Salianji përplaset me gardistët në Kryesinë e Kuvendit: Të afrohet njeri e të më prekë, guxoni dhe do e shihni
Deputetët e Partisë Demokratike janë përplasur me punonjësit e Gardës së Republikës në hyrjen kryesore të Kryesisë së Kuvendit.
Garda ka mbyllur derën e ambienteve të Kryesisë për të mos lejuar deputetët demokratë të përjashtuar me 10 ditë nga seancat plenare. Deputeti Ervin Salianji ka paralajmëruar gardistët që të mos guxojnë që ta prekin.
“Të afrohet njeri të më prekë me dorë e ta shohë. Të afrohet njeri të më prekë, guxo. Hajdutë, pisa. Juntë është kjo?
Çfarë janë këta, gangsterë, gangsterë jeni ju, siç mbani pushtetin? Private e keni jëtë? Le ta bëjnë shtëpi, le të mblidhen në shtëpi rehat. Do bëni luftë me të shtyrë? Private e keni këtë?”, tha Salianji.
Kryesia ka vendosur që deputetët opozitarë, të përjashtuar për disa ditë lidhur me dhunën e ushtruar në seancën plenare të javës së kaluar, që ata të mos lejohen të futen brenda në godinë.
Ndërkaq, deputeti Flamur Noka ka kaluar kangjellat për të hyrë brenda ambienteve të kryesisë.