Rrëfimi i rrallë i Elton Ilirjanit: Babait i thashë se më pëlqenin meshkujt që në ’91-shin! Më dha një këshillë shumë të vlefshme
Biznesmeni Elton Ilirjani, si rrallë herë ka folur për jetën e tij private dhe atë profesionale.
I pyetur se si e mori vesh babai preferencat e tij seksuale, Eltoni shprehet se i tregoi vetë në vitin 1991. Ai i tregoi të atit se pëlqen një shok në klasë dhe kjo fillimisht e tronditi pa masë.
Sipas Elton Ilirjanit babai i tij i ka dhënë një këshillë mjaft të vlefshëm që i ka shërbyer dhe e ka bërë të jetë ai që është sot.
“Babai ka ndërruar jetë në 2010. Me të kam pasur një marrëdhënie sa të vështirë, edhe emocionuese edhe të bukur, por edhe shumë kërkuese nga ana e tij. Nëse mamaja më thoshte “shelegu” gjithë ditën, babai ishte ai i cili më përgatiste për një hap tjetër në jetë. Në ’91-shin shkova i thashë më pëlqen shoku i klasës, më pëlqejnë çunat.
E pashë që u trondit, sado që ai ishte një burrë shumë i kontrolluar dhe më thotë me biseda të gjata disa ditore, më uli dhe me fliste e më thoshte: Nuk ka asnjë gjë të keqe, thjesht është më e vështirë.
Ty të duhet të mësosh më shumë në shkollë dhe të bëhesh shumë i pasur që të blesh lirinë tënde sepse nuk do të të dojë asnjë tjetër, as nga motrat, as nga vëllezërit, as nga kushërinjtë, të duam ne dhe ty do të të keqpërdorin, do të të hedhin, do të të shajnë, do sëmuresh dhe do vdesësh. E vetmja mënyrë që ti të shpëtosh nga ky diskriminim, urrejtje, përjashtim, është që t’i të bëhesh i pasur dhe të blesh lirinë tënde.
Kur kanë qenë diskutimet në moshën time të adoleshencës që ky është as mashkull, as femër, “le të bëhet femër”, thoshin disa kodoshë të familjes sime. Kodoshllëku vjen nga injoranca. Babai më pyet, “ti do të jesh mashkull, apo do të jesh femër”? Unë i thashë dua të jem çun, e më tha “nëse do të jesh çun, duhet të mësosh se çunat si ti do blejnë lirinë”.
Tani e kuptoj çfarë ka thënë, kur vdiq në arkivol i kam bërë një foto të syve dhe ishin sytë më të bukur dhe tronditës sepse ishin sy që më flisnin dhe kishin një buzëqeshje. Isha i fundit që e preka. Babai im ishte një burrë shumë i çuditshëm dhe i fortë, ka përtypur shumë për të pasur një fëmijë si unë në ato vite”, tha ai për Top Channel.