Rama për New York Times: Shqipëria planifikon shtet të ri mysliman brenda Tiranës
New York Times i ka kushtuar një artikull Shqipërisë, ku shkruan se kryeministri Rama është zotuar se do të ndërtojë brenda Tiranës një enklavë sovrane të stilit të Vatikanit, e cila do t’i përkasë komunitetit Bektashi.
Ky model i Vatikanit sipas Ramës lejon që kryeqyteti i vendit të ketë për Bektashinjtë një hapësirë sa 5 blloqe të New Yorkut.
Sipas kryeministrit në këtë hapësirë do të lejohet alkooli, gratë do të veshin çfarë të duan dhe nuk do të vendosen rregulla të stilit të jetesës.
NYT shkruan se nëse gjithçka shkon siç është planifikuar, enklava bektashie do të bëhet shteti më i vogël në botë dhe në krye do të jetë kleriku bektakshi, Baba Mondi.
“Shteti i tij mysliman i shpresuar në Tiranë, do të jetë një enklavë sovrane e stilit të Vatikanit që do të kontrollojë territorin me madhësinë e pesë blloqeve të qytetit të Nju Jorkut dhe do të lejojë alkoolin, do t’i lejojë gratë të veshin çfarë të duan dhe të mos vendosin rregulla të stilit të jetesës”, shkruan NYT.
“Zoti nuk ndalon asgjë; prandaj na dha mendjen”, tha Baba Mondi për New York Times, duke shpjeguar se si synon të sundojë mbi një copë toke prej 27 hektarësh që Shqipëria dëshiron ta kthejë në një shtet sovran me administratën e saj, pasaportat dhe kufijtë.
Kryeministri Edi Rama ka thënë për New York Times se në të ardhmen e afërt do të shpallë planet për entitetin, që do të quhet Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi.
Vendodhja përfshin kryeqytetin shqiptar të Tiranës dhe Krujën.
“Të gjitha vendimet do të merren me dashuri dhe mirësi,” tha Baba Mondi.
Në intervistë, kryeministri Rama tha se qëllimi i shtetit të ri ishte të promovonte një version tolerant të Islamit me të cilin krenohet Shqipëria.
“Ne duhet të kujdesemi për këtë thesar, që është toleranca fetare dhe që nuk duhet ta marrim kurrë si të mirëqenë,” tha ai.
Një mikroshtet i moderuar islamik, tha kryeministri, do të dërgonte një mesazh: “Mos lejoni që stigma e muslimanëve të përcaktojë se cilët janë muslimanët”.
“Territori i shtetit të ri islamik të propozuar është një kompleks në një lagje banimi me qira të ulët në Tiranën lindore. Është vetëm një e katërta e madhësisë së qytetit të Vatikanit, aktualisht vendi më i vogël në botë, i qeverisur nga Papa, një monark absolut’, shkruan NY.
Baba Mondi tha se “madhësia nuk ka rëndësi”, duke shtuar: “Unë nuk kam nevojë të jem diktator”, megjithëse pranoi se i vetmi kufizim domethënës në autoritetin e tij do të jetë Zoti.