Racizmi i grekëve më prishi fëmijërinë, rrëfimi i Alexia Trajko, fituesja e Greece Next Top Model 5
Alexia Trajko, fituesja 20 vjeçare e “Greece Next Top Model 5”, në një intervistë për Espresso në Athinë, rrëfen se si është jeta e saj pas reality show-t, si ndikoi programi televiziv në psikologjinë e saj, ndërsa tregon edhe racizmin që përjetoi në fëmijëri për shkak të origjinës nga Shqipëria.
Në cilën fazë të jetës jeni?
Aktualisht jam në Amerikë sepse kam për qëllim që të zhvendos biznesin dhe jetën time këtu. Për sa i përket punëve të mia profesionale, punoj me agjencinë e modeleve me vendndodhje në Selanik, No Limits Models Agency. Kemi një partneritet të mrekullueshëm dhe jemi të aftë për të bërë biznes jashtë Greqisë. Deri tani kam bërë disa fushata për marka të njohura përmes instagramit dhe pasarelave, si për Zeus+Dione.
Të ka ndihmuar në karrierë “Greece’s Next Top Model”?
Më ndihmoi në gjysmë të rrugës, pasi kishte klientë që më zgjodhën për shkak të ‘GNTM’ por edhe të tjerë më kanë zgjedhur thjesht mua si modele, si Alexia, pavarësisht pjesëmarrjes në këtë reality show.
Nga juria, kë keni veçuar?
Kam marrë diçka nga të gjithë. Viki Kaya ishte pak më “mami”, kujdesej për ne, Tasos Sofroniou ishte më argëtues dhe me humor, ashtu si edhe Giorgos Karavas si miku ynë.
Si ka ndikuar tek ju qëndrimi “e karantinuar” brenda reality show-t për më shumë se katër muaj?
Ishte shumë e vështirë. Kisha nevojë për dikë që të flisja dhe po qaja se nuk e kisha pranë. Në fakt, gjithë kjo mbyllje më preku dhe pasi dola prej saj nuk mund të hyja lehtësisht në kontakt me njerëzit, nuk mund të përqafoja dhe puthja, kisha ngritur një mur dhe u mbylla në vetvete. Më në fund me ndihmën e njerëzve të mi ia dola dhe e kalova.
Sezoni i ri i ‘GNTM 6’ pritet të nisë. Nëse do t’ju propozohej një rol, do të dëshironit ta kishit?
Do të doja të shkoja si mysafire në mënyrë që të ndaj përvojat e mia me garuesit. Gjithashtu nëse do të ndodhte ‘Next Top Model All Star’, do të më pëlqente të isha sërish në garë.
Për çfarë do t’i këshillonit vajzat që do të marrin pjesë?
Të hyjnë të përgatitura mirë psikologjikisht dhe të jetë të gatshme të pranojnë refuzimin. Gjithashtu të jenë sa më shumë me këmbë në tokë, indiferente ndaj kamerave dhe të mos i kushtojnë rëndësi asaj që thonë vajzat e tjera.
Si e përjetuat publicitetin që morët gjatë lojës?
E përjetoj edhe sot, dy vjet më vonë. Në fillim nuk e kuptova, mbase doja të ecja përpara dhe nuk i kushtoja vëmendje, shoqet më thoshin “po të shohin, përshëndeti”. Është diçka që nuk e kam kërkuar kurrë, por është kaq e bukur dhe e ëmbël dashuria që marr nga bota, është një gjë që më prek vërtet!
Ju keni lindur në Selanik, por jeni me origjinë nga Shqipëria. A keni përjetuar racizëm?
Kam përjetuar racizëm dhe kur isha më e re, më këshilluan që ta fshihja origjinën time shqiptare. Por nuk e kam fshehur kurrë dhe jam krenare për origjinën time. Nuk e kam pranuar kurrë racizmin nga bashkëmoshatarët e mi, por e kam pranuar nga të moshuarit. Ajo që më kujtohet veçanërisht ishte kur isha në shkollën fillore, shumë fëmijë merrnin në provim dhjetë, siç kisha marrë edhe unë. U hodh shorti se kush do të jetë flamurtari dhe unë isha me fat! Nëna e një fëmije reagoi ashpër dhe kërkoi nga drejtori që të mos e mbaj unë flamurin. Më pas kjo çështje në shkollë u bë një problem i madh dhe duke parë të gjitha këto i kërkova drejtorit të mos isha unë flamurtarja, me qëllim që gjërat të qetësoheshin. Ai e vlerësoi qëndrimin tim por në fund u bëra unë flamurtarja në paradë.
Jeni një vajzë shumë e bukur, a ka dashuri në jetën tuaj?
Ka dashuri në jetën time dhe kam dy vite në një lidhje dhe nuk e fsheh. Në fakt, gjatë reality show ai dhe familja e tij më kanë mbështetur shumë dhe kjo ka qenë arsyeja, duke menduar për të, për familjen time dhe miqtë e mi, që të jap më të mirën dhe të mos i zhgënjej. /Përktheu noa.al/