Rrëfimi i Jasir Asanit: Maqedoninë e refuzova sepse jam shqiptar, Silvinjo më ndryshoi jetën
Ylli i Kombëtares kuqezi, Jasir Asani ka dhënë një intervistë për median “Cronache Di Spogliato”. Ai ka folur për tifozerinë kuqezi, për golat, Silvinjon si dhe ofertat nga kampionatet e huaja.
“Jam i bindur nëse në Tiranë do të kishim “Camp Nou”, shqiptarët do ta mbushnim plot. Jemi të çmendur pas futbollit. Në Shqipëri po na japin një dashuri ekstreme, në rrugë po na quajnë heronj. Kam mesazhet në celular të mbushura, nga mesazhet në Instagram me raste humb dhe ato të familjarëve të mi.
Mendoja se Shqipëria nuk do të më thërriste kurrë më, por ja ku jam në moshën 28 vjeçare, në Shqipërinë më të fortë se kurrë. Silvinjo më ka ndryshuar jetën, më parë asnjë trajner i Kombëtares nuk kishte menduar për mua. Kam lindur në Shkup, kam marrë ftesë nga Kombëtarja maqedonase, por e kam refuzuar pasi jam ndjerë gjithmonë një shqiptar. Më kujtohet ende telefonata e parë me trajnerin, më ka telefonuar përpara një ndeshje, isha aq i lumtur saqë shënova 3 gola atë ndeshje.
Më kërkojnë në Gjermani, Itali, Arabi dhe Spanjë, në janar do të shkoj në një nga këto kampionatet. Si çdo shqiptar jam i fiksuar pas Serisë A, çdo shqiptar përveç ekipit për të cilin bën tifo në Shipëri ndjek edhe një skuadër të Serisë A. Goli ndaj Polonisë ishte i mrekullueshëm, duhet ta kem parë me mijëra herë. Në një moment mu afrua Shezni dhe më tha: Bravo, nuk e prisja që do të gjuaje nga aty”, deklaroi Asani.