Rahiq për betejën për Karanovçin e dikurshëm: Kraleva e sotme dikur ishte e shqiptarëve!
Sipas autorit Esad Rahiq, krahina e Sanxhakut, si një rajon transversal, kurrsesi nuk ka mund të jetë i anashkaluar nga ndodhitë gjatë kohës së Kryengritjes së Parë serbe, sepse krerët e kryengritjes serbe ishin të vetëdijshëm se pikërisht nëpër këtë territor kalon lidhja në mes Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Perandorisë Osmane, dhe se vetëm nëpër territorin e Sanxhakut mund të vijnë në kontakt të ngushtë me Malin e Zi dhe Kosovën.
Këtë e kishte kuptuar edhe pashai ambicioz i Shkodrës, Mahmud Pashë Bushatliu, i cili është i magjepsur me idenë për t’ia rrëmbyer sulltanit gjithë Turqinë evropiane dhe në këtë mënyrë përkohësisht mori nën kontroll Novi Pazarin, Prijepolen, Senicën dhe Nova Varoshin.
Udhëheqësi i Kryengritjes së Parë Serbe, Karagjorgje Petroviq, në fillim nuk kishte asnjë ide se kryengritja do të përhapet përtej kufijve të Sanxhakut të Smederevës.
Ndërsa, është interesante se pashallarët që qeverisnin përreth, kryengritjen e serbëve në fillim e kanë shikuar në mënyrë të qetë, meqë raportohej se është lëvizje e drejtuar vetëm kundër dainjve dhe jeniçerëve.
Ishte e ditur se një sulm të mundshëm të Sanxhakut të Novi Pazarit, trupat kryengritëse mund ta kryejnë nëpërmjet Karanovcit (Kralevës së sotme) drejt Studenicës dhe Novi Pazarit, ose nëpërmjet Uzicës dhe Nova Varoshit. Kryengritësit serbë në vitin 1804 përparuan shumë, madje filluan të forcojnë hallkën rreth Karanovcit. Por, në ndihmë vendasve iu arriti nga Novi Pazari.
Në Karanovc kishte më shumë se 2,000 myslimanë të armatosur. Përndryshe, në këtë kasaba ishte selia e Nahijes së Pozhegës dhe kishte rreth 700 shtëpi me kopshte të bukura, të gjera e me plot lule dhe fruta. Në periudhën para kryengritjes ishte një vendbanim me rreth 4,000 banorë ku mbi 90 për qind ishin shqiptarë dhe boshnjakë.
Vendbanimi nuk kishte kulla dhe mure, por vetëm në njërën anë të fortese së madhe kufizohej nga një hendek i gjerë e i thellë. Në krye të kanalit ishte i ngritur një gardh, përmes të cilit ishin të vendosura defektet. Pa përdorim të fort të artilerisë nuk mund merrej, edhe pse nuk kishte topa.
“Karanovci në zinxhirin e fortesave turke ishte porta dalëse e Shumadisë në drejtim të Novi Pazarit, Kosovës, Maqedonisë dhe Hercegovinës” (Bogomil Hrabak, “Život u Karanovcu za vreme Prvog srpkog ustanka”, 80).
Myslimanët (shqiptarët e boshnjakët) e Karanovcit edhe më tutje shpresonin se ndaj kryengritësve serbë po përgatitej ofensiva e madhe osmane nga Bosnja, Nishi dhe Vidini.
Karanovcin dhe rrethinën nuk e kishte kapluar nga fillimi jehona kryengritjes serbe – në njërën anë për shkak të distancës nga qendra e kryengritjes e nga ana tjetër për shkak të afërsisë së kufirit austriak, por edhe për shkak të afërsisë së Novi Pazarit në të cilën ndodheshin resurset ushtarake e me të cilët kryengritësit serbë nuk duan të hyjnë në përleshje luftarake.
Pjesa më e madhe e popullsisë myslimane nga zonat që janë prekur nga kryengritja, si dhe nga i gjithë qarku Pozhegës, gravituan dhe u koncentruan në Karanovc i cili ishte vendbanimi më i fortifikuar në këtë pjesë të sanxhakut të Smederevës.
Kah mesi i qershorit, harku i kryengritësve serbë shtrëngohej drejt Karanovcit. Karanovci u sulmua nga ushtria serbe e cila numëronte rreth 6,000 ushtarë, prej të cilëve 1,000 ishin kalorës. Sulmi dhe rrethimi u drejtua nga kapetan Radiqi.
