Sekretet e Kalasë të Rozafës, zbulohet skeleti 900-vjeçar

Skeleti i një njeriu që mendohet se është 900  jeçar është zbulimi më i ri në kalanë e Rozafës në Shkodër. Ka qenë ekspedita arkeologjike polake, e cila po kryen prej ditësh gërmime në këtë kala dhe në pjesën përreth saj që ka gjetur skeletin e hershëm.

Menjëherë pas kësaj, skeleti rreth 900- vjeçar është dërguar për analiza e ekspertizë të mëtejshme në Francë. Përgjegjësi i arkeologjisë në Shkodër, Helidon Sokoli shprehet se këto kërkime synojnë të zbardhin lashtësinë e kështjellës së Rozafatit, konkretisht gjetjen e gjurmëve helenistike.

“Kemi vazhduar me disa kërkime në tre oborret e kalasë për të parë shtresëzimin e strukturave duke filluar që nga ato më të vonat otomane mesjetare, veneciane për të vazhduar më thellë me të antikitetit. Kemi disa ditë që kemi filluar dhe jemi akoma në shtresat e periudhës otomane mesjetare.

Ne jemi të interesuar për të parë antikitetin, si është e zhvilluar kalaja në fazat më të hershme nga antikiteti i vonë deri në fazat helenistike, por që duhet që të shkojmë shumë më thellë për të kapur këto shtresa të hershme”, tha Sokoli.

ZBULIMI

Ekspertët polakë, të cilët kanë gjetur gjatë gërmimeve skeletin, kanë qenë mjaft të kujdesshëm në evidentimin e tij. Ai është nxjerrë në sipërfaqe me mjaft kujdes me qëllim që mos të dëmtohej. Arkeologët polakë mendojnë se ky zbulim i përket shekullit të 12-të, pra i kohës së pushtimit turk, por kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Por për të vërtetuar këtë gjë, skeleti do të dërgohet për ekspertizë në një laborator në shtetin francez, ndërsa përgjigja do të vijë vetëm pas një viti.

Gërmimet në këtë zonë arkeologjike mundësohen nga një marrëveshje 5- vjeçare me të drejtë rinovimi mes Ministrisë së Kulturës, Parkut Arkeologjik Shkodër dhe Institutit të Arkeologjisë së Varshavës, ndërsa financohen nga Ministria e Turizmit dhe Ambasada Polake në Tiranë.

Ky është viti i tretë që kjo ekspeditë po bën kërkime në të gjitha pjesët e kalasë. Ekspedita polake dy vite më parë po në ambientet rrethuese të kalasë nxori në dritë fakte të rëndësishme historike. Në të janë zbuluar jo vetëm muri i fortifikimit, por edhe ndërtime urbanistike dhe shtëpi banimi e lokale, brenda dhe pranë murit të rrethimit të vjetër të qytetit të Shkodrës. Po në atë kohë në oborrin e dytë të Kalasë në një nga ujëmbledhëset e saj është gjetur një mbishkrim, i cili sipas specialistëve të asaj kohe u mendua se i përkiste shekullit të parë para Krishtit.

Parku Arkeologjik i Shkodrës ruan në brendësi të tij gjurmë të antikitetit dhe vlerësohet si një zonë me vlera të mëdha dhe të veçanta të dëshmisë arkeologjike të vendit…

Scroll to Top