngushtë me oborrin e Sulltanit. Për më tepër, ai argumenton se elitat serbe pas vitit 1389 i kanë dhënë osmanëve ndihmë vendimtare për ta pushtuar territorin e Ballkanit. Lidhur me këtë çështje, autori në mesin e shumë shembujve sjellë edhe rastin e pjesëmarrjes së forcave serbe në Betejën e Nikopolit në Danub, të prira nga Stefan Llazareviqi, i biri i Princit Llazar të vrarë shtatë vjet më parë, forca këto të cilat ndikuan që të fitonin trupat osmane. Ishin forcat serbe pra që dhanë ndihmesën e tyre për forcat osmane në mposhtjen e të krishterëve, burgosjen e aristokratëve të pasur, në burgosjen dhe në falimentimin e shumë familjeve aristokrate franceze.
Ushtarët serbë në Selanik e Stamboll, rakia në oborrin e Sulltanit
Sipas Schmittit, më 1430 osmanët sulmuan Selanikun, krahas Kostandinopojës, qyteti më i rëndësishëm i Ballkanit. Pjesëmarrës vendimtarë ishin ushtarët serbë nën udhëheqjen e Grgur Brankoviqit. Kur më 1453 sulltan Mehmeti rrethoi Stambollin dhe më 29 maj e pushtoi, trupat serbe ishin pjesë e ushtrisë osmane dhe jo në anën e bizantinëve ortodoksë.
Në studimin e tij, Schmitt shpjegon arsyen pse serbët përkrahën osmanët në pushtimin e Ballkanit. Pas humbjes në Betejën e Fushë-Kosovës, aristokratët serbë u bënë vasalë të osmanëve, sidomos dinastitë e Llazareviqëve dhe Brankoviqëve. Rol qendror luanin martesat mes dinastive. Olivera Llazareviq u martua me Sulltan Bajazitin I dhe Mara Brankoviq me sulltan Muratin II (1422-1451). Bashkë me këto dama, në oborrin e Sulltanit erdhën edhe serbë të tjerë. Kronikat osmane e përshkruajnë Oliverën si “femme fatale”, e cila kishte futur në përdorim pirjen e alkoolit në oborrin e Sulltanit dhe kësisoj kishte trandur traditat e vjetra të sulltanëve. Pas vdekjes së burrit të saj, Mara Brankoviq u shpërngul në Maqedoninë jugore dhe me vite të tëra mbajti në duar penjtë e diplomacisë së fshehtë drejt Perëndimit, sidomos Venedikut. Në oborrin osman u krijua një elitë serbe dhe deri në shekullin XVI serbishtja ishte shumë e përhapur aty, madje thuhet se sulltanët kryenin korrespondencën e tyre me Ballkanin Perëndimor në gjuhën serbe (“questa lingua, che prima era in uso nellʼistessa Corte del Turco”). Ndërsa dy bashkëshortet e sulltanit, Olivera Lazarević nën Bajazitin I dhe Mara Branković nën Muratin II, ushtruan ndikim të madh në oborrin e sulltanit, madje ato ushtruan ndikimin e tyre duke ndërmjetësuar mes sulltanëve dhe Timur Lenkut apo Huniadit.
E gjithë kjo histori rrëzon mitin dhe narracionin e përhapur në historiografinë serbe dhe në elitat politike se serbët ishin mbrojtës të krishterimit evropian dhe populli kryesor që e luftuan depërtimin e pushtuesve osman. Për ironi, këtu dokumentohet se ishin pikërisht serbët më shumë se çdo popull tjetër që bashkëpunuan me osmanët për zgjerimin e Perandorisë Osmane, bile kjo ndihmë e serbëve është evidentuar edhe në pushtimin e qendrës së ortodoksisë në Lindje, Konstandinopojës.
Gëzimi i osmanëve: “…pa shihni, edhe serbët janë kundër jush”
Lidhur me këtë, Schmitt përmend faktin se Giorgo Sfranze, këshilltar i Perandorit të fundit bizantin, Konstantinit XI, gjatë qëndrimit në ekzil në Korfuz kishte formuluar akuza të ashpra kundër serbëve për shkak të rolit të tyre në fundosjen e Bizantit.
“Nga territoret e ndryshme, Serbia ka mundur të dërgojë fshehurazi para dhe burra. A ka parë ndokush para? Vërtet ata dërguan para dhe shumë burra, por ata ia dërguan emirit (mendohet Mehmetit II), i cili ishte duke e rrethuar qytetin (Kostandinopojën). Dhe turqit gëzoheshin dhe thoshin: pa shihni, edhe serbët janë kundër jush”, kishte shkruar Giorgo Sfranze. Thellë i dëshpëruar, ky bizantin kujtonte rolin serb në rënien e Kostandinopojës, ku duke luftuar ra Konstantini XI. Elitat serbe nuk ushtronin solidaritet ortodoks, nënvizon historiani i njohur nga Universiteti i Vjenës, Oliver Jens Schmitt.
“Turqit” vinin nga Azia dhe kishin pak të përbashkëta me “të krishterët e Ballkanit”. Qasja jonë është e ndryshme: termat “serbë” dhe “osmanë” përdoren për të marrë parasysh elitat politikisht aktive, jo grupet etnike. Nga njëra anë, elita serbe ishte e lidhur ngushtë me ortodoksët bizantinë.
Është i rëndësishëm fakti se Schmitt, në këtë punim, sjell burime të reja përmes të cilave dekompozohet miti se serbët e kishin luftuar në vazhdimësi shtetin osman dhe konfirmohet fakti, të cilët e fsheh historiografia serbe, se “tronditja e bizantinëve, ndodhi kur trupat serbe u shfaqën me ushtrinë e Mehmetit II para Kostandinopojës”.
Sipas autorit, ky studim nuk paraqet një pretendim për trajtimin shterues të të gjitha dokumenteve arkivore, por paraqet vetëm një interpretim të ri të një historie jashtë kontekstit të luftërave dhe konflikteve midis palëve të ndara, respektivisht paraqet rrethanat se si elita politike serbe bashkëpunoi dhe ndihmoi zgjerimin e Perandorisë Osmane në fushatën e saj ekspansioniste. Pra, nuk është fjala për ndonjë lloj antiteze për historinë serbe, por si i tillë ky punim bën me suksese dekompozimin e miteve që ekzistojnë për luftërat e vazhdueshme ndërmjet popujve të Ballkanit dhe Perandorisë Osmane.
Harmonia serbo-osmane dhe rreziku në Ballkan
Punimi nxjerr në pah se në periudhën e hershme të sundimit osman ka ekzistuar një harmoni serbo-osmane e kushtëzuar nga interesa reciproke dhe e determinuar nga qasja e një politike pragmatike si një antitezë ndaj një historie të pastër konflikti. Ajo që duhet të theksohet në këtë punim mund të përmblidhet si një politikë pragmatike.
Në këtë kuadër, Schmitt konkludon se asnjë elitë tjetër politike në Ballkan nuk ishte e ndërthurur kaq ngushtë me elitën osmane, ajo ishte e lidhur përmes martesave dinastike, ndërhyrjeve të ndërsjella dhe pjesëmarrjen në “politikën e brendshme” të homologëve të tyre. Në marrëdhëniet serbo-osmane, osmanët mbetën përgjithësisht ana më e fortë, e cila përcaktoi edhe kuadrin politik. Por, edhe oborri i Sulltanit gjithashtu e njihte mirë potencialin dhe rrezikun që paraqiste elita serbe në Ballkan, prandaj ajo në vazhdimësi punoi për të dekurajuar dhe vështirësuar lidhjet e tyre me Perëndimin, veçanërisht me Hungarinë, po ashtu si rival i rëndësishmen i ekspansionit osman në drejtim të Ballkanit dhe më gjerë në Evropë. Në të njëjtën kohë, edhe elitat serbe e kishin parasysh se besnikëria ndaj osmanëve nuk paraqiste garanci afatgjate për mbijetesën e tyre politike.
Analiza aktuale ka treguar se kategoritë e thjeshta si “serb” dhe “turk” nuk i bëjnë drejtësi realitetit socio-kulturor dhe politik të Ballkanit të mesjetës së vonë dhe se kategoritë morale nuk mund të jenë instrumente për analizimin e luhatjeve të elitave serbe midis osmanëve dhe hungarezëve. Prandaj, ka kuptim të flitet për një botë politike të ndërthurur, për një komunitet politik serbo-osman, i cili sigurisht është i mbushur me konflikte dhe në asnjë moment nuk karakterizohet nga besimi i qëndrueshëm. Sidoqoftë, mbetet i pakontestueshëm fakti se elita serbe, si asnjë elitë tjetër në Ballkan, pati një periudhë prej shtatë dekadash, përkatësisht midis viteve 1389 dhe 1459 jo vetëm të përplasjeve ushtarake, por edhe të bashkëpunimit ushtarak dhe politik me oborrin e Sulltanit.