Ushtria serbe së pari goditi rojet myslimane dhe arriti t’i eliminojë. Kur ushtria serbe kaloi Moravën, Karanovasit të udhëhequr nga kryetrimi i tyre Mehmed-agë Zguri, u përpoqën për të parandaluar një sulm të papritur. Kjo përpjekje kishte dështuar dhe Mehmed-aga u vra.
Popullata myslimane u largua nga shtëpitë dhe pronat e tyre dhe u tërhoq në fortifikatë ku ishin në gjendje për të mbrojtur më gjatë, për të pritur një ndihmë të re ushtarake nga Novi Pazari dhe Uzhica.
Duke ditur se në fortifikatë ka sanxhaklinj të armatosur, Karagjorgje më 17 qershor 1805 i dërgoi një letër pashait së Novi Pazarit, Ejub Ferhatagës, duke i kërkuar atij të tërheq njerëzit e tij nga Karanovci, duke ia bërë me dije se nuk duhej ndërhyrë në punët e një pashallëku tjetër.
Sulmi në Karanovc filloi të dielën pasdite më 18 qershor. Në lidhje me këto ngjarje, Vuk Karaxhiq thotë: “Duke pritur përgjigje të këtij libri (letre-shkrese), serbët sulmojnë Karanovcin, por turqit ( shqiptarët dhe boshnjakët – I.A.) u mbrojtën dhe kështu thyen ushtrinë serbe e cila pothuajse iku dhe Karagjorgje shkoi në Vrbovkë (për të ngritur një ushtri të re), dhe një pjesë të vogël të ushtrisë e cila nuk iku e la në duart e eprorëve tjerë “.
Për shkak se Karanovci i myslimanëve përbëhej kryesisht nga shtëpitë prej drurit, ushtria serbe me zjarr të topave artilerikë dogjën shumë shtëpi. Të kapluara nga zjarri u mundësua që me ndriçimin e tyre të vazhdohej lufta gjatë gjithë natës. Beteja zgjati deri në mesditë të 19 qershorit.
Pastaj, me një sulm të përgjithshëm nga serbët u sulmua kalaja e Karanovcit. Llogoret e gjera dhe të thella rreth kalasë dhe trimëria e mbrojtësve detyroi ushtrinë serbe të tërhiqen me humbje të konsiderueshme.
Karagjorgje, në konsultim me eprorët e vet, vendosi për të mbajtur kapitenin Radiqin.
Petroviqi në një masë më të vogël të ushtarëve ende mbajti Karanovcin të rrethuar, ndërsa shkoi në Topollë me qëllim që nga atje të sjell armë – gjegjësisht ndonjë top, sepse me ato armë që posedonte nuk ishte në gjendje për të luftuar me sukses dhe të merrte fortesën.
Për shkak të rrethimit të gjatë në kalanë e Karanovcit dhe duke mos patur zgjidhje tjetër, luftëtarët pranuan një marrëveshje me serbët për ta liruar kalanë dhe dorëzimin e vendit të tyre.
Rreth 3,000 myslimanë (boshnjakë dhe shqiptarë) u larguan nga qyteti i tyre brenda një dite për të shpëtuar kokën. Nga Kurillova vazhduan rrugën drejt Novi Pazarit.
Një grup i vogël shkoi në Nish. Karagjorgje dha urdhër që e gjithë ushtria për të shkuar në Karanovac ku vendbanimi ishte braktisur, pa asnjë njeri të gjallë.
Aty ishin veç disa romë dhe dy hoxhallarë që qëndruan pranë xhamisë për t’u kujdesur që të mos digjet. Ndërsa Karagjorgje kaloi pranë tyre, u lutën për xhami. Karagjorgje premtoi se xhaminë nuk do ta prekë.
Por, ushtria serbe gjithmonë me vet mbante mjete për ndezjen e objekteve. Ndaj, Karanovci për pak kohë u shndërrua në flakë.
Për disa orë nga Karanovaci mbeti vetëm prushi dhe hiri. Ajo që mbeti pa u djegur u rrënua nga serbët.
Ushtria e tyre pastaj u kthye në Moravë. Karagjorgje me një grup të rinjsh u rikthye në Karanovc dhe i vuri zjarrin xhamisë. As për të nuk kishte mëshirë.
Karanovci i ri – Kraljeva e sotme – nuk është ndërtuar në vendin e qytetit të vjetër provincial, por pak më lartë rrjedhës së lumit Ibër, shkruan Esad Rahiq në punimin e tij “Ndikimi i Kryengritjes së Parë Serbe në boshnjakët e Sanxhakut” (faqe 75-79). /Telegrafi